Sa respektohet gjuha standarde shqipe në televizionet e Kosovës?

Opinione

Sa respektohet gjuha standarde shqipe në televizionet e Kosovës?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 24 prill 2022 Në ora: 09:47
Xhavit Kryeziu

Shkas për këtë shkrim u bë Rron Gjinovci, kryetar i ORCA-së, i cili ditë më parë iu paska drejtuar Rrahman Jasharit, kryetar i SBASHK-ut, se, citoj: "as ti vetë (Rrahman Jashari) nuk e di drejtshkrimin e gjuhës shqipe njësoj siç nuk e dinë edhe shumica e mësimdhënësve të tu"!

Para se ta kritikosh dikë për mosdije duhet të jesh i bindur se ti vetë di më mirë sesa ai që kritikon, apo jo?

Se Rron Gjinovci është "më i zi" se të tjerët mund të dëshmohet lehtë përmes paraqitjeve të tij në televizionet tona (mjerisht, edhe më "të lodhta" se vetë ai), në të cilat kultivohet gjuha e rrugës, e jo gjuha standarde shqipe, siç është miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në Tiranë, në vitin 1972. Se edhe drejtshkrimi i Rron Gjinovcit është i përmasave katastrofale mund të dëshmohet përmes postimeve të tij në Facebook. Për më tej, se edhe shumica absolute e kolegëve të tij nuk janë hiç më të mirë se vetë ai, mund të shihet qartë pi ashtu në të gjitha televizionet kosovare në të cilat paraqiten Rron Gjinovci dhe të tjerët si ai.

 

Vallë, a i shikon ndonjëherë Rron Gjinovci  dhe të tjerët si ai televizionet e Shqipërisë, në mënyrë që të binden se nuk janë "në tokën e bukës" sa i përket njohjes së gjuhës standarde shqipe?! Apo nuk i shikojnë fare TV-të e Shqipërisë sepse, thjesht, nuk e kuptojnë shqipen "e tyre"?!

Nuk është turp të pranosh që nuk di. Nëse psh. Ramiz Lladrovci, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, në një rast ka pranuar vetë se nuk e kishte kuptuar aspak "shqipen" e Shqipërisë, dhe nëse Rron Gjinovci ka turp ta bëjë të njëjtën, atëherë ai e ka më mirë të hesht sesa ta zbulojë mosdijen e vet.

Përpara se të kritikojë, Rron Gjinovci mund dhe duhet ta mësojë gjuhën standarde shqipe nga televizionet e Shqipërisë, e jo nga televizionet e Kosovës, nëse nuk e ka mësuar nga mësimdhënësit të cilët ai i kritikon. Televizionet e Kosovës, për fat të keq, kultivojnë gjuhën e rrugës, e jo gjuhën standarde siç duhet ta bëjnë dhe janë të obliguar ta bëjnë. Pse nuk e bëjnë këtë? Sepse Televizionet e Kosovës udhëhiqen nga drejtorë, gazetarë e lektorë mediokër, të cilët realisht nuk mund të japin më shumë sesa japin. Kaq është kapaciteti dhe afiniteti i tyre. Mjerisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat