Shpresat dhe zhgënjimet e mërgimtarëve

Opinione

Shpresat dhe zhgënjimet e mërgimtarëve

Nga: Merxhan Jakupi Më: 10 janar 2023 Në ora: 21:06
Autori Merxhan Jakupi

Shumica e mërgatës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, sidomos brezi i parë që mori këtë shteg mërgimi nga vitet 1970-1980 për në shtetet perëndimore, kanë punuar ndër vite me shpresë dhe iluzione, se një ditë do të kthehen në vendlindje. Kjo u zhvillua në dy etapa. Etapa e parë ishte në vitin 1991, kur Maqedonia shpalli pavarësinë, dhe pas themelimit të partisë së parë shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), si dhe synimeve të shqiptarëve në atë shtet për një autonomi politiko-territoriale, të njohur si Ilirida. Ishte kjo një epokë e re për shqiptarët në këtë vend, të cilët u organizuan në kuadër të proceseve pluraliste politike për zgjedhjet e para shumë partiake (1991), kur mërgimtarët tanë tepër të ngazëllyer erdhën me mijëra nga diaspora, për të votuar kandidatët e tyre shqiptarë për parlamentin e parë pluralist të Maqedonisë. Me këtë u shtuan shpresat dhe entuziazmi i tyre se më në fund erdhi koha që të ktheheshin në vendlindje dhe të jetonin në kushte të reja në shtetin sapo të pavarësuar.

Etapa e dytë ishte dhjetë vjet më vonë, në vitin 2001, kur shpërtheu konflikti i armatosur. Atëherë mërgimtarët mendonin se kishte ardhur koha që aspiratat dhe kauza shqiptare të realizohej në këtë vend, ku shqiptarët ishin një faktor kyç i ekzistencës dhe stabilitetit të vendit. Mërgimtarët tanë ishin të gatshëm të ndihmonin në çdo formë për realizimin e synimeve të kamotshme. Treguan gatishmëri, po qe se do nevoja, të vinin edhe në këmbë, për t’u kyçur si vullnetarë aty ku e donte nevoja. Në më shumë klube të diasporës dhe pranë xhamive u ngrit nisma për grumbullimin e mjeteve financiare, që do të destinoheshin për ndihmë subjekteve në frontet e luftës. Një numër aktivistësh u nisën në vendlindje me çanta të mbushura në valuta. Mërgimtarët mbështetën me të gjitha forcat këtë epope, duke shpresuar për një ditë më të mirë dhe kthimit të tyre për në vendlindje, pranë familjeve të tyre.

Pas përfundimit të këtij konflikti, kur u arrit edhe Marrëveshja e Ohrit (13 gusht 2001), më shumë mërgimtarë ndërmorën nisma për të investuar në projekte të ndryshme dhe biznese të vogla në vendlindje. Ata kishin motivim të fuqishëm për këtë punë, sepse mendonin që do të mund të ktheheshin në vatrat e tyre të gjyshërve e stërgjyshërve në vendlindje. Sidomos synim kishin shpëtimin e brezave të rinj, të cilët ishin shkolluar atje ku u punonin prindërit dhe për të mos u asimiluar dhe që të mos mbeten në tokë të huaj gjithë jetën, hapën reparte prodhuese e shërbyese në vendlindje. Të gjitha këto angazhime nuk sollën fryte aq sa pandehnin mërgimtarët dhe ata në një masë u dëshpëruan dhe humbën shpresat për një kthesë më të madhe. Sidomos kishte shqetësim të madh brezi i parë i mërgimtarëve më të hershëm, të cilët nuk e realizuan të plotë ëndrrën për kthim të tyre dhe të fëmijëve të tyre në vendlindje. Ky brez i hershëm i mërgimtarëve, të cilët i kishin lënë krahët dhe shëndetin në një vend të huaj, të sëmurë e të rraskapitur, të shkelur në moshë, me shpresa të humbura, pjesërisht u kthye në vendlindje, por i la në tokë të huaj më të dashurit e tyre, pasardhësit. U kthyen duarthatë e të mundur, në këtë betejë të rëndë.

Ky brez mërgimtarësh që kapitulluan përballë furtunave të jetës, të mposhtur e të sëmurë, po jetojnë në vendlindje me pensionet që i kanë fituar me mundin dhe djersën e tyre në tokë të huaj, por kjo gjë nuk i kënaq ata dhe pleqërinë po e kalojnë në mundime e të vetmuar, me shpirt të thyer. Ata u kthyen me shpresa të tjera, por gjetën vendbanime të zbrazura, pa rini dhe pa gëzime. Ata këtu po shohin dhe janë dëshmitarë të një golgote që po vazhdon e nuk po shuhet, shohin nëpër stacione dhe aeroporte mijëra të rinj që po i braktisin edhe më tej vatrat e tyre dhe po i mësyjnë një bote të shpresave të mëdha. Mbase ata s’do të përjetojnë fatin e mërgimtarëve të brezave më të vjetër të viteve 1970-1980, të cilët janë katandisur së keqi. Nuk dihet nëse edhe këta të rinj do të kthehen pas shumë vitesh pa fëmijët e vet. Në njërën anë po sigurojnë ekzistencën, ndërsa në anën tjetër po e zhdukin kombin në trojet atërore. Për këto halle të shqiptarëve fajësohen elitat politike shqiptare që e sollën në këtë gjendje popullin e vet dhe ata do të përgjigjen para gjykimit të historisë kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat