Super taksimi një super kërcënim i hapur qeveritar

Opinione

Super taksimi një super kërcënim i hapur qeveritar

Nga: Ilir Levonja Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 13:49
Ilir Levonja

Kur dëgjon kryeministrin që u thotë bujqëve, o punojeni tokën ose do ju vendosim një super taksim, është të vësh duart në kokë. Eshtë një lloj diskursi që i ngjan atyre të kafeneve. Në fakt fushat e Shqipërisë kanë super prodhim. Dhe jo vetëm fushat, por edhe kodrat, frutorët. Dhe çështja qëndron tek mungesa e një menaxhimi të duhur të këtij super prodhimi. Të gjitha revoltat që kemi parë, kanë pasur si synim pikërisht mbetjen stok të prodhimit. Eshtë hedhur super prodhimi në kanal. Eshte derdhur qumështi në anë të xhadeve. Dhe kjo ka domethënien se toka jo vetëm që punohet, po dërrçe ama. Ky thotë, super taksim. Në vend që të ofroj zgjidhje, ky kërcënon. Madje ofron dyfishimin e super prodhimit që të mbysi tokën bujqësore me kalbëzim. Ata në fusha nuk gjejnë treg për prodhimet e tyre. Treg të mjaftueshëm. Për më tepër industria e lehtë ajo e përpunimit është monopolizuar në pak duar të cilat kushtëzojnë sa çmime qesharake aq edhe grumbullime qesharake. Pra mungon totalisht përveç tregut edhe përpunimi. Fermerët apo ata që kanë toka ankohen se, çmimet e plehrave kimike janë dyfishur. Dhe nuk u del aspak leverdia të blejnë e të plehërojnë tokën nga që i druhen mungesës së tregut, çmimeve qesharake, mungesës së përpunimit etj. Ky kërcënon, me super taksim. Para pak ditësh pashë në një tv kombëtare se si një fermere lopësh qante nga që nuk po ia dilte dot për shkak të stresit që i jepte bilanci negativ i një viti pune. Për më tepër fabrikat e përpunimit të qumështit blinin me çmime më të ulta nga Serbia deri hirrën. Pra prodhimi vendas del me kosto më të lartë. Pika menaxherit në qeveri se edhe hirrën kishin mangut shqiptarët. Mirëpo ai kërcënon se kush nuk punon tokën, do super taksohet. Në Shqipëri ka nisur fushata e mbrapshtë e prerjes së drurëve frutorë pikërisht për shkak të mungesës së tregut. Po priten qershitë, mollët, dardhat, kajsitë... Eshtë një lloj krimi me gjakftohesi. Një krim dëshpërues. Për më tepër që historia jonë kombëtare, sidomos zonat kodrinore i kanë pemët të shenjta. Kryeministri i vendit thotë do të super taksoj. Ky është mirëfilli një dekurajim dhe jo vetëm aq, një stimulim në ditën me diell mbi shpronësimin, mbi braktisjen e truallit, tokës arë, pronës. Dhe ju rrini e pyesni veten se çfarë po ndodh në Shqipëri. Gjëma po ndodh, çfarë tjetër. Vendi nuk bëhet me njerëz që kërcënojnë, por me ata të cilët gjejnë forma dhe mjete për të stimuluar përditshmërinë. Super taksim per tokën djerrë? Ky është një kërcënim i hapur qeveritar, vetëm e vetëm që Shqipëria të vdesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat