“Rugovën, si e kam njohur” nga Gani Mehmetaj: Kur Kadareja nxitonte në vlerësimet politike kundër Rugovës

Opinione

“Rugovën, si e kam njohur” nga Gani Mehmetaj: Kur Kadareja nxitonte në vlerësimet politike kundër Rugovës

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 22 janar 2023 Në ora: 13:17
Ibrahim Rugova, Ismail Kadare, Musa Jupolli: Nga takimi në një restorant afër Sorbonës (Paris, 1996).Ibrahim Rugova, Ismail Kadare, Musa Jupolli: Nga takimi në një restorant afër Sorbonës (Paris, 1996).

Në redaksinë e Cyrihut (Zvicër), ku isha kryeredaktor i gazetës “Rilindja” botim për Evropën Perëndimore dhe SHBA, më informuan për takimin e Kadaresë në Gjenevë, ku foli për politikë, megjithëse promovonte një libër.

Një gazetar më lajmëroi se ai foli për Rugovën, duke e kritikuar për qëndrimin paqësor, përderisa policia e ushtria serbe bënin dhunë të paparë.

Ibrahim Rugova me Ismail Kadarenë njiheshin më herët. Takimi i tyre i parë u bë në vitin 1996 në Paris, ku ishte Musa Jupolli, intelektual dhe veprimtar i njohur në Francë. Pastaj thuhet se ata u takuan disa herë në rrethana të ndryshme. Kadare lobonte në qarqet intelektuale e artistike, shkruante  shkrime në shtypin francez për çështjen shqiptare të Kosovës, kurse Rugova takohej me personalitete të politikës.  

Kur e kritikoi Rugovën, në parim Kadareja pati të drejtë, sikur gjërat të ishin ashtu siç i vlerësonte ai nga Gjeneva apo nga Parisi. Çdo rezistencë individuale të shqiptarëve, Serbia e ndëshkonte rëndë, ia shuante familjen, e shuante katundin. Të paktë ishin ata që do të pranonin të flijonin familjen.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dështoi, sepse u formua brenda territorit të Kosovës, ku ndiqej hap pas hapi nga shërbimi sekret serb, që ishte ndër më të organizuarit jo vetëm në Ballkan. Shqipëria nuk lejonte struktura të armatosura të Kosovës, brenda territorit shqiptar. Perëndimi ndiqte çdo përpjekje për organizim. Dhe Rugova, megjithëse i përcaktuar për politikën paqësore, e tha shumë herë publikisht: Askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve ta mbrojnë pragun e shtëpisë, pra vatrën e tyre. Rrethanat ishin më të rënda sesa mund t’i përshkruaj. Raportet nga terreni të rrëqethnin.

Rugova ishte i pafuqishëm të bënte më shumë. T’i kundërviheshe Serbisë me kryengritje të armatosur, paraqiste aventurë me pasoja të rënda. T’i kundërviheshe me luftë guerilje, pa mbështetje ndërkombëtare, do t’i kushtonte shtrenjtë popullatës. Shenjat për mbështetje të tilla qenë të vakëta.    

Në atë kohë kur fliste Kadareja për indolencën dhe mospërgjigjen e duhur ndaj dhunës me dhunë, asnjë faktor ndërkombëtar nuk e këshillonte rezistencën e armatosur, përkundrazi në çdo takim ndërkombëtar i tërhiqnin vërejtje Rugovës që të mos hynte në aventura. Është çështje tjetër që shtetet e rajonit u përpoqën ta fusnin në lojën e rrezikshme të luftës, për ta shpërqendruar vëmendjen e Serbisë nga vetja. Këtë e bëri Kroacia në kohën e Tuxhmanit, këtë donte të bënte edhe shteti shqiptar, sepse kishte probleme të brendshme e acarime me ndërkombëtarët, që nuk ua përfillnin fjalën.  

T’i përgjigjeshe dhunës serbe me rezistencë të armatosur, ashtu sikurse duhej të veprohej, ishte aventurë me pasoja të mëdha, me më shumë të vrarë sesa në Bosnjë e Hercegovinë, sepse ata u armatosën mirë. Ndërkaq, ne s’kishim as pushkë gjuetie. 

Kadareja, me zemër të plasur për çështjen shqiptare, do të gjente aventurierë të tipit të Demaçit, i cili qysh më herët kishte deklaruar: “Ç’është nëse vriten treqind e pesëdhjetë mijë shqiptarë?” Tipa të tillë, po të kishin mbështetje, do futeshin në luftë pa e vlerësuar çmimin, pa asnjë garanci se do të fitonin.

Kur fliste, Kadare i hynte në hak Rugovës, më shumë nën peshën e përjetimit nga gjendja e rëndë e shqiptarëve, pra ishte reagim emocional e jo racional.

Nga takimi i gjerë i Kadaresë në Gjenevë, sepse shkrimtarin tonë e vlerësonte gjithë bota, botova një raport pa e komentuar. Ditëve në vijim shkrova një koment kritik ndaj akuzave të Kadaresë, të cilin e çmoja sa për gjenialitetin e tij në romane, aq edhe për angazhimin e jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës, si asnjë shkrimtar e intelektual tjetër. Por më brente dyshimi se i kishte rënë në qafë Rugovës, i keqorientuar nga të tjerët. Mbase edhe ndonjë “bashkëpunëtor” i Rugovës, e nxiti mërinë e Kadaresë. 

Më dëshpëronte dijenia se Kadareja informohej kryesisht nga kundërshtarët e Rugovës: Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe ata që s’bënin gjë tjetër pos villnin vrer. Diplomatët shqiptarë në Perëndim, po ashtu bënin punë të mbrapshta.    

Më dëshpëronte Kadareja, sepse fjala e tij çonte peshë, Rugova e çmonte shumë, tregonte simpati e dashamirësi.  

Rugova kurrë nuk iu përgjigj kritikave të rrepta të Kadaresë, kurrë nuk nxori asnjë fjalë të keqe për të, as në bisedat private.

Ibrahim Rugova ndryshonte nga tipat e aventurierëve, që i ndryshonin opsionet politike sipas stinës. 

Kadareja ishte aktiv në jetën publike dhe sidomos, u bë militant i çështjes së Kosovës. Shkruante e polemizonte me ata që përpiqeshin të fshihnin krimin e serbëve në Kosovë. E vlerësoja për gjenialitetin e tij, e botoja çdo lajm që na vinte për të; për romanet e tij të botuara në shqip, apo të përkthyera në gjuhë të huaj. 

Por asnjëherë nuk jam pajtuar me vlerësimet e nxituara.

Takimi me të pas 23 vjetësh ishte i këndshëm, në praninë edhe të z,Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit”. Në ambientet e  “Juveniljes” biseduam për çështje nga më të ndryshmet, për fenomenet devijante të shoqërisë shqiptare, për shqiptarët e Maqedonisë, për të cilët Kadareja ishte i brengosur me të drejtë, druante se i kemi humbur me përcaktimin e tyre oriental të fanatizmit islamik. Në këto tema, kishim  të njëjtin mendim e vlerësim. Por raporti i dikurshëm me Rugovën rrinte pezull në ajër.

“Unë i kërkova falje Rugovës për kritikat që i bëra”, më tha ndër fjalitë e para. “Gabova, i kërkova falje dhe mbetëm miq”. “Burrat e mëdhenj, kur gabojnë kërkojnë falje”, i thashë, i bindur se ai ishte ndër ata burra. Me kujtohej ardhja e Kadaresë në Prishtinë te Rugova, jo shumë kohë pasi u çlirua Kosova. Më kujtohej edhe konferenca e shtypit që organizuan bashkë dhe miqësia që e vazhduan. “Rugova e pranoi faljen time”, më tha, sikur të qe shkarkuar nga një barrë.

Rugova e kishte mbrojtur veprën e Ismail Kadaresë shumë vjet më parë me një prononcim publik, ku thoshte se nuk duhet ndaluar vepra e shkrimtarit nëse politika zyrtare nuk pajtohej me prononcimet e tij publike. Kadare kishte kritikuar rreptë politikën jugosllave për dhunën e terrorin që ushtronte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Prandaj u tërbuan zyrtarët jugosllavë. Kritikën e Ismailit e dëgjuam i madh e i vogël në Radio Tirana. Këto kujtoja, teksa bisedonim shtruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat