Nga lajmi tragjik i Shkodrës tek lajmi komik i Tiranës

Opinione

Nga lajmi tragjik i Shkodrës tek lajmi komik i Tiranës

Nga: Jak Simoni Më: 11 janar 2023 Në ora: 11:12
Jak Simoni

Në panoramën e lajmeve në vendin tonë ditët e fundit  zënë vend dy prej tyre: njeri vërtetë i dhimbshëm nga Shkodra, kurse  tjetri komik nga Tirana. Ndërsa në Shkodër një nënë e re në kushte tepër të renda ekonomike dhe psikike hedh foshnjën e saj në lum, në Tiranë përhapet lajmi se hajdutja vjedh hajduten në shuma që shumica e shqiptarëve nuk i sheh as në ëndërr; hajdutëri rubinhudiane e denjtë për skenar filmi. Sa të ndryshme fatet e këtyre dy grave që përbëjnë lajm: ndërsa në Shkodër, siç e ka deklaruar vetë ajo, një nënë nuk arrin të ushqejë fëmijën e saj dhe pse ishte në punë, në Tiranë një “pastruese” mbante në luks djalin e saj. Për momentin të dyja këto gra janë në burg. Ndërsa njëra është e pushtuar nga dhimbja, tjetra është e pushtuar nga turpi. Në fakt, dikush tjetër, maskuar me detyrë të lartë shtetërore, duhej të provonte turp, natyrisht po të kishte arritur shkallën evolutive të provimit të kësaj ndjenje. Shpresojmë që dy të ndaluarat të marrin dënime minimale, natyrisht, po të ketë mbetur ndonjë gjyqtarë me ndjenja njerëzore dhe që nuk ka frikë se ndonjë e maskuar si pastruese do i vjedhë paratë e bizhuteritë që mund të ketë akumuluar nga “puna” si gjyqtar. Ndryshimi i lartpërmendur i fatit të tyre konsiston në faktin se kishin rastisur në vendbanime dhe vende punë të ndryshme. Njëra në Shkodër, tjetra në Tiranë. Njëra në qytetin e punës së përditshme, tjetra në qytetin  e shpërdorimit të përditshëm. Njëra në fasoneri, tjetra në shtëpi plot para të pa numëruara e bizhuteri  të politikanëve që nga Tirana “drejtojnë” Shqipërinë. Ndryshimi tepër i madh ky për fatin e këtyre dy grave që dhe një herë uroj dënim minimal për ta.

Ja çfarë lajmesh jemi të destinuar të dëgjojmë në përditshmërinë tonë. Po t’i referohemi metaforës së Shopenhaurit për gjendjen shpirtërore të njeriut, që e krahasonte më një lavjerrës të orës që lëkundet nga dhimbja te mërzia, këtu në Shqipëri lajmet e përditshme lëkunden nga   nga korrupsioni tek vjedhja duke kaluar momente vrasjesh dhe aksidentesh. Sytë dhe veshët e njerëzve të thjeshte janë mësuar me këtë ritmi monotone. E vetmja përshtypje është kur krahasojnë sa kanë vetë në shtëpi (shpesh borxhe) me shumat  e gjetura rastësisht nëpër dyshekë, tubacione e puseta etj., apo kur mendojnë sa janë të pa gjetura; madje dhe vjedhje të pa denoncuara, sepse, po të pyeten rastësisht “të vjedhurit”, nuk i justifikojnë dhe rrezikojnë aktivitetin e tyre “institucional” që i mbush me para. Bëjnë këtë llogari: sa të më vjedhin “hajdutet”, aq më shumë vjedh shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat