Ngritja e çmimeve të artikujve ushqimor: Ku janë rezervat e shtetit të Kosovës?!

Opinione

Ngritja e çmimeve të artikujve ushqimor: Ku janë rezervat e shtetit të Kosovës?!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 10 mars 2022 Në ora: 16:29
Ismail Muqiqi

Lufta në Ukrainë dhe turbulencat që po ndodhin në gjithë planetin tonë kanë shkaktuar shqetësime dhe pasiguri tek qytetarët të cilët nga frika, dhe paniku kanë filluar të grumbullojnë rezerva të ushqimit dhe artikujve tjerë të nevojshëm jetësor. Me shekuj burrat e mençur dhe të sprovuar të kombit shqiptar kanë konstatuar “Se luftën e fitojnë ata të cilët e kanë të siguruar bukën”. Në kohën në të cilën po jetojmë padyshim se është goditur rendi botëror dhe siguria globale e njerëzimit. Për shkak të kësaj situate shtetet rreth Kosovës në mënyrë urgjente morën vendime që të ndërprejnë eksportimin e mallrave përkatësisht të grurit ,misrit, vajit, derivateve të naftës, dhe artikuj tjerë të cilët paraqesin interesin jetik për qytetaret dhe shtetin.

Anashkalimi i situatës politike dhe të sigurisë në lidhje me situatën në Ukrainë dhe për rreth saj ka krijuar pasiguri sociale, dhe ekonomike, pothuajse tek qdo familje në Kosovë dhe më gjerë. Kështu brenda javës të gjithë artikujt ushqimor u ngritën në mënyrë të jashtëzakonshme. Preokupimi i qytetarëve për të siguruar bukën është i pranishëm pothuajse në çdo familje. Në shumë dyqane tregtare dhe në super markete të mëdha qysh sot ka filluar të ndihet mungesa e miellit, vajit, dhe artikujve të nevojshëm jetësor. Nëse i kërkojmë shkaktarët që e sollën Kosovën në shtet të importit të mallrave përgjigjja është e saktë: papërgjegjësia e institucioneve të shtetit të partive politike që ishin në qeverisje, e të cilat në mënyrë abuzive e keqpërdoren pronën shoqërore dhe asetet e qytetarëve. Kështu toka e bukës pjellore gjithandej Kosovës nuk u ruajt por ajo u shndërrua në kantiere të betonit, të ndërtesave pa plan rregullativ dhe të depove të magazinave të ndryshme të mallrave tregtare. Kjo ndikoi që të zvogëlohen sipërfaqet e tokës bujqësore dhe kështu Kosova nuk po arrin t’i përmbush nevojat me drithëra përkatësisht me grurë. Këta pseudopatriotët e luftës ja morën Kosovës me qindra e qindra hektarë tokë për ti kthyer në pronë private për interesat e tyre.

Dikur Kosova kishte fabrikën më moderne të vajit të lule diellit në Ferizaj e cila i përmbushi nevojat e tregut Kosovarë por e njëjta u shit apo u privatizua në mënyrën më të egër. Pak kush ose fare nuk i dihet pronari i vërtetë apo mënyra e kontrabandandimit te saj. Kështu sot shteti i Kosovës nuk e ka asnjë fabrikë për finalizimin e vajit për ushqim. Kosovës në këto ditë të vështira kur çmimet e kanë marr malin, i mungojnë edhe rezervat e mishit të cilat duhet t’i ketë çdo shtet normal. Kosovës i mungon industria e bukës e cila në situata krize apo lufte duhej të siguroj bukën për nevojat e popullsisë, të ushtrisë, policisë dhe të mekanizmave tjerë shtetëror. Kosovës i mungon edhe fabrika e qumështit e cila duhej të ishte gjithmonë e gatshme për t’i përmbush nevojat e vendit. Askush sot nuk mirret me renovimin e mullive që punojnë me ujë e të cilët gjatë luftës së fundit në Kosovë e shpëtuan popullsinë gjithandej katundeve duke bluar grurë apo misër për ta shpëtuar jetën. Këto duhej të ishin detyra dhe obligim i çdo shteti për ta mbrojtur standardin dhe mirëqenien e popullsisë.

Andaj të gjitha këto dështime që i kanë ndodh Kosovës për shkak të papërgjegjësisë, të mos dijes dhe keqpërdorimeve të njerëzve që udhëhiqen me shtetin kanë emërues të përbashkët e këto janë garniturat e politikës të cilat që nga pas lufta punuan për tu pasuruar për interesat e tyre, për familjet dhe klanet e tyre të cilat i sollën dëme vendit dhe popullit. Turri i disa individëve të cilët ishin në krye të politikës shtetërore vite me radhë të cilët tani po derdhin lot krokodili për fatin e qytetarëve nuk është asgjë tjetër përpos demagogji dhe pafytyrësi veprime këto të cilave nuk ju bëjnë përshtypje askujt.

Në fund po theksojmë se shteti në këto ditë të vështira kur po rrezikohet standarti i çdo familje në Kosovë ka obligim të intervenojë me instrumentet dhe mekanizmat në dispozicion duke mbrojtur standartin përmes rezervave të shtetit nëse ekzistojnë. E kjo edhe përmes intervenimit direkt me mjete financiare përmes skemave ekzistuese në kuadër të ministrisë për mirëqenie sociale dhe mekanizmave tjerë shtetëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat