Eseja që nuk u hartua për gjyshet

Opinione

Eseja që nuk u hartua për gjyshet

Nga: Ditar Kabashi Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 21:25
Ditar Kabashi

1.

Meqë kompleksi i shkollës fillore nuk kishte hapësirë të mjaftueshme infrastrukturore, neve, nxënësit e klasave të nënta, na dërguan ta vijonim atë vit shkollor në Shkollën e Mesme Teknike. Orari i pasdites u akordua për paralelet e shkollës sonë. Paradite ishin filloristët e një shkolle tjetër.

Klasa e nëntë ishte një model i ri eksperimental. Kurikula përfshinte njëzet e ca lëndë. Që të gjitha ligjëroheshin nga mësimdhënës të veçantë. Tanimë duhej ta ndryshonim edhe thirrjen ndaj tyre: jo arsimtar, por profesor.

2.

Në njërën nga pasditet e fillimit të muajit mars, u përgatitëm që t’i nënshtroheshim një hartimi eseistik të paralajmëruar ditë më parë. Profesori nuk na kishte treguar paraprakisht se çfarë do të ishte tema e hartimit. Por, siç dëfton logjika e thjeshtë, në mars më së miri do të mund të shkruhej për Ditën e Mësuesit.

Ç’është e vërteta, kurrë në jetën time si nxënës nuk jam përgatitur për hartime. E doja spontanen dhe besoja fort në fuqinë e fjalës që del çiltërisht atypëratyshmi. Megjithatë, javëve të fundit isha acaruar goxha me trajtimin jodinjitoz që po u bëhej pensionistëve. Ata kishin pensione tejet të ulëta, sa nuk ju mjaftonte as për ilaçet e përditshme, e lërë më për t’i qerasur nipat e mbesat. Këtë e shihja me sytë e mi, tek im gjysh. Fatmirësisht, ai nuk varej vetëm nga pensioni i vet, por unë bëja empati me të moshuarit e tjerë që mund të mos kishin familjarë për t’u kujdesur për ta.

3.

Ora e hartimit të esesë erdhi. Veçse isha bërë gati të shkruaja për Ditën e Mësuesit. Mirëpo jo për vlerën e mësuesit, as rëndësinë e asaj dite. Thjesht, për trajtimin fyes që po ju bëhej veteranëve të arsimit. Artilerinë e kisha gati: fjalët ishin pozicionuar në majë të lapsit. Prisja shenjën nga profesori për ta filluar bombardimin. Thua se eseja ime do ta ndryshonte gjendjen...

4.

“Gjyshet”, foli profesori me zë të lartë. Unë nuk kuptova gjë prej gjëje. Ktheva kokën rrotull dhe pashë se edhe të tjerët po shikoheshin me habi. Dikush pyeti: urdhëro, profesor? Gjyshet, - përsëriti ai, me maturinë e vet të rëndomtë. Tema është “gjyshet”.

Sakaq e gjithë armata ime e fjalëve nisi të shpartallohet. Mbase për herë të parë isha përgatitur shpirtërisht e mendërisht të shkruaja për një çështje të ndjeshme, si puna e veteranëve të arsimit, dhe tani veshët po më zënë se tema do të jetë “gjyshet”.

5.

U trondita.

Nuk e kisha problem të shkruaja për ato krijesa të bukura e të përshpirtshme. Hallin e kisha diku tjetër.

Ishin bërë katër vite që kisha mbetur pa të dy gjyshet. E kisha kaluar një fëmijëri të hareshme nën kujdesin e tyre, por gjithsesi të pamjaftueshme.

Pa e vërejtur veten se isha shtangur, e ngrita kokën vetëm kur më preku në krah profesori. Çka u bë, pse s’po shkruan, më pyeti. Nuk po mundem, i thashë. U mallëngjeva shumë për gjyshet dhe s’po di nga t’ia nis, vazhdova. Profesori ma mori lapsin nga dora dhe në fletoren time të hartimit shkroi “Temë e lirë”. Ma shkrepi një të lehtë në qafë dhe e la lapsin në tavolinë.

Unë shkrova për veteranët e arsimit. Tamam sikurse kisha bërë nijet. Por me një ton më të dhembshur seç kisha planifikuar. Doemos ndjenjat e gjallëruara ndërkohë kishin mbizotëruar.

Pesë minus. Kjo kishte qenë nota e hartimit të esesë. Minusi për mësysh ishte vënë për privilegjin e temës së lirë.

6.

Kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet prej kësaj ndodhie. Sot u trondita përsëri, për të njëjtën arsye. Kësaj radhe nuk iu nënshtrova ndonjë hartimi me temën e papritur “gjyshet”. Pashë në media se një zonjë, një nënë, një grua në moshë të një gjysheje, po rrihej nga një vajzë e re që mund të ishte në moshë të së bijës a të mbesës së saj. Për më tepër, ajo vajzë ishte një punonjëse shëndetësore që kishte për detyrë të kujdesej për gratë e moshuara të strehuara në një institucion në Pejë.

M’u ngjallën para sysh fytyrat engjëllore të dy gjysheve të mia. M’u shfaq edhe skena e klasës ku për herë të parë nuk kisha qenë i zoti t’i shkruaja disa rreshta për shkak të pafuqisë emocionale. M’u paraqit edhe qëndrimi mirëkuptues i profesorit tim, të cilit i uroj që një ditë të bëhet gjysh.

Asnjëri nga këta nuk meritojnë t’u kthehet fjala, e jo më të goditen dhunshëm.

Shuplaka ndaj asaj zonje i shkaktoi dhimbje trupit të shoqërisë sonë. Kjo sjellje e koriti respektin që ne e kemi dëshmuar gjithnjë ndaj më të vjetrit. Kjo nuk përkon as me ndërgjegjen e pastër, as me arsyen e kulluar dhe as me vlerat tona. Ndonëse ky mund të jetë një rast i përveçëm dhe i izoluar, assesi nuk duhet lejuar që të kthehet në një dukuri të përhapur. Për këtë duhet edukim dhe emancipim të pandalshëm të gjeneratave të reja.

7.

Ndoshta një ditë do të shkruaj ese për gjyshet. Që tash e di se brenda esesë nuk do të ketë dhunë. Bile, edhe kërrabëzën e gjyshes do ta paraqes si sinonim për thurje dhe jo për kërcënim.

për gjyshet duhet t’i qëndisim vetëm me fije dashurie, madje edhe kur kemi temë të lirë për hartim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat