Vuçiq thërret konferencë shtypi!

Opinione

Vuçiq thërret konferencë shtypi!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 15 janar 2023 Në ora: 18:00
Autori Sherif Ramabaja

Të dashura dhe të pavarura media prestigjioze të popullit serb.

Unë para disa javësh iu pata njoftuar për gatishmërinë e më shumë se 10 shteteve, për tërheqjet e njohjeve për Kosovën.

Po ashtu para disa ditësh iu njoftova edhe me emra, se cilat shtete i tërhoqën këto njohje.

Tash jemi dëshmitarë se si propaganda e Kurtit, të cilin Rusia së bashku me Zelensky i emëroi si nazist, doli me përgënjeshtrimin se kjo nuk kishte asgjë të bënte me të vërtetën, mbi këto tërheqje.

Tash shtrohet pyetja se kush kishte të drejtë, apo kush po gënjen në këtë rast. Serbia është shtet i fuqishëm dhe nuk do të toleroi që dikush të na quaj mashtrues, spekulues, gënjeshtar, manipulues, kriminel, terrorist, vrasës, nxitës, ushtrues të gjenocidit etj. e aq më pak Kurti, një adoleshent i provincës sonë.

Po ashtu edhe zonja Bërnabiç – ka e cila i vizitoi shtetet arabe ka diskutuar me liderin e Interpolit, i cili i ka premtuar se derisa ai të jetë në krye të kësaj organizate, Kosova kurrë nuk do të pranohet si anëtare e saj. Dhe jo që nuk do të pranohej, po nuk do të lejoj kurrsesi që të hapen kurrfarë bisedimesh, për një anëtarësim të saj.

Prandaj të dashura media të respektuara dhe të çmuara të qeverisë sime, edhe një premtimi të tillë Kurti me qeverinë e tij iu kundërvu duke thënë se, Bërnabiç – ka po gënjen, sepse fare nuk ka qenë Kosova temë e një bisedimi të tillë.

Çka mund t’iu them unë pas kësaj. E tërë bota e din se ne jemi partner serioz dhe gëzojmë respekt ndërkombëtar, kurse Kurti me makinerinë e tij të propagandës, mundohet të na diskreditoi para botës.

 Ju e dini, ka më se dy vite që Kurti mua më quan Putini i vogël i Ballkanit. A më përgjigjet mua një epitet i tillë, kur unë jam më se dy metra i gjatë. Me gjatësi ia kaloi edhe mikut tim Ramës, prandaj nëse më emëron le të më emëroi Putini i gjatë, sepse kjo do më përgjigjej më mirë, ngase në realitet jam më i gjatë se dy Putina.

Po ashtu edhe ambasadori ynë Gjuriq e përsëriti për të satën herë se: Kurti, Kosova dhe shqiptarët e kanë humbur përkrahjen e SHBA, pra Serbia është më e favorizuar në këtë drejtim, se sa shqiptarët.

Edhe për këtë deklaratë Kurti na e përmendi deklaratën e zotit Collet: marrëdhëniet tona me Serbinë, varen nga qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.

Unë edhe njëherë deklarohem botërisht se, Serbia është një shtet demokratik. Ne nuk do të lejojmë poshtërimin e saj. Kufijtë e Serbisë dhe popullit serb nuk i përcakton Kurti, sepse ata janë kufij të njohur ndërkombëtar.

Unë më se 500 herë kam deklaruar se nuk do ta njohim Kosovën. Dora e djathtë e imja zoti Daçiq po ashtu zotit Collet ia bëri me dije se, asnjëri në Serbi nuk mund ta gjej një person, i cili e pranon pavarësinë e Kosovës. Pra kjo është edhe një dëshmi, që nuk e njohim Kosovën.

Në realitet Daçiq i cili me melosin e tij të njohur i argëtonte Thaçin e Ramën, zotit Collet ia tregoi në fytyrë vijat e kuqe të Serbisë.

1.     Ne nuk e njohim Kosovën

2.     Ne nuk do ta njohim Kosovën dhe

3.     Ne asnjëherë derisa të jemi në pushtet, nuk kemi për ta njohur Kosovën.

Kjo është diçka më se e çartë. Kurti mund të më quaj edhe me të njëjtin emërtim të Anonymous – it: fashist dhe kukull të Putinit, po unë nuk do e ndërroi qëndrimin. Unë për popullin serb, sidomos për Veriun e Kosovës, do të sakrifikohem deri në frymën e fundit.

Ju faleminderit, për vëmendjen tuaj. Pyetjeve nuk do u përgjigjem, sepse nuk po arrij të përmbahem. Ekziston rreziku që sërish mund ta quaj Kurtin,  terrorist.

Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat