Përse nuk qetësohet veriu i Kosovës?

Opinione

Përse nuk qetësohet veriu i Kosovës?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 14:25
Barrikadat në veri

Ngjarjet më të fundit në veriun e Kosovës janë pasojë e luftës së papërfunduar më 1999 dhe e zgjidhjes së padrejtë të çështjes së Kosovës as sot e kësaj dite. Që nga hyrja e forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe të forcave policore të UNMIK-ut, bashkësia ndërkombëtare, e bashkë me të edhe NATO-ja, edhe UNMIK-u, luftën e Kosovës kundër Jugosllavisë së atëhershme kurrë nuk e kanë njohur si luftë, por vetëm si konflikt të rëndomtë ndërmjet forcave qeveritare të Jugosllavisë dhe shqiptarëve etnikë të Kosovës. Duke mos e njohur luftën e Kosovës, nuk i njohu, as nuk i trajtoi shqiptarët etnikë të Kosovës si viktimë të agresionit jugosllav. Duke barazuar viktimën me agresorin, popullsinë duarthatë shqiptare me makinerinë vrastare policoro-ushtarake jugosllave, duket se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtarë ka qenë, dhe mbase mbetet edhe më tej që mos t’i zemërojë, e aq më pak t’i dënojë serbët për të gjitha ato që ia kanë bërë Kosovës dhe shqiptarëve gjatë viteve 1998/99. Mbase degradimi i luftës në konflikt është bërë me qellim që serbët të mos shpallen agresorë, dhe ndaj tyre të mos kërkohen llogari.

Kundruall këtij konteksti, bashkësia ndërkombëtare, me apo pa qëllim, me apo pa prapavijë politike, është kujdesur mirë që Serbinë ta kursejë nga turpërimi, dhe si të tillë mos ta shpallë humbëse të “konfliktit” (sipas bashkësisë ndërkombëtare) apo të luftës që ka ndodhur realisht më 1998/99.

Sikur bashkësia ndërkombëtare ta kishte njohur Kosovën menjëherë pas largimit të forcave serbe (atëherë: jugosllave), gjë që e ka pasur shumë më lehtë për ta bërë, aq më tepër pasi kryekrimineli Slobodan Milošević edhe më tej ishte në pushtet, Serbia qëmoti do të ishte pajtuar me humbjen e Kosovës, dhe çështja e saj tanimë do të kishte qenë e harruar. Mirëpo, ja që kështu nuk ndodhi, e nuk po ndodh as sot. Bashkësia ndërkombëtare nuk e dënoi Serbinë kurrë për "konfliktin" në Kosovë. Përkundrazi, ajo e dënoi, siç po vazhdon ta dënojë edhe sot, UÇK-në, e cila as nuk e sulmoi as Serbinë, as nuk i sulmoi serbët e Kosovës, por u përpoq me të gjitha forcat që kishte ta mbronte popullin e pambrojtur dhe duarthatë shqiptar nga vrasjet dhe masakrat e makinerisë së egër të forcave policoro-ushtarake jugosllave. Duke mos e dënuar kurrë Jugosllavinë, gjegjësisht Serbinë, dhe duke barazuar viktimën me agresorin, bashkësia ndërkombëtare, ndoshta pa dashje e ka shtyrë dhe nxitur Serbinë që ajo as sot të mos e njeh shtetin e Kosovës. Kërcënimet e përditshme të Serbisë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë janë rezultat i përkëdheljes së tepruar të bashkësisë ndërkombëtare për Serbinë.

Në vend që bashkësia ndërkombëtare t'i bëjë presion Serbisë, ajo i bën presion Kosovës, përderisa Serbinë e përkëdhelë në dëm të Kosovës. Ç’është e vërteta, presioni në rritje që bashkësia ndërkombëtare vazhdon t'ia bëjë Kosovës është në dëm të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, të cilën po kjo bashkësi ndërkombëtare e ka njohur më 2008.

Nëse bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht KFOR-i, që ka mandatin dhe obligimin për siguruar paqen në Kosovë, heziton t'i çarmatos forcat ilegale kriminale serbe në veriun e Kosovës, atëherë jo që duhet ta pengojë, por ta ndihmojë policinë e Kosovës, e pse jo edhe FSK-në, që ato ta sigurojnë paqen edhe në atë pjesë të Kosovës.

Mirëpo, përsëri nuk është kështu. Dhe, mu për atë se nuk është kështu, veriu i Kosovës do të vazhdojë të mbetet i trazuar edhe për shumë kohë. Nëse ish-liderët e Kosovës dhe përfaqësuesit e Kosovës kanë bërë gabime duke u pajtuar që FSK-ja të mos operojë edhe në veriun e Kosovës, nuk do të thotë se ato gabime nuk mund të përmirësohen sot. Megjithëkëtë, duket se për bashkësinë ndërkombëtare, veriu i Kosovës është një territor me status të pazgjidhur. Nëse bashkësia ndërkombëtare e njeh veriun për territor të Kosovës, atëherë këtë fakt duhet t’ia bëjë të qartë “kriminelit paqësor” të kohës, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, e jo ta josh atë me përfitime në dëm të Kosovës. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk është penduar për njohjen e shtetit të Kosovës, atëherë ajo duhet ta lejojë FSK-së të hyjë dhe mbrojë veriun e Kosovës nga bandat kriminale serbe të cilat çdokush e di se ato udhëhiqen dhe paguhen nga shteti i Serbisë.

Duke mos lejuar FSK-në në veri, bashkësia ndërkombëtare njëkohësisht po lejon forcat e armatosura kriminale serbe të kryejnë akte kriminale kundër policisë legale të Kosovës, por edhe të EULEX-it, e nesër me gjasë edhe kundër ushtarëve të KFOR-it. Duke i mbyllur sytë para kriminelëve serbë, bashkësia ndërkombëtare njësoj si Serbia po shkelë dhe dhunon sovranitetin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Duke mos lejuar FSK-në të veprojë ligjërisht edhe në veriun e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare njëkohësisht e mbështet politikën dhe synimet antikosovare të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, vullnetit të të cilit duket përfundimisht se i është nënshtruar.

Prandaj, e përsëris: ngjarjet në veri janë pasojë e politikës së padrejtë të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovës. Luftën e fiton vetëm njëra palë, në këtë rast ose Serbia, ose Kosova, e jo të dyja palët, siç po dëshiron bashkësia ndërkombëtare. Përndryshe, lufta pa fitues është armëpushim, e jo mbarim i luftës. Nëse ndahet Kosova, atëherë luftën e vitit 199 e paska fituar Serbia, e jo bashkësia ndërkombëtare dhe Kosova!

Në fund të fundit, lufta apo paqja në veri nuk është as në dorën e Kosovës, as në dorën e Serbisë. Çelësi i zgjidhjes së çështjes së veriut dhe i krejt Kosovës në përgjithësi është te bashkësia ndërkombëtare. Prej saj varet edhe vullneti, edhe zgjidhja jo vetëm e veriut, por edhe krejt Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat