Përse u thirrë në bisedë ambasadori suedez në MPJ të Bjellorusisë?

Opinione

Përse u thirrë në bisedë ambasadori suedez në MPJ të Bjellorusisë?

Nga: Xhavit Çitaku Më: 14 korrik 2022 Në ora: 11:12
Xhavit Çitaku

Bjellorusia ka thirrur ambasadorin e Suedisë në Minsk për të organizuar një protestë zyrtare për arsye se dy burra bjellorusë që ishin fshehur në ambasadë për më shumë se një vit e gjysmë më në fund arritën të largoheshin nga vendi dhe shi për këtë Suedia akuzohet se i kishte nxjerrë jashtë duke i kontrabanduar. Ambasadorja Christina Johannesson u thirr të hënën, raportojnë mediat shtetërore bjelloruse dhe ruse. Aty thuhet se ajo ka marrë një lloj note proteste formale. “Në funksion të hapave jomiqësorë të ndërmarrë nga Stokholmi zyrtar, kreu i ambasadës suedeze është informuar për masat që Bjellorusia ka marrë në lidhje me ambasadën dhe punonjësit e saj”, njoftoi Ministria e Jashtme bjelloruse sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Belta”.

Organet e sigurisë i kërkonin për shkak të pjesëmarrjes në protestat masive

Pak më shumë se një vit e gjysmë, ambasada suedeze në Minsk strehoi dy burra bjellorusë të kërkuar nga aparati i sigurisë bjelloruse. Të dy, babë e bir, kishin marrë pjesë në protestat masive që pasuan rizgjedhjen e manipuluar të liderit Alexander Lukashenko në fund të verës së vitit 2020. Sipas Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë, burrat akuzohen për akte "të njohura universale dhe të rrezikshme shoqërore". Protestat u ndaluan dhe burrat, siç thuhet nga organet e sigurisë, nuk iu kishin bindur urdhrave të policisë. Burrat shpjeguan vendimin e tyre për të kapërcyer gardhin në ambasadën suedeze nga frika se do të burgosen dhe do t'i nënshtroheshin torturave, si shumë të tjerë që kishin marrë pjesë në protesta. Në ambasadë, ata ishin të mbërthyer në një ngërç diplomatik. Nga pala suedeze u konstatua se ata kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në ambientet e ambasadës, ndërkaq në anën tjetër Ministria e Jashtme e Suedisë nuk ka dashur të komentojë se çfarë masash janë marrë.

Babë e bir tashmë gjenden në Letoni

Rreth një muaj më parë u njoftua se këta persona ishin larguar nga ambasada e ruajtur nga afër nga policia dhe organet tjera të sigurisë. - Dy personat që qëndruan ilegalisht në zonën e ambasadës suedeze në Minsk kanë zgjedhur vetë të largohen nga zona e ambasadës, tha për Agjencinë shtetërore të lajmeve “ TT” Staffan Fjellander në zyrën e shtypit të Ministrisë së Jashtme, pa dhënë detaje të mëtejshme. Burrat thuhet se u fshehën në një makinë ambasade dhe u dërguan në një spital në një qytet aty pranë, siç raportohet, ndër të tjera, nga Radio Amerika e Lirë e financuar nga shteti. Më pas ata shkuan në kufirin me Letoninë, ku kërkuan azil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat