Kryeministri shqiptar, zvogëlim apo thellim i ksenofobisë?!

Opinione

Kryeministri shqiptar, zvogëlim apo thellim i ksenofobisë?!

Nga: Hajrullah Hajdari Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 14:22
Hajrullah Hajdari

Çështjet etnike, kur bëhet fjalë për identitetin dhe integrimin e kombësive e sidomos kur bëhët fjalë për marëdhëniet ndëretnike, janë çështje shumë të ndjeshme.Posaçërisht ndjesia e marëdhënieve etnike është e shprehur në shtetet e Ballkanit ku çështjet etnike dhe marëdhëniet ndëretnike pothuajse në vazhdimësi e kanë rënduar dhe po e rëndojnë jetën shoqërore dhe ate politike.

Në këtë aspekt çështja shqiptare, edhe pse populli më i vjetër në Ballkan, paraqet një ndër çështjet më të rëndësishme të kësaj natyre, sidomos në Mal të Zi, ku dominon kombësia sllave ndërsa shqiptarët autekton janë enti më e vogël. Në rastin kur etnia më e madh mbizotëron mbi etninë më të vogël, në këtë rast shqiptarët, ata asnjëherë nuk kanë qenë faktor i destabilitetit në Mal të Zi. Përkundrazi, ata e kanë ndihmuar stabilitetin e Malit të Zi. Shqiptarët votuan pro pavarësisë së Malit të Zi dhe besuan se, në bazë të parimeve demokratike si kombësi e veçantë në Malin e Zi të pavarur, do t’u mundësohet realizimi i të drejtave të tyre kombëtare më shpejt dhe në një nivel më të lartë se deri atëherë. Problemet themelore të shqiptarëve në Mal të Zi janë identifikuar në Planin e veprimit për strategjinë e zhvillimit të politikave të popujve pakicë (2019-2023), por sa ato zbatohen në praktikën e përditshme të jetës shoqërore-politike është çështje tjetër.

Në bazë të hulumtimit të kryer nga Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njjeriut (CEDEM) në vitin 2019, të drejtat e shqiptarëve si popull pakicë në Mal të Zi, janë respektuar në përqindje si vijon:

Image

Në bazë të njëjtit hulumtim të drejtat e pakicës romëve janë respektuar në masën 41,4%, të myslimanëve 74,2% ndërsa boshnjakëve 64,8%. Pra, shqiptarët gjenden në shkallën më të ulët të respektimit të të drejtave të popujve pakicë në Mal të Zi, apo në një distancë etnike shumë të pavolitshme. Distanca etnike, në të vërtetë paraqet dëshirueshmërinë e vendosjes së marëdhënieve të caktuara me grupe të caktuara etnike.

Për të vërejtur distancën etnike të popullit shumicë në Mal të Zi, pra të malazezëve, ndaj shqiptarëve, si pas burimeve të përmendura po përmendi vetëm disa marëdhënie nga jeta e përditshme të cilat përcaktojnë distancën etnike ndaj shqiptarëve.

Image

Nga rezultatet e paraqitura kuptojmë se distanca etnike e malazezëve ndaj shqiptarëve është në nivel shumë të lartë. Është shqetësuese, përveç të tjerave, mosdëshira e malazezëve që një shqiptar ta ketë udhëheqës në punë e sidomos që një shqiptar të ketë pozitë udhëheqëse shtetërore (46,8%). Kjo distancë është edhe më e thellë në marëdhënien e popullit serb në Mal të Zi ndaj shqiptarëve. 84% të popullsisë serbe në Mal të Zi nuk dëshirojnë që shqiptari të ketë pozitë udhëheqëse shtetërore. Nga ana tjetër vetëm 2,2 % e shqiptarëve nuk dëshirojnë të jetojnë në të njëjtin shtet me malazezët apo vetëm 5,9% nuk dëshirojnë që bashkëpunëtor në punë të kenë malazezin.

Pse është kështu!?

Në kohërat më të hershme, në një nivel më të ulët të zhvillimit ekonomik dhe kulturor ishte e pranishme dukuria e luftimit të pranisë së të huajve, sepse ata tjerët (të ardhurit) përceptoheshin si qenie jo të pastra, prania e të cilëve rrezikon një komunitet të idealizuar si të pastër dhe duhet ruajtur nga ndotje të mundshme. Kjo dukuri quhet “ksenofobi”. Fjala “Ksenofobi” rrjedh nga greqishtja e vjetër që do të thotë “frikë nga të huajt” gjegjësisht “ksenofob” është ai që urren çdo gjë të huaj, që nuk pranon asgjë të huaj dhe e hedh poshtë ose e mohon atë fare. Pra, është një virus që le pasoja në marëdhëniet shoqërore-politike. Po cilët janë të huaj në Mal të Zi !? Shqiptarët jo se jo, sepse prania e tyre në këto troje shumë shekuj para Krishtit apo epokës së re është dokumentuar shkenctarisht. Ndërkaq dyndja e sllaveve në këto troje ka ndodhur pas shekullit të IV të të epokës së re.

Shumë ekspert ndajnë mendimin se “ksenofobia” është komponentë e nacionalizmit ekstremist, shovenizmit dhe racizmit dhe se ky fenomen nuk mund të ndahet krejtësisht nga rrethanat kombëtare, politike, ekonomike, kulturore. Në rastin tonë, “ksenofobia” vjen si rezultat i paragjykimeve, racizmit, jotolerancës dhe diskriminimit dhe të gjitha këto paraqesin shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndryshimet në kulturë, traditë e më në fund edhe në histori kanë ndikuar veçanërisht të malazezët që të lidhen ngusht me idealin e tyre të vlerësimit të vetës ndaj të tjerëve dhe kështu vazhdimisht, së paku në 145 vitet e kaluara, kanë bërë rolin e ksenofobit. Ndërkaq, shqiptarët kurrë nuk e kanë shprehur këtë fenomen të dëmshëm shoqërorë. Kur malazezët okupuan Ulqinin, nuk gjetën asnjë malazias aty. Pas vendosjes së malazezëve në Ulqin, shqiptarëve shumicë nuk u pengoi që malazezët t’i trajtojnë si qytetarë të barabartë, madje u mësuan edhe zanatin e peshkimit, tregtinë e shumë të tjera dhe asnjëherë nuk shprehen urrejtje rracore ose fetare ndaj tyre.Kështu është edhe sot! Shqiptarët asnjëherë, me asnjë veprim të tyre, nuk u krijuan malazezëve ndjesinë e pasigurisë e aq më pak u dhanë shkas që t’i konsiderojnë si armiq të mundshëm të tyre.

Edhe në Evropë mund të vërehet fenomeni i ksenofobisë, por shumë më pak i theksuar për shkak të ndryshimeve të vogla në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor. Si rrjedhojë, në Evropë nuk ekzistojnë qeveri ksenofobe, por ekzistojnë popuj, si në rastin e shteteve ballkanike, pra edhe në Mal të Zi, që detyrojnë qeveritë e tyre të jenë ksenofobe. Nga të gjitha veprimet e qeverisë së Malit të Zi ndër vite, dhe shprehjes së popullit malazez, e veçanërisht atij serb në Mal të Zi në marëdhënie me popullin shqiptarët dukuria e “ksenofobisë” nuk mund të ndahet, ajo është e ndërlidhur. Rrjedhat politike në Mal të Zi, sikur po shkojnë në një drejtim të kundërt të kuptimit të fjalës “ksenofobi “, gjegjësisht në drejtimin e zbutjes së saj. Me shumë gjasa kryetari i Qeverisë së Malit të Zi do të jetë një shqiptar (Dritan Abazi). Pra, ai do të ketë atë pozitë shtetërore të cilën nuk e dëshirojnë 46,8% të malazezëve dhe 84% të popullsisë serbe në Mal të Zi, që i bie se afër 2/3 të popullsisë së Malit të Zi nuk e dëshiron një shqiptar në krye të qeverisë së tyre.

Nuk ka asnjë dyshim se ksenofobia është një reagim që nxjerr në dukje kontradiktat e një shoqërie gjithnjë e më të shpërbërë dhe të paqartë. Kam përshtypjen se globalizimi, kriza ekonomike vështirësitë e jetës së përditshme dhe të papriturat mund të kenë ndikuar pozitivisht në perceptimin se vetëdija e identitetit personal arrihet në dialogun me tjetrin. Dialogu është pazëvendësueshëm, sepse mundëson çmontimin dhe shkatërrimin e ksenofobisë. Sa është e gatshme shoqëria malazeze për një reflektim të tillë!?

Nëse në mënyrë të qetë një shqiptar vjen në krye të Qeverisë, atëherë mund të konstatojmë se ky reflektim do t’i mundësojë popullit malazez dhe politikës së saj të besojnë se shqiptarët duhet të përceptohen si qenie e pastër autoktone, nga të cilët nuk kanë nevojë të mbrohen dhe prania e të cilëve nuk e rrezikon qenien malazeze. E kundërta e kësaj do të thotë thellimi i veprimit dhe ndjesisë ksenofobe.

Pavarësisht se Dritani si kryeministërnuk vjen si përfaqësues i shqiptarëve (i partive politike shqiptare) zvogëlimi i ksenofobisë malazeze ndaj shqiptarëve do të jetë kryekëput meritë e tij personale, siç mund të jetë edhe përgjegjësi e tij nëse ksenofobia thellohet edhe më tepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat