Pse meshkujt i perdhunojnë femrat?

Opinione

Pse meshkujt i perdhunojnë femrat?

Nga: Lekë Imeraj Më: 6 shtator 2022 Në ora: 10:24
Lekë Imeraj

Sot, gjithnjë e më shumë po flitet, dhe po përjetohen përdhunime seksuale të femrave nga meshkujt. Madje, edhe të vajzave fëmijë, pa e arritur as moshën dhe as pjekurinë seksuale. Tërbimi seksual mashkullor është bërë aq i rrezikshëm, sa femrat ndjehen të pasigurta në shkollë, në punë, madje edhe në shtëpi, kur janë vetëm, dhe kudo.

Çfarë nënkupton perdhunimi seksual?

Përdhunimi seksual është vetëvendosje e njëanshme për të kryer marrëdhënie seksuale me tjetrin. Një vendim i tillë, është tipik për meshkujt. Kur kryhet një veprim i tillë, pra marrëdhënie seksuale me forcë, apo mënyra të tjera detyrimi, me një person, jashtë vullnetit dhe dëshirave të tij, kemi rastin e krimit të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Në rastet kur personi i sulmuar është i paaftë për të dhënë pëlqimin për arsye të moshës, kemi të bëjmë me marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitur. Një gjë e tillë është edhe në rastet kur i sulmuari, për arsye të gjendjes shëndetësore, fizike apo psikike, nuk është në gjendje të vetëmbrohet. Në raste të tilla, gjykata mendon se krimi është kryer në rrethana të rënduara për kriminelin.

Ligjvënësi ka parashikuar edhe rastin e kryerjes së krimit seksual, pa e prekur fare viktimën.

Psh, ekzibicionizmi (nxjerrja e organeve seksuale me qëllim për t‘ia treguar tjetrit), gjë që është tipike për meshkujt. Krimineli e detyron viktimën, në rastet më të shumta femrën, që jashtë vullnetit të vet, të shikojë organin e tij genital. Kështu është edhe në rastin kur mashkulli e detyron femrën ta shikojë atë gjatë masturbimit, ose e detyron atë që t’ia kryejë masturbimin.

Shumë kriminelë të perdhunimit seksual, mundohen ta justifikojnë veprimin e tyre kriminal, në mënyra të ndryshme.

Dikush thotë se, femra ishte provokuese, ishte veshur seksi me qëllim për të provokuar meshkujt, prandaj nuk u përmbajta dot. Unë nuk kam faj. Dikush tjetër thotë se, viktima ishte shumë arrogante, nuk e duroja dot arrogancën e saj, prandaj e përdhunova. 

Megjithatë kriminelët përdhunues të femrave, bëjnë pjesë në grupe të ndryshe heterogjene. Nuk ka përdhunues, ka tipa të ndryshëm perdhunuesish. Motivet që i shtyjnë meshkujt për të përdhunuar femrat, janë të ndryshme.

Te meshkujt gjendet tipi hiperseksual. Ky tip është i njohur prej shumë kohësh. Në vitin 1830 dy psikiatrit francezë, Esquirol dhe Pinel, e përshkruan hiperseksualitetin si fenomen seksual  të pazakontë te meshkujt, dhe e quajtën  "Erotomanie". Në ditët e sotme, meshkujt që vuajnë nga hiperseksualiteti konsiderohen Don Juanë ose Casanova. Meshkujt hiperseksualë, vazhdimisht mendojnë vetëm për seks, aq shumë sa nuk kanë kohë dhe mundësi të mendojnë për gjëra të tjera jetike. Te meshkujt hiperseksualë, seksi me të njëjtën partnere, e humb shumë shpejt intimitetin. Kontakti seksual është diçka mekanike, nevojë shfryrjeje, asgjë më shumë. Kjo shkakton problem në bashkëshortësi. Për t’a plotësuar nevojën e tyre seksuale,vazhdimisht janë në kërkim të një partnereje të re. Nëse nuk e arrijnë dot, sulmojnë gratë e huaja. Tipa të tillë, zakonisht, veprojnë si „ujqër të vetmuar“ mbi viktimën, por edhe në grup. Çdo femër e vetmuar, pavarësisht nga mosha, nëse është edhe fëmijë, nëse bjen në dorën e tyre, është e rrezikuar.

Meshkujt, në përgjithësi, vuajnë nga ndjenja e pushtetit dhe dominancës mbi femrën. Ata mendojnë, nëse femra nuk pranon vullnetarisht të „shalohet“, atëherë perdhunimi seksual, është mjeti më i mirë për t’ia ulur kokën. Sipas tyre, poshtërimi i femrës, është mjeti më i mirë për t’a pushtuar atë.

Krahas tipit dominant, është edhe tipi tjetër, ai urryes i seksit femër. Tipa të tillë sillen me shumë agresivitet dhe tërbim ndaj grave, pa përjashtim nga mosha dhe pamja. Nuk mendojnë një viktimë konkrete, të gjitha gratë duhet të jenë viktima, të dhunimit dhe përdhunimit. Ky fenomen shfaqet në kulturat ku gruaja mendohet burimi i të gjitha ligësive. Si e tillë, duhet dhunuar, përdhunuar, madje edhe vrarë. Eshtë principi i femicidit. Ky fenomen, sot është shumë i njohur dhe i rrezikshëm në kulturën islame.

Filozofi egjiptian, Hamed Abdel Samad, thotë: „Jam egjiptian, nga vendi ku dhuna seksuale mashkullore mbi gratë ka arritur masën e padurimit, dhe kjo për faktin, se ky fenomen, në fillim ose u hesht me qëllim ose u mendua i parëndësishëm.

Për një mysliman besimtar, është e ndaluar që të prek një grua të huaj, madje, edhe kur është e fejuara e vet. Myslimanëve besimtarë të vërtetë, u ndalohet që t’i japin dorën një gruaje. Salafistët në Egjipt, mendojnë se, një burrë nuk duhet të ulet në ulësen e autobusit, ku sapo ishte ulur një femër, pasi që, ngrohtësia e trupit të saj, mund ta ngacmojë atë seksualisht. Ky moral i ashpër seksual, ky absolutizim, dhe ky apartheid gjinor, shpesh sjell të kundërtën. Një kulturë që e konsideron gruan si pronë të burrit, dhe si një rrezik për moralin e tij, është bashkëfajtore në dhunën ndaj gruas.

Para dyzet vitesh, në Kajro, vështirë se gjendej një grua me shami koke, me burka, jo se jo. Provokime seksuale publike, në atë kohë, thuajse nuk kishte fare. Sot thuajse nuk ka grua të pa mbështjellur, dhe megjithatë, provokohen dhe dhunohen seksualisht, edhe në rrugë. Kjo ndodh në Iran, Afganistan, Pakistan, dhe në shumicën e vendeve të tjerë islame, të cilat qëndrojnë në krye të listës në rang botëror, për dhunim seksual të grave. Edhe në të pasurën Arabinë-Saudite, ky fenomen është përhapur shumë. Mund të mendohet fare thjeshtë për një lidhje të këtij fenomeni, me mbështjelljen e grave dhe provokimeve seksuale. Në linjën e parë, kjo ka të bëjë me hierarkinë dhe me një kulturë, në të cilën gruaja konsiderohet si send, e pavlerë.

Realiteti i botës isalme, është vuajtje dhe morali i dyfishtë në lidhje me seksin. Askund tjetër nuk ka më shumë operacione te vajzat, për riparimin e cipës së dëmtuar të membranës së virgjerisë, nga përdhunimet seksuale, se sa në botën islame.

Tipi përdhunues seksual, me motiv hakmarrjen, është tipi më i njohur dhe më i përhapur në shumë kultura. Ky krim kryhet undividualisht dhe në grup, shpeshherë në grupe masive.

Politologu sirian, Bassam Tibi, thotë: „A ka ndonjë të përbashkët midis sulmeve mbi gratë në Köln, në natën e ndërrimit të viteve (2015/2016), dhe gjendjes në Siri? Përgjigjia është: Po, ka një të përbashkët, dhe kjo e përbashkëta është dhuna kundër grave. Duket se shumë bashkëpuntorë të mi gjermanë, nuk e kuptojnë dhunën kundër grave, në botën islame, si traditë të një kulture orientale-patriarkale. Në Orient, gruaja nuk mendohet si subjekt, por thjeshtë si send që bën pjesë në nderin e burrit. Sulmet mbi gruan, nuk kanë si qëllim vetëm përdhunimin apo ndëshkimin e saj, por në shumë raste, si akt për poshtërimin e burrit të saj, për hakmarrje. Në luftën barbare në Siri, e cila mendohet plotësisht gabim si „luftë civile“ (atje nuk luftojnë qytetarët, por grupe religjione etnike kundër njëri tjetrit), ushtarët shiito-alawitë, përdhunojnë gratë e ushtarve të ushtrisë Siriane dhe të opozitës sunite, si mjete, pjesë e luftës. Alawitët, me përdhunimin e grave të opozitës sunite, mendojnë poshtrimin dhe hakmarrjen ndaj burrave të tyre. Nga ana tjetër, sunitët „rebelë“, bëjnë të njëjtën gjë me gratë alawite. Eshtë një luftë, të gjithë kundër të gjithëve, ku gratë janë viktima të hakmarrjes mashkullore“.

Sot, në trojet shqiptare, ka filuar një propagandë brutale, antinjerëzore kundër femrës. Shumë klerikë myslimanë, individë dhe grupe antifeministe, i kanë ndezur motorët e femicidit. Edhe përdhunimet në grup, duhen menduar si pjesë e skenarit të kësaj propagande antifemër. Qellimi i saj, është rikthimi i femrës shqiptare, në myslimanen e Mesjetës, në thes lëvizës, pa liri, pa të drejta dhe… në asgjë. Po zbatojnë teorinë dhe praktikën talebaniste, për asgjësimin e femrës si njeri.

Lekë Imeraj - shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat