I shkruan letër publike rektorit të UP-së! Ndaloni abuzimet dhe falsifikimet nga Komisionet e vlerësimit

Opinione

I shkruan letër publike rektorit të UP-së! Ndaloni abuzimet dhe falsifikimet nga Komisionet e vlerësimit

Nga: Dr. Arsim Nuli Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 11:37
Prof.Dr.Naser Sahiti, rektori i UP-së “Hasan Prishtina”

 

Përmes tij edhe për Kryetarin e Këshillit Drejtues, Prorektorët, Senatin, Këshillin e etikës, Këshillin e FSHMN-së, Dekanin, Komisionin e ankesave dhe parashtresave të FSHMN-së dhe shefin e Departamentit të Gjeografisë (strukturat e UP-së në tekstin në vijim) të UP “Hasan Prishtina”.

Po e nisi këtë letër me thënien e Gianni Rodari “Në vendin e gënjeshtrave, e vërteta është një sëmundje”.

Se UP “Hasan Prishtina” ka degraduar aq shumë vërehet nga problemet e shumta si dhe nga jo-gatishmëria për zgjedhjen e këtyre problemeve. Mjafton të shikohen xhirimet e fundit të mbledhjeve të Senatit dhe të konstatohet një gjë e tillë. Grupet e ndryshme dhe paaftësia e disave nga strukturat vendimmarrëse dhe llogaridhënia e kanë kapluar këtë institucion. Edhe atëherë kur Rektori i këtij institucioni konstaton dhe vërteton në Senat (shih xhirimet e mbledhjes së senatit në internet) se ka falsifikime të qëllimta, prapëseprapë ka senatorë që bëhen të shurdhër dhe se nuk kuptojnë.

Për këtë arsye unë si palë e dëmtuar me qëllim dhe paramendim nga disa struktura brenda UP-së “Hasan Prishtina”, në konkursin e fundit për zgjedhje dhe rizgjedhje të UP-së në numrin 26 të FSHMN-së, kam vendosur që ti parashtroj disa pyetje strukturave të UP-së, dhe pastaj të njëjtat pyetje me disa tjera shtesë edhe Kryeministrit, Ministres së Arsimit, ambasadave, financuesve të UP-së “Hasan Prishtina” dhe më në fund edhe organeve të ndjekjes dhe drejtësisë.

Besoj që nga strukturat e UP-së do të marr përgjigje në pyetjet si:

A kanë strukturat e UP-së fakte dhe a kanë konstatuar që i njëjti punim shkencor është përdorur dy herë si dokument zyrtarë me emër të ndryshëm të autorit korrespodent në dy konkurse të ndryshme, atë të vitit 2019 dhe 2021?

Pse strukturat e UP-së nuk i bëjnë publike këto dy dokumente zyrtare sipas numrit të protokollit e që dëshmojnë për mashtrim, lajthitje dhe favorizim të qëllimshëm?

Kur do t’i publikojnë në media apo web faqen e UP “Hasan Prishtina” për shkak të transparencës dhe informimit të drejtë?

A kanë konstatuar strukturat e UP-së që Kryetari i Komisionit vlerësues për pozitën numër 26 në FSHMN në konkursin e fundit ka hequr dorë qëllimisht nga autori korrespondent dhe atë ia ka bartur njërit nga konkurrentet në konkurs, duke dëmtuar qëllimisht dhe me paramendim konkurrentët e tjerë?

Bazuar në të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe barazisë së të gjithëve në konkurs pa dallim kombi, feje, gjinie, a kanë konstatuar strukturat e UP-së se ky veprim është favorizues për njërin kandidat dhe diskriminues për kandidatët tjerë?

Nëse e kanë konstatuar një gjë të tillë, a ka marr ndonjë veprim për të ndryshuar Komisionin dhe për të formuar një komision tjetër të paanshëm sipas ligjit në fuqi?

A merrë përgjegjësi ligjore Rektorati për këtë shkelje të rëndë dhe me dëme të mëdha në të drejtat e njeriut?

A paraqet konflikt interesi për strukturat e UP-së rasti se dy anëtaret e komisionit vlerësues janë bashkautor me kandidaten e preferuar, e gjithashtu edhe me vullnet dhe vetëdije të plotë ndërhyjnë në ndryshimin e autorit korrespodent vetëm e vetëm sa për ta favorizuar bashkëpunëtoren e punimit ndaj kandidatëve të tjerë?

Nëse po, a i ka informuar strukturat e UP-së sekretari i UP-së dhe sekretari i FSHMN-së për një problem të tillë ligjorë dhe procedural, duke dëmtuar pjesëmarrësit tjerë në konkurs.

Nëse po, a do t’i informojnë organet hetimore të shtetit se cilat struktura të UP-së nuk i kanë përfill instruksionet e tyre?

Nëse jo, këta dy sekretar a do të marrin përgjegjësi juridike dhe morale për mos kryerjen e detyrave të parapara me ligj dhe përshkrimin e detyrave të punës?

A do të dorëzohet rektorati para klaneve të fuqishme dhe të rrezikoj kredibilitetin e rikthyer të UP “Hasan Prishtina” para qarqeve vendore dhe ndërkombëtare?

A kanë konstatuar strukturat e UP-së se unë (Dr.Arsim Nuli) kam punuar dy vite në arsimin e lartë në UP “Hasan Prishtina” në lëndët, të cilat janë shpallur në konkurs, ndërsa kandidati i propozuar nuk ka punuar asnjë ditë të vetme në arsim?

Nëse po, si mund që strukturat e UP-së ta hedhin poshtë një person të doktoruar dhe me përvojë pune në arsimin e lartë me dy vite, e në arsimin e mesëm me mbi 16 vite, e ta propozojnë për pranim një person që asnjë sekondë pune nuk e ka në asnjë institucion arsimor?

Bazuar në dokumentacionet e dorëzuara, a kanë konstatuar strukturat e UP-së që aktiviteti im profesional dhe arsimor është tepër më i madh se sa i kandidatit të propozuar nga Komisioni?

Nëse po, a kanë konstatuar strukturat e UP-së se poentimi për përvojë në mësimdhënie dhe aktivitet profesional është vendosur me një dallim maksimal që vërteton dyshimin e bazuar për manipulim të Komisionit dhe favorizim të një individi ndaj konkurrentëve tjerë?

A kanë konstatuar strukturat e UP-së se sa kam qenë asistent i angazhuar në lëndët e shpallura në konkurs nuk ka pas asnjë vërejtje me shkrim apo me gojë nga studentët, kolegët apo ndonjë palë tjetër?

A kanë njohuri strukturat e UP-së, se unë kam qenë çdo herë prezent në provime, ushtrime konsultime madje edhe në ekspeditat në terren?

A ka menduar Rektorati dhe Senati kur ka aprovuar rregulloren për zgjedhje, rizgjedhje dhe avancime se poentimi 0 deri 14 pikë bëhet për ata të cilët kanë punuar në mësimdhënie dhe aktivitet profesionale për të cilin konkurrohet, nëse po, pse nuk e ka ndryshuar Komisioni për ta plotësuar këtë rubrikë saktë dhe sipas udhëzimeve?

A kanë konstatuar strukturat e UP-së që tek pjesëmarrja në konferencat shkencore, komisioni vlerësues qëllimisht tek unë i ka fshehur 2 pikë, edhe pse kam kërkuar nga komisioni për ankesa dhe parashtresa të FSHMN-së që ti rikthej në raportin e vlerësimit?

A është interesuar Rektorati pse komisioni për ankesa dhe parashtresa i FSHMN-së nuk i ka kthyer këto pikë dhe se çfarë masa ka marr ndaj komisionit?

A kanë konstatuar strukturat e UP-së që komisioni qëllimisht nuk ka vendosë në raportin vlerësues lëndët, të cilat i kam mbajtur sipas kontratës së nënshkruar nga Rektori Marian Dema dhe Rektori Naser Sahiti e të shpallura në konkurs edhe pse kam kërkuar nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i FSHMN-së me kohë?

A mendon Rektorati që kjo fshehje e këtyre lëndëve është e qëllimshme vetëm sa për të hutuar Këshillin e FSHMN-së dhe Senatin e UP-së që unë nuk jam në kontinuitet profesional dhe me përparësi punësimi në këtë konkurs?

A mendon Rektorati që kjo është një lajthitje brenda UP ‘Hasan Prishtina”?

A do të kërkoj rektorati (bazuar në kompetencat që ka) ri-përmirësimin e raporti vlerësuese para se ai të hidhet në votimi në mënyrë që së paku dokumenti të rregullohet para se të shkoj në hetuesi dhe në gjykatë?

Çka do të ndërmarr rektorati para se më lëndën të merren ambasadat në Kosovë, institucionet e cilësisë në Kosovë dhe ato evropiane?

A do të njoftoj Rektorati përmes raportit vjetorë (për vitin 2021) kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci për këto shkelje drastike që çojnë në degradimin e UP “Hasan Prishtina” më shumë se në vitin 2013?

A do t’i njoftoj Rektorati organet hetuese për një shkelje të tillë ligjore me ndryshime dhe favorizime të qëllimta të një kandidati ndaj kandidatëve tjerë?

A ka pranuar Rektori shkresë nga kryeredaktori i revistës shkencore se ndryshimi i emrit është bërë me propozimin e autorëve me qëllim të regjistrimit të studimeve të Doktoratës, e jo për qëllime të favorizimit në konkurs?

A është kjo letër fakt i mjaftueshëm për Rektoratin se komisioni vlerësues ka pas qëllime të caktuara kur e ka shkruar raportin?

A konstaton Rektorati se kjo parqet vepër penale dhe nëse po, a e ka lajmëruar lëndën në organet hetimore?

Pse Rektori nuk e publikon letrën e kryeredaktorit në web faqen e UP “Hasan Prishtina”?

A do ta dorëzoj këtë letër Rektori në organet e ndjekjes?

A i duhet UP ‘Hasan Prishtina” pranimi i një kandidati në marrëdhënie pune me të gjitha këto shkelje, dhe nëse po a ka ndonjë strategji se çka do të ndodhë në 10 vitet në ardhje në konkurset tjera?

Nëse Rektorati lejon në precedent të tillë që nuk ndodhë as në universitetet e Afrikës, kush nga strukturat e UP-së, do të marrë përgjegjësi penale, morale dhe etike?

A kanë informata se që tani një pjesë e personelit të UP “Hasan Prishtina” ka filluar përgatitjet për ndryshim të autorëve korrespodent me qëllim të avancimit në konkursin e radhës?

A kanë strukturat e UP-së njohuri se me 1 punim shkencore me nga 5 autorë në të ardhmen mund të zgjedhën apo të rizgjidhen 5 (autori i parë dhe katër tjerët, duke ndërruar autorin korrespodent) në prof.ass.?

A mendojnë strukturat e UP-së se nëse ndodhë një gjë e tillë, morali shkencor në UP do të jetë qesharak dhe refuzues nga komuniteti shkencor ndërkombëtarë?

A po planifikojnë strukturat e UP-së që pasi të zgjidhet kandidati i preferuar nga komisioni vlerësues dhe ndonjë grup interesi, në njërën nga mbledhjet e radhës, Senati të merr vendim për ndërprerjen e një dukurie të tillë të shëmtuar?

Nëse po, a do të jetë ai një vendim diskriminues mes personelit të të njëjtit institucion në kohët e ndryshme?

A ka informatë Rektorati se kandidati i preferuar i komisionit vlerësues, para dhe sa ishte konkursi i hapur ka regjistruar studimet e doktoratës, pasi ndërrimi i autori korrespodent ishte bërë vetëm për atë qëllim (sipas letrës së kryeredaktorit që Rektori e kishte prezantuar në një mbledhje të Senatit)?

A kanë njohuri strukturat e UP-së se prindi i kandidatit të preferuar të komisionit vlerësues në këto 5 vitet e fundit ka qenë shumë shpesh nëpër ambientet e Departamentit të Gjeografisë, si dhe në orët e ligjëratave, si fizikisht ashtu edhe përmes sistemit online, madje edhe kur kandidati ishte prezent?

Me qenë se prindi im asnjëherë nuk ka qenë në ambientet e Departamentit të Gjeografisë dhe as që njihet me ndonjërin nga mësimdhënësit e këtij departamenti, a vërteton ky fakt se duhet me pas miqësi me pjesëtaret e institucionit që të punësohesh?

Nëse po, a është kjo në strategjinë zhvillimore të UP-së?

A është kjo hakmarrje ndaj meje vetëm se unë sa isha i angazhuar si asistent, i Prof.asoc.Dr. Shpejtim Bulliqit, kryetar aktual i Komunës së Podujevës dhe ish-kryetar i Komisionit për çështje kufitare, ndërsa tre anëtaret e komisionit vlerësues publikisht ishin kudër tij?

Kam edhe shumë pyetje tjera për strukturat e UP-së të cilat një herë do ti adresoj në Kryeministri, MASHT, ambasada dhe institucionet e cilësisë brenda dhe jashtë vendit, pastaj tek ju?

Kërkoj nga strukturat e UP-së që menjëherë t’i publikojnë në web faqen e UP-së raportet vlerësuese me nënshkrimet e komisionit dhe me numër të protokollit 7018 të datës 19.12.2019 dhe me numër protokolli 2647 të datës 14.06.2021, si dhe kopjen e faqes së parë të punimit të dorëzuar nga vet konkurrentët me titull: Challenges of Soil Resource Protection: A Case Study from Sitnica River Basin (Kosovo).

Publikisht ftoj organet e ndjekjes që të hetojnë këtë rast dhe të japin fjalën e fundit të një shteti ligjor. Unë jam plotësisht i gatshëm që të bashkëpunoj?

Po e mbylli këtë letër me thënien e Eskilit “Është në natyrën njerëzore ta shtypin akoma më shumë të shtypurin”.

Dr. Arsim Nuli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat