Strategji afatshkurtër për vendosjen e paqes në Vatër

Opinione

Strategji afatshkurtër për vendosjen e paqes në Vatër

Nga: Valentin Lumaj Më: 21 tetor 2022 Në ora: 15:52
Valentin Lumaj

“…Ju lutem, pranoni si të mirëqenë qëllimin tim të vetëm, përtej interesit personal, për një Vatër Noliane-Koniciane, e cila funksionon si një zemër e re dhe e fuqishme, me gjak patriotësh të vjetër, plotësuar dhe me gjak të ri shqiptar, dhe si një mendje e hapur për të gjitha mendimet e ndryshme vatrane, dashamirëse ndaj kombit, edhe si një dritë udhërrëfenjëse dhe shembull i mirë për shtetet tona në vendin amë…”

Priambulë

Në Federatën Vatra aderojnë një numër i konsiderueshëm patriotësh shqiptarë, këta të shpërndarë në shtete të ndryshme të Amerikës, të cilët vijnë nga treva dhe qytete të ndryshme të viseve amë shqiptare, besimtarë të kulteve të ndryshme fetare, anëtarë të partive të kaheve të ndryshme politike. Duke marrë në konsideratë këtë amalgamë autentike të anëtarësisë së Vatrës, e cila rrjedh nga vetë natyra e llojit të organizatës, pra Federatë ose bashkim i të ndryshmeve që rreshtova më sipër, kjo paraqet një version shumë të vështirë, si të drejtimit dhe orientimit, po ashtu edhe të garantimit të të drejtave të çdo grupi apo çdo individi. Për të shtruar një rrugë të mbarë, mbështetur dhe të detyruar edhe nga konteksti më sipër, unë mendoj se kjo realizohet nëpërmjet aplikimit të tri konditave:

-kushti fillestar parimor për Federatën Vatra duhet të jetë që organizata të jetë jo-krahinore, jo-fetare dhe jo-politike. Përndryshe në Vatër ndizen tre zjarre që nuk shuhen pa e djegur gjithë “shtëpinë”. 

-Kushti i dytë që Federata të ketë funksion normal dhe jetëgjatë është miratimi i ligjit të përbashkët, Statutit apo në rastin tonë Kanunores, ku gjithmonë nenet të votohen në mënyrë plotësisht të lirë dhe të miratohen mbi vullnetin e shumicës.

-Kushti i tretë është zbatimi rigoroz i Statutit të miratuar bashkërisht nga një Kuvend. E drejta e çdo  dege, grupi apo individi, e cila parashikohet në Statut, duhet që të zbatohet pa ekuivok. Edhe nëse ka ligje të vjetra apo të këqija, ato prapë duhet që të zbatohen rregullisht deri në momentin që ato të përmirësohen dhe të miratohen.

Problematikat aktuale në Vatër

• Të tre Kuvendet e fundit të Vatrës, të 2017-ës, 2020-ës dhe 2022-it, të orkestruara nga një dorë e njëjtë, u shpallën fillimisht si të përkryera dhe të suksesshme. Darkat që pasuan këto kuvende dhe me trumbetat në Gazetën Dielli përmbas, u përdorën për të mbuluar me terr të vërteta të rëndësishme. Për pasojë e kamuflimit nga kjo dorë, të kundravajtjeve ligjore dhe parimore, e arritur “me të mirë dhe të keq”, me tendenca për ta zhvendosur Vatrën në shtete të tjera të Evropës dhe botës, për interesa politike personale, Vatra po del dukshëm nga shtrati i saj autentik patriotik dhe nacionalist dhe po vuan humbjen graduale të identitetit të saj,

• Si rezultat i Kuvendit problematik dhe të manipuluar të vitit 2017, Vatra u përça dhe ndaj një grupi me vatranë të vjetër konservatorë dhe nacionalistë të nderuar nën emrin “5 Tetori”, u aktivizua një fushatë linçimi shpifjesh dhe akuzash të pabazuara.

• Procesi gjygjësor rezultoi me një marrveshje të detyruar, por që nuk garantoi paqen dhe miratimin e të gjithë personave të përfshirë. Vatra dhe personat e akuzuar për shkelje dhe shpifje, nuk mbajtën qëndrim reflektiv apo dashamirës. Vatra nuk e ka publikuar vendimin e Gjykatës.

• Kuvendi i 2020, me gjithë pergatitjet voluminoze mbi vështirësitë e akumuluara dhe sakrificat e vatranëve nga Amerika dhe Kanadaja, rezultoi me një marrëveshje paraprake për ndarje pozitash drejtuese dypalëshe, Grishaj-Berisha, kjo në kundërshtim ligjor me Kanunoren, vullnetin dhe misionin e delegatëve per një votim të lirë dhe të fshehtë.

• Kuvendi i shkurtit 2022, rezultoi me mangësi të mëdha organizative dhe shkelje të rënda ligjore. Ky Kuvend, me ngarkesën normale dhe mbingarkesën në miratimin e Kanunores, ju hoq mbi një orë nga procesi i punës për një tubim jashtë programit. Si pasojë, Kuvendi i 26 Shkurtit nuk arriti që ti përfundojë punimet e parashikuara në Kanunore në lidhje me zgjidhjen e strukturave të Vatrës.

• Delegatët dhe kryetarët e degëve nuk u njohën që më parë me përmbajtjen e Kanunores së re. Ndryshimet në Kanunore u bënë në fund të Kuvendit dhe iu kushtuan vetëm 30 minuta kohë. Nuk u krye i plotë votimi nen-për-nen i Kanunores.

• Votimi për nenin për një mandat 4-vjeçar rezulton të jetë i manipuluar. Egzistojnë fakte konkrete se vota e delegatëve është tjetërsuar në favor të Kryetarit.

• Të gjitha strukturat e Vatrës janë komanduar dhe jo të zgjedhura, siç e parashikon Kanunorja.

• Vatranëve ju është hequr e drejta e votes dhe e drejta e kandidimit për strukturat e Vatrës.

• Si rezultat i shkeljeve dhe mos-shqyrtimit të tyre, 8 muaj mbas kuvendit të Vatrës akoma nuk ka një procesverbal përfundimtar të firmosur nga kryesia e Kuvendit dhe vatranëve nuk ju është shpërndarë kopja e Kaunores së miratuar.

• Nënkryetari i Vatrës, ka kërcënuar me plumb në kokë, më jetë dhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit të paktën dy vatranë dhe një degë të Vatrës, për arsye të kundërshtive që kanë paraqitur në mbrojtje të Vatrës.  

• Redaktori i Gazetës Dielli, në kundërshtim më nenet e Kanunores, ka censuruar dhe përjashtur nga aksesi në Gazetën online vatranë, pa shpjeguar arsyen. Po ashtu është faktuar se Kryeredaktori ka thyer luajalitetin ndaj Federatës Vatra duke shërbyer si agjent dhe përcjellur të dhëna konfidenciale një gazete private afër kryeministrit aktual në Shqipëri, dhe ka planifikuar akte ordinere për prishjen e aktiviteteve të titullarëve të Vatrës.

• Kryetari i Vatrës ka bërë një propozim për president të Republikës dhe ka propozuar për për decoratë nga Presidenti i Rep. së Shqipërisë, një ish-oficer të sigurimit të shtetit, pa u konsultuar me kryesinë, Këshillin dhe strukturat e Vatrës

Zgjidhja e mundshme.

Me këtë pirg problemesh, (që të jem i sinqertë, pirgu është edhe më i madh se kaq), nga parimore deri në ordinere, do të ishte një mungesë përgjegjësie apo dezertim i gjithsecilit prej nesh ndaj qëllimeve dhe qënies tonë në Vatër, nëse nuk përpiqemi për më të mirën e mundshme. Në këtë situatë është e vështirë të gjendet një “magic wand”, për një zgjidhje imediate dhe permanente. Megjithatë unë jam i sigurtë se zgjidhja egziston në vullnetin dhe dëshirën e secilit prej nesh për të pranuar të metat, gabimet dhe shkeljet ligjore, duke të kërkuar falje me premtimin se ato nuk përsëriten prapë, me qëllimin final për një PAQE dhe AMNISTI vatrane gjithëpërfshirëse.

Nga ky kënd i vështrimit, unë mendoj se strategjia e vendosjes së paqes në Vatër realizohet nëpërmjet tre dimensioneve: 1-moral, 2-ligjor dhe 3- progresist.

1. Në aspektin moral.

Unë mendoj se në Vatër ka shumë të vatranë të lënduar, të cilët e kanë dashur dhe e duan Vatrën. Në kohë të ndryshme, titullarë aktualë të Vatrës, direkt apo indirekt, kanë dëmtuar moralisht anëtarët e Vatrës.  

-Këta vatranë të lënduar duhet të rehabilitohen. Dëmtimi i figurës dhe karakterit të vatranëve nuk duhej të ishte përdorur si armë për të mundur kundërshtarët dhe nuk duhet të ndodhë kurrë më në Vatër.

- Kryetari në emër të Vatrës duhet të gjejë forca brenda tij, që të kërkojë një ndjesë publike në emër të Vatrës ndaj: të ndjerit Gj. Buçaj dhe familjes së tij, të ndjerit Z. Prendocaj dhe familjes së tij, anëtarëve të grupit vatran “5 Tetori”, të ndjerit D. Greca, vatranëve të degës Manhattan, E Dine, P. Jaku, Gj. Kaçaj, V. Lumaj dhe të tjerë që mund të ndihen të lënduar nga Vatra. Ky akt do të shënonte një dimension të ri moral, do të qetësonte shpirtrat, do të afronte vatranët me njëri-tjetrin dhe do të hapte rrugën për një ribashkim vellazëror në mes vatranëve.

2. Në aspektin ligjor.

-Mbas vendosjes së një paqeje nominale në mes vatranëve, e drejta e do vatrani duhet të garantohet.

-Zbatimi me rigorozitet i asaj që është miratuar bashkërisht është një kusht vendimtar për kthimin në shina të funksionimit të Vatrës drejt një fillimi të ri.

-Publikimi dhe pajisja e do vatrani me Kanunoren e miratuar të Vatrës.

-Kryetari i Vatrës, meqenëse nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për një mandate 4-vjeçar dhe si rezultat është në përfundim të mandatit të tij një-vjeçar, sikurse e parashikon Kanunorja e vitit 1926, duhet të nisë menjëherë punën për një Kuvend të rradhës të Vatrës.

3. Aspekti progresist.

-Rishikim nga ekspertë të kualifikuar dhe pa ndërhyrje politike të Kanunores pjesërisht të miratuar dhe plotësimi me nene të reja duke u bazuar në Kanunoren e vitit 1926

-Ftesë zyrtare shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti për detyrën e Kryetarit të ri të Vatrës. Si reference mund të merret rasti i ftesës që Vatra i bëri prof. Arshi Pipa në vitin 1991.

-Ftesë zyrtare, gazetarëve të njohur, z. Beqir Sina, znj. Rafaela Prifti dhe z. Ruben Avxhiu, për të drejtuar Gazetën Dielli, nëpërmjet një bordi drejtues.

Ju lutem, pranoni si të mirëqenë qëllimin tim të vetëm, përtej interesit personal, për një Vatër Noliane-Koniciane, e cila funksionon si një zemër e re dhe e fuqishme, me gjak patriotësh të vjetër, plotësuar dhe me gjak të ri shqiptar, dhe si një mendje e hapur për të gjitha mendimet e ndryshme vatrane, dashamirëse ndaj kombit, edhe si një dritë udhërrëfenjëse dhe shembull i mirë për shtetet tona në vendin amë. Kjo platformë, mund të përmirësohet dhe nëse adoptohet, mund të implementohet në një mbledhje të zgjeruar gjithpërfshirëse të Vatrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat