Në Junik me luftëtarët e plagosur të UÇK, Xajë Çela i Tropojës e Musë Krasniqi i Junikut

Opinione

Në Junik me luftëtarët e plagosur të UÇK, Xajë Çela i Tropojës e Musë Krasniqi i Junikut

Rexhep Shahu Nga Rexhep Shahu Më 23 janar 2023 Në ora: 21:47
Foto ilustrim

Ditët e para pasi u çlirua Kosova shkova në Junik për t’i parë nga afër ato vende fshatra e zona të cilat i përmendnim papushim gjatë kohës së luftës. 

Bisedë me dy ushtarë të plagosur të UÇK, të cilët nuk kanë deshirë të flasim për plagët e tyre.

Rexhep Shahu: Të dashur dëgjues të radio Kukësit, jam në Junik bashkë me kolegun tim Jonuz Hallaci. Kam në bisedë dy ushtarë të UÇK,

thonë se janë oficerë, Musë Krasniqi nga Juniku dhe Xajë Çela nga Tropoja.

Musë Krasniqi: Unë jam Musë Krasniqi, oficer, një nga atë të parët, të rrallët që e kemi kapë pushkën për liri. Luftës i jam bashkangjitë me 28 mars 1998. Kryesisht kam qenë organizator i një zone për organizimin ushtarak, armatimin e punë të tjera në atë zonë, ku shumë pak e kanë dashtë luftën, e me ata njerëz që më vonë m’u bashkangjitën ia filluam luftës për liri. 

R. SH. Do desha të ndalem te kjo fjala, “shumë pak e kanë dashtë luftën”. Pse ka ndodhë kjo që “shumë pak e kanë dashtë luftën”. 

M. K: Po shikoni, Juniku ka tradita të larta edhe historike edhe luftarake. Juniku është vendi ku është mbajtë Kuvendi i parë. Juniku është vendi ku është formue Republika e parë shqiptare, zona neutrale 1921-1923.

R. SH. Ajo që njihet si Kuvendi i Junikut?

M. K: Ajo është në 1913. Juniku u ka ba rezistencën më të fortë çetave e brigadave të Drazha Mihajloviqit e Mitiqit 1944-1945 ku kanë ra burrat e djemtë më të fortë të Junikut, hoxha i Junikut, bajraktari i Junikut, Mus Maloku, Ali Goci etj., etj. E rrugën e tyre e sidomos të axhës tim Myrt Musës i njohur me emrin baba Mixh jemi mundue me e trasue e me e vazhdue si bashkëluftëtarë të luftës çlirimtare.

R. SH. Ju e mbani emrin e mixhës tuaj. Musë, si oficer, cilat janë impresionet e tua për luftësn, për ato ditë të vështira kur ju keni qenë aktiv në luftë dhe dëgjuesi i radio Kukësit është i interesuar të dijë për Kosharen, për betejat, për këtë tetritor që UÇK e ka çlirue dhe e ka mbrojtë me rezistencë heroike. 

M. K: Lufta ime ndahet në tri faza. Faza e parë është përgatitja për luftë kryesisht në Junik, faza e dytë është lufta e Junikut dhe faza e tretë është përgatitja për me hy në një luftë frontale më të zgjeruar e më të përgatitur ushtarakisht, luftë komanduese si e përmendët ju, lufta e Koshares. Shikoni, për herë të parë iu ka thye kufini Serbisë nga brigada 138 Agim Ramadani emrin e të cilit e kemi mbajtë me një patriotizëm shumë të madh, unë e kam pasë shok edhe se kam qenë më i vjetër se unë jam ndër oficerat ma të vjetër, i moshës 50 vjeçare. Por ai ka qënë i respektueshëm për mua e dhe unë kam qenë i respektueshëm për gjithë ata shokë e ata oficera. 

R. SH. Do të kisha deshirë që ju ta bëni një portret të shkurtër të Agim Ramadanit e të Sali Cekut. Unë përsonalisht e kam njohur Sali Çekën. 

M. K: Për Agim Ramadanin kam respekt të veçantë edhe pse ka ardhë më 15 - 16 qershor e iu ka bashkangjitë shtabit të Junikut të asaj kohe e ka qenë djalë punëtor, oficer i përgatitun, e ma gjerësisht për të flet njeriu e bashkëluftëtari  ma i afert i tij Xajë Cela.

Na nuk kemi dhanë as nuk duam me dhanë intervista. 50 televizione kanë ardhë me na intervistue kur jena kanë në spital në Tiranë e kujt interviste s’i kena dhanë as unë as ky (Xaja), i kemi çitë jashtë të gjithë e bukur keqas. Kush s’ka ardhë me na intervistue. Vetem televizionit zyrtar unë i kam dhanë e ky s’di kujt i ka dhanë, a vetem asaj gazetarës së Prishtinës, Donikës…
Jonuz Hallaçi: Pse kaq të vështirë me dhanë intervistë…..    

M. K: Kjo ishte luftë 17 mujore, na ka ra me u përdafë shumë. Këtu nuk a kanë problem me luftue, këtu a kanë problem me e organizue luftën. Se kur ta organizosh luftën lufta zhvillohet lehtë. E ne kemi pasë pengesa të mëdha me e organizue luftën. E aty ka qenë problem. Unë kam hekë shumë keq, edhe ky atëhere kur ka ardhë te na. Po Xaja ky ka ardhë me brigadë por unë kam pasë rryma të ndryshme këtu.

J. H: Po sot që ka mbarue lufta… 

M. K: Nuk jemi keq tani. Unë momentalisht jam i caktum në Operative, i kam ndihmue prefektures, kemi punue shumë, kemi çitë 350 kulme shpiash në Junik. Unë jam i akuzum se e kam kallë Junikun me Xajë Çelen e me çeto shokë Demush Gaxaferr e shokë të tjerë po e ndërtojmë Junikun por as erë shkau në Junik nuk ka.

R. SH: Ti e bërë një portret të Xajës. 

M. K: Shiko pa malsi të Gjakovës e pa Has, sidomos pa Malsi erë shqiptarizmi në Kosovë nuk ka pasë. Pa rrafsh të Dukagjinit e pa komandantin Ramush Haradinaj nuk ka erë shqiptarizmi as në Kosovë as në shqiptari.

Për Xajën ç’ka me thanë për Xajën. Kur ta përmendësh emrin e Xajë Çelës, ky është një legjëendë e Malsisë. Ka shumë aksione edhe te Hysni Nezirajt, Hysni Qazimit snajperistit që i thirrshim snajperka, ai që ka ba aksionet e Qaf Morinës, ai që ua ka minue rrugët kolonave serbe bashkë me komandantin e xhenios Musa Gjakovën një trim i madh. Xajë Cela ka qenë në njësitin vëzhgues të Agim Ramadanit, njësit ndër më të përgatiturit e UÇK. Agim Ramadani ka qenë njeri i madh, ka qenë një strateg i lindun i luftës, ashtu është strateg i lindun i luftës edhe Ramush Haradini.  

Xaja është një ndër bashkëluftëtarët më të afërt të Agimit. Ka marrë pjesë në shumë aksione me Agimin, me Qamilin, me Dem Malokun e me shumë të tjerë që e thyen kufinin.

Kaq. E falenderoj Radio Kukësin. Jam mik i madh i saj. Si i ri i kam dëgjue me endje të madhe kangët e Dërvish Shaqes, të tre këngëtarëve lumjanë, Dida Çela Kovaci. Knoj ngapak edhe vetë. 

R. SH: A ju ka ndihmue ushtria e shtetit shqiptar, a e ka ndihmue luftën e Kosovës, meqenëse ju keni qene edhe në Tropojë e je marrë me organizimin e luftës.

M. K: Ushtria e shtetit shqiptar në fillim na ka përkrahë, por nuk janë përzie, kanë qenë si asnjanës, neutral. Bashkë me do oficera, s’po du me ua përmendë emrat e tyre, oficera të lartë janë, na kanë thanë, bac, vazhdo punën. Edhe do djem të Tropojës që na kanë përkrahë materialisht edhe ushtarakisht na kanë thanë vazhdo punën tande, ndihmë na ke nëse të nevojitemi. Fillim e mbarim që na ka ndihmue ka qene Xhevahir Selmani në mbajtje të armatimit si logjistikë, Avdyl Qerimi, e shumë malsorë të tjerë që nuk po i përmendi si Halil Demaj, Padeshi sidomos, ata në Papaj, shpia e Sokol Sylës, Sadiki na ka lshue shpinë, Isufi edhe ai na ka lshue shpinë si bazë të UÇK.

R. SH: Atëhere pra Xajë, kështu u bë prezantim yt. Po e nisim, para se me tregue se ju jeni nga Tropoja dhe i jeni bashkangjitë UÇK, cfarë mund të na thoni shkurt dy fjalë për Agim Ramadanin dhe për Sali Çekun. Çfarë u shtyu ju të angazhoheshit me UÇK?  

Xajë Çela: Deshira për ta heqë okupatorin serb nga trojet shqiptare. Kjo ishte deshira ime për të cilën me vullnet e me shpirt u radhita në radhët e UÇK me bindjen e plotë se fitoren do ta arrijmë. Për fat të mirë e arritëm fitoren dhe do e gëzojmë. 

R. SH: Ti Xajë, ke të drejtë me dhanë mendime e opinione. Shqiptarët e Shqipërisë administrative a e kanë ndihmue sa duhet luftën e Kosovës. 

X. Ç: Shqiptarët e vertetë gjithmonë e kanë ndihmue dhe e kanë përkrahë. Por situata në Shqipëri ka qenë jo e mirë vitet e fundit. Njerzit kanë halle, aq kanë pasë mundësi. Mirë do të kishte qenë të ishte ndihma më e fortë. Por në shkallën e duhur nuk ka qenë përkrahja. Deshirojmë të rritet bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë.

R. SH: Në çfarë rrethanash jeni plagosë ti dhe Musa. 

X. Ç: Gjatë sulmit në luftë ballë përballë 300 metër larg na gjuajtën me minahedhësa, mortaja, topa të kalibrave të ndryshëm. Më kapi një copë e minahedhësit. Por shokët i kemi pasë të mirë dhe të vendosur si komandantat ashtu edhe luftëtarët, kanë qenë të besës e të vendosur që mos me e lanë shokun pa vdekë edhe vetë. Kjo ishte një gjë shumë e madhe. 

R. SH: Kë kujton sot nga shokët e luftës apo eprorët?

X. Ç: Deshira imë është që t’i kujtoj gjithmonë si eprorë e ushtarë të gjithë ata që kanë dhanë jetën për çlirimin e Kosovës dhe gjithë ata që janë plagosë e kanë kapë armët kundër okupatorit. Kujtoj vazhdimisht komandantin Agim Ramadani, të cilin e kam pasë komandant që në fillim, Sali Çekun, të cilët kanë qenë komandanta të asaj brigade, por kujtoj edhe luftëtarë si Fadil Maloki, Avdyl Jasiqi, etj etj. Që i kujtoj vazhdimisht. 

J. H: A ke mendue se mund të vriteshe në luftë Xajë?

X. Ç: Po kur i shihja trimëritë e aftësitë e tyre nuk e mendoja, por lufta i ka edhe ato.

J. H: Si e kanë pritë njerzit e shtëpisë tënde e farefisi yt futjen tënde në luftë.

X. Ç: Po tash ata vazhdimisht më thonin, me deshirë je te shkue, të ndihmoftë Zoti. Kaq. 

R. SH. Cfarë njerzish ke në Tropojë Xajë.

X. Ç: Kam babë, nanë, vllazën motra.

J. H: Pse qëndron aktualisht në Junik e nuk shkon në Tropojë?

X. Ç: Po kam qenë në fizioterapi në Pejë, jam te e vazhdue prapë. Edhe këta më kanë ofrue një banesë këndej në Kosovë. 

R. SH: Faleminderit miq edhe në emër të dëgjuesve të Radio Kukësit.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat