Dëshmori i lirisë Kolë Mirdita, meteor i gurëve të kufirit shqiptaro-shqiptar

Opinione

Dëshmori i lirisë Kolë Mirdita, meteor i gurëve të kufirit shqiptaro-shqiptar

Nga: Mikel Gojani Më: 9 korrik 2022 Në ora: 09:47
Kolë Mirdita

Në ditën e sotme, para 24 vjetëve, në kufirin shqiptaro-shqiptar, ndërsa sjelltë armë nga Shqipëria për ta çliruar Kosovën nga robëria serbe, në vendin e quajtur Rrasa e Gurit, në altarin e kombit, për t’mos rënë Kosova, vertikalisht ra dëshmorit i kombit Kolë Ndrecë Mirdita, për të gjallë të tij duke i siguruar vetes pavdekësinë.

Kolë Ndrecë Mirdita ishte ndër shumë djem të Kosovës dhe të Shqiptarisë që ra për lirinë e tokës së tij.

Vdekja për atdhe është një vdekje e bukur, është një e bukur e dhimbshme, mirëpo edhe krenare. Bijat dhe bijtë tanë më të shtrenjtë, të cilët bënë këtë akt kaq të madhërishëm nuk i munguan asnjëherë kësaj toke.

Kolë Ndrecë Mirdita ishte ndër shumë djem të Kosovës dhe të Shqiptarisë që ra për lirinë e tokës së tij. Trimat si dëshmori i kombit Kolë Mirdita, të cilët bien në fushë të nderit, pas vete lënë gjurmët, lënë emrin, lënë këngën dhe dashurinë e pashuar që valëvitet nëpër kujtime brezash. Ata nuk vdesin. Përjetësohen dhe shndërrohen në një trajtë tjetër dhe mbëltohen thellë në historinë e kombit për të mbetur rrezatues lirie e përjetësie.

Kështu që, emri i dëshmorit të kombit Kolë Ndrecë Mirdita, paraqet një personalitet që për asnjë çast nuk është shkëputur nga veprimtaria e tij patriotike dhe, jeta e vepra e tij sublimojnë sakrificën dhe vizionin për lirinë e këtij populli për të mbetur kujtim i pashuar.

Dëshmori i kombit Kolë Ndrecë Mirdita ishte udhërrëfyes i çështjeve kombëtare. Ndryshonte nga të tjerët, ngase ishte simbol i moralit të lartë. Virtytet e tij të larta e morale stolisin shpirtin e tij. Ai, i shpërndante të gjitha virtytet dhe vlerat e larta morale, ndërsa i urrente dhe i gjykonte vetitë dhe dukuritë negative e jonjerëzore. Ndër vetitë kryesore të Kolës ishin, sinqeriteti, vendosmëria, bujaria, trimëria, pathyeshmëria, modestia, besnikëria etj.

Kola ishte i vendosur dhe i pakompromis në zbatimin e misionit të tij kombëtar. Ai sfidoi errësirën kohore me durim e dinjitet të lartë njerëzor, duke mos e humbur asnjëherë shpresën në ngadhënjimin përfundimtar të çështjes shqiptare dhe të mirëqenies mbarënjerëzore në përgjithësi.

Ishte dhe mbeti legjendë e gurëve të gjakosur me dekada të kufirit shqiptaro-shqiptar.

I lindur e i rritur në Lugun e Drinit epik, në Lugun e Drinit të luftërave të përgjakshme për liri, në Lugun e Drinit të burrave me zë, të pushkës e të mendjes, të trimave historikë e legjendarë, të këngës e poezisë; ai qysh në rini ishte ushqyer me substancën e shpirtit të kombit të tij. Personalitetin e tij prej një atdhetari dhe patriotit të devotshëm më vonë e çelikosi me idealet e burrave tanë historikë, besnikë të gjakut të derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, besnikë të porosive të mëdha dhe të çmueshme të etërve të kombit tonë, të rilindësve tanë, mesazhet e të cilëve shërbyen si udhërrëfim.

Figura e dëshmorit të kombit Kolë Ndrecë Mirdita është figurë e madhore. I madh është edhe emri dhe vepra e tij. Çdo fjalë, çdo shkrim për këtë dëshmor të kombit është në miniaturë. Ai mbeti legjendë e Lugut të Drinit, Legjendë e Dukagjinit, Legjendë e Kosovës, Legjendë e Gjallë. Legjendë për aktin më sublim që bëri. Ishte dhe mbeti legjendë e gurëve të kufirit shqiptaro-shqiptar. Shkulja e atyre gurëve ishte ëndërrim. Dhe, deri në heqjen e tyre trupi i tij bëri roje nderi. Ishin edhe shumë të tjerë që shoqëronin Kolën, të cilët ngjanin portreteve diellore.

Emri i këtij dëshmori u skalit në historinë më të re të kombit tonë. Ishte i dalluar në jetë. Karakteri i tij i veçantë e dallonte atë nga të tjerët. Edhe vetë Zoti e dalloi. E mori për vetë përgjithmonë për ta (ri)ngjallur.

Vendlindja e tij, Lugu i Drinit dhe Kosova janë krenarë me emrin e këtij dëshmori. Emri i tij madhëroi tërë krahinën e Lugut të Drinit, të shumë burrave bujarë dhe trimave të lavdishëm. Kola vendit të tij ia ka ndritur fytyrën edhe më shumë se kurdoherë gjatë historisë.

Kola Mirdita ra për t’u përjetësuar. Ra në Kufi më 9 korrik të vitit 1998. Dy vite eshtrat e tij qëndruan te ata gurët e frymëzimeve të shumta. Dhe, pas dy vitesh, u riqtdhesuan në vendlindjen e tij për t’u prehur në qetësinë e amshuar. Edhe Nënë Grisha, edhe babai Ndreca, edhe vëllezërit, e motrat… qëndruan të fortë. Dëshmonin se janë të fortë dhe me shpirt titaniku. Gjenin forcë t’i bëjnë ballë dhembjes dhe lotit, që buronte nga shpirti i tyre për humbjen e më të dashurit të tyre.

Populli i Lugut të Drinit dhe i Kosovës, në shenjë kujtimi për ta rilindur atë në këtë vend ku gjendemi lartësoi këtë lapidar, i cili qëndron krenar dhe ngërthen simbolikë të veçantë dhe bashkë me mesazhin poetik: “Kosova – është gjaku im që nuk falet”, vargje këto të poetit të mirënjohur bashkëkohor Ali Podrimja.

Emri i këtij dëshmori të kombit sot qëndron metaforë e fuqishme edhe në vargjet e shumë poetëve dhe të rapsodëve të mirënjohur të Kosovës e të Shqipërisë, vargje këto që e bëjnë të pavdekshëm jetën dhe veprën e tij.

Për dëshmorin e kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, populli i këndoi dhe i këndon këngë, poetët i krijuan vargje, krijuesit shkruan libra për figurën e tij të ndritur do mos lejuar që emrin e tij të mos e mbuloi pluhuri i kohës as ndryshku i harresës. Deri me tash për Kolën janë shkruar tri libra: “Mirdita për Kolë Mirditën” (2019), nga kulturlogu dhe publicisti i mirënjohur nga Mirdita, Gjergj Marku, pastaj dy veprat tjera me tituj tematikë: “Kolë Ndrecë Mirdita” 2003 dhe “Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” (2013).

Ky dëshmor kombi po ashtu për meritat dhe sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës, në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës së Kosovës u dekorua me çmimin “Urdhri i Kosovës”; po ashtu në vitin 2018 Bashkia e Mirditës – Shqipëri, e laureoi me çmimin “Stema e Artë” etj.

Dëshmori i kombit Kolë Ndrecë Mirdita ishte dhe do të mbetet nderi dhe krenaria e kombit. Ishte shembull i atdhetarit ideal që shërben për brezat e tashëm dhe për ata që do të vijnë pas nesh.

Pra, për ndërtimin e paqes në Kosovë përveç gjakut të shumë dëshmorëve të kombit ka pjesë edhe gjaku i Kolë Mirditës. Në ndërtimin e kësaj paqe ka marrë pjesë dhe po merr pothuajse edhe e gjithë bota paqedashëse, që kjo provë e demokracisë të krijohet në fitore të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës. Ky ishte edhe qëllimi final i martirizimit i këtij dëshmori të lirisë dhe i gjithë dëshmorëve të tjerë.

Liria na jep ngushëllimin për të ecur rrugës së tyre për ta bërë Kosovën të bukur ashtu siç deshën ata. Moto e veprimtarisë së Kolës ishte po ky ideal. Pra, qëllimi jetësor i këtij dëshmori të lirisë ishte liria dhe therorizimi për atdhe. Këtu krijoi imazhin e portretit të njeriut që me aktin e flijimit për lirinë e Kosovës sublimoi dhe e bëri më madhështor qëllimin jetësor të tij.

Kjo vepër madhështore e bën emrin e tij të mos vdes kurrë. Ditëlindja e tij dhe dita e rënies janë data historike për kombin tonë.

Gjithë jetën dëshmori i lirisë Kolë Ndrecë Mirdita ia kushtoi çështjes kombëtare. Emri dhe veprimtaria e tij kujtohen me respekt në Lugun e

Drinit, në Kosovë dhe në mbarë hapësirat shqiptare.

I rrallë e i veçantë ishte martirizimi i Kolës.

Më lejoni që nga ky homazh të përcjell një propozim që besoj është shumë me vend dhe tepër meritor që një bust i këtij dëshmori të kombit, birit të lokaliteti dhe ish-nxënësit të shkollës sonë, krahas bustit të Atë Shtjefën Gjeçovit të lartësohet në bronz edhe busti i këtij Heroi të Kombit dhe nxënësit të kësaj shkolle, Kolë Ndrecë Mirdita, në mënyrë që këto dy figura të ndritura dhe të martirizuara të shkollë dhe të kombit të shërbejnë frymëzim për brezat.

Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit Kolë Ndrecë Mirdita dhe gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës.

Zllakuqan, 9 korrik 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat