Politika kontradiktore në Luginën e Preshevës

Opinione

Politika kontradiktore në Luginën e Preshevës

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 12 qershor 2022 Në ora: 14:43
Nexhmedin Saqipi

Që nga orët e para të sistemit pluralist e këndej, spektri politik shqiptar në Luginë të Preshevës, ka përzgjedhur rrugën institucionale të zgjidhjes së problemeve me mjete politike. Kjo rrugë u trasua nëpër dekada të ndryshme deri në ditën e sotme, duke mos treguar rezultate konkrete, qoftë nga mënyra e qasjes së problemeve, qoftë nga mungesa e një uniteti të skenës politike, e cila edhe tani vuan nga përçarjet, ndasitë, urrejtjet etj.

Krijimi i shumë partive politike në Luginë të Preshevës, nuk tregoi një kulturë politike, por përkundrazi rezultoi me humbje të mëdha në aspektin politik, ekonomik, social, kulturor, arsimor e kështu me radhë.

Organizimi i Referendumit të vitit 1992, për bashkim me Kosovën, Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, i gjeti shqiptarët e Luginës së Preshevës me dy-tri parti politike, ndërsa pas zgjedhjeve të para demokratike të vitit 2002, numri i partive politike u shtua si kërpudhat pas shiut.

Ky shumim partiak lëre që e katandisi skenën politike shqiptare, duke e grupizuar e çorientuar deri në ekstremitet, por edhe e ndihmoi Beogradin, që përmes përçarjeve t’i shpartalloj ata në mendime dhe qëndrime politike, të cilat pastaj kalonin në kontradikta.

Reciprociteti

Politika kontradiktore në Luginën e Preshevës filloi me qasjen se shqiptarët duhet të kërkojnë reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës, çka solli pasoja të papara në qarkullimin ndërkufitar dhe një varg problemesh të tjera të natyrës politike dhe ekonomike.

Askush nga skena politike nuk e kontestonte reciprocitetin, por askush nuk e analizonte këtë qasje kontraverze, ngase rruga politike joinstitucionale e serbëve të Kosovës, nuk përkonte me rrugën politike që ndiqnin shqiptarët e Luginës.

Në këtë rast politika e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk mundej të krahasohej me politikën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, për disa arsye. E para serbët e Kosovës nuk i binden kryeministrit Kurti e as që e njohin për kryeministër të tyre, i injorojnë institucionet shtetërore, kanë krijuar sisteme paralele dhe nëpër godina valojnë flamuj të shtetit serb dhe askush nuk i gjobit dhe arreston për këto veprime. E dyta serbët e Kosovës veprojnë sipas urdhrave të Beogradit dhe zhvillojnë politikën e subjekteve politike me qendër në Beograd.

Këto shembuj tregojnë qartë se reciprociteti është i pamundur derisa të mos hiqen dilemat kontraverze në Luginë të Preshevës. Kryeministri Kurti nuk mund të luaj rolin e presidentit Vuçiq, ngase nuk e ka të formuar në Luginë të Preshevës partinë e Vetëvendosjes, nuk i financon shkollat, institucionet kulturore etj. Ai, mund të ndihmoj me ndonjë donacion ndonjë udhëtim për lobim të politikanëve të Luginës, ose ndonjë ndihmë të përkohshme, të cilat nuk gëzohen nga qytetarët, por nga klasa politike.

Mbi të gjitha, kjo politikë kontradiktore në Luginë të Preshevës, ka arritur të përçaj dhe varfëroj më shumë shqiptarët, t’i degradoj veprimet politike dhe t’i përligj aksionet e Beogradit, qoftë përmes pasivizimit të vendbanimeve, shlyerjen nga regjistrat e gjendjes civile, shlyerjen nga regjistrat e votuesve, mosintegrimin në institucionet shtetërore, largimin e të rinjve nga ky rajon e presione të tjera, të cilat po zhvillohen në heshtje e që kanë pasoja të pariparueshme në të ardhmen.

Injoranca

Nën hijen e injorancës së disa politikanëve në Luginë të Preshevës, të cilët kësaj politike ia kanë parë hajrin në aspektin partiak e familjar, qoftë me pavetëdije apo qëllimisht, kanë krijuar huti e defetizëm në klimën politike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sot, mjerisht, mund të themi se nuk kemi një qasje parimore në zgjidhjen e problemeve, me një fjalë nuk dimë çka kërkojmë, a jemi për bashkim me Kosovën, apo integrim me Serbinë?! Me një anë kërkojmë me ngulm përfaqësim në parlamentin republikan, në anën tjetër kërkojmë bojkotim të këtyre proceseve zgjedhore.

Politika e stilit tërhiq e mos këput, na ka sjell në një derexhe e cila na ka shkatërruar shpirtërisht e materialisht. Është keq ndoshta të thuhet se në komunizëm kemi qenë më mirë se sot. Përveç censurës, shqiptarët në Luginë kanë qenë më të përfaqësuar e më faktor se sot. Kanë qenë të punësuar nëpër fabrika, shkollat kanë qenë të stërmbushura me nxënës, bashkësitë lokale e xhamitë ishin plot me njerëz. E sot të gjitha për fat të keq janë përgjysmuar me rrezik të mbeten pa njerëz si Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe Medvegja.

Nëse kështu vazhdohet kot politikanët tanë na i sigurojnë librat kur s’kemi nxënës, kot na zgjidhin problemin e simbolit kombëtar, kur s’ka kush ta gëzoj, kot i asfaltojnë rrugët kur s’ka njerëz që qarkullojnë, kot na zgjidhin problemin e dygjuhësisë kur s’ka kush të flas e të shkruaj etj.

Ndërmjetësimi

Nëse vazhdohet kështu me politikën kontradiktore, në një të ardhme jo të gjatë në Luginë të Preshevës, do të reduktohet numri i partive politike, për shkak zvogëlimit të numrit të votuesve. Po qe se nuk ndryshon qasja ndaj problemeve me pragmatizëm, duke u liruar nga turbo folklorizmi dhe interesat personale, shpejt do ta kujtojmë Bujanocin në ëndrra e legjenda si Medvegjën, e Presheva pa këto dy komuna do të jetë si një trung pa dega.

Ndërmjetësimi i faktorit politik shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë është i mirëseardhur në tejkalimin e kësaj situate, me një politikë të mençur, të urtë dhe parimore, jo me tendenca të nxitjes, provokimit dhe hakmarrjes ndërshqiptare.

Në këtë drejtim është me rëndësi që skenës politike t’i kthehen kuadrot me përvojë, si ajo e personalitetit të Riza Halimit, për të cilin kur kishte ngërç politik në Preshevës mediat e atëhershme shkruanin “Daj Rizu da smirimo krizu!” (Lene Rizën ta qetësoj krizën!). Pra, nuk kishte nevojë të vinin në Luginë emisarë e pleqnarë për pajtimin e politikanëve, kur ata gjendeshin në mesin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat