Çfarë ndryshoi në Ballkan një vit pas agresionit rus në Ukrainë?

Opinione

Çfarë ndryshoi në Ballkan një vit pas agresionit rus në Ukrainë?

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 23 shkurt 2023 Në ora: 10:14
Vladimir Putin

U bë plot një vit që kur bota ndali frymën nga agresioni i Vladimir Putin kundër një shteti sovran e të pavarur, Ukrainës. Kishin ndodhur sulme të tilla në ish-Jugosllavi kundër shteteve që shpallën pavarësinë nga ajo federatë, por nuk ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore një luftë e tillë pushtuese me qëllime aneksimi, si ajo që filloi mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit 2022. Rusia, pasi kishte pushtuar dhe aneksuar në marsin e vitit 2014 Krimenë, kësaj radhe nisi tanket dhe topat e saj për pushtimin e të gjithë Ukrainës. Madje shoqëruar me një propagandë hitlerine e milosheviçiane të “luftës kundër nazizmit të instaluar në shtetin e Ukrainës”! Fashistët e nazistët putinistë vepruan në emër të luftës kundër nazizmit dhe shpallën “denazifikimin,’ “demilitarizimin” dhe kësisoj pushtimin e shtetit sovran të Ukrainës.

Bota ndali frymën dhe priste se Ukraina do të dorëzohej në tri ditë ose brenda një jave. Por ndodhi çudia e papritur. Presidenti ukrainas, Zelensky, shpalli mobilizimin e përgjithshëm për rezistencë. Ai nuk pranoi të largohej nga vendi i tij dhe u vu në krye të luftës për mbrojtjen e atdheut të tij. Akti i presidentit ukrainas mbeti në histori dhe shënoi kthesën në luftën kundër Rusisë. Sot Rusia është thuajse në kufijtë e paraluftës. Ushtria e saj ndodhet e rrethuar në lindje dhe juglindje të Ukrainës.

Prej asaj kohe e deri më sot bashkësia ndërkombëtare po lufton kundër planit rus për ta zgjeruar konfliktin nga Ukraina në Ballkan. Pikat e dobëta të Ballkanit tashmë janë të dukshme në dritë të diellit. Ato përfshijnë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Pikërisht ato vende ku pakicat serbe me ndihmën dhe regjinë e Beogradit kërcënojnë paqen dhe stabilitetin ballkanik. Europa dhe SHBA-të u riaktivizuan me qëllim që të mbyllet konflikti në rajon. Ata shpallën emrat e të ngarkuarve për Ballkanin. E bënë këtë SHBA-të, BE, Londra, Berlini dhe Roma. Dje u zotuan dhe japonezët për të ngarkuar një përfaqësues diplomatik për Ballkanin Perëndimor.

Por sa ka ndryshuar Ballkani prej një viti, që kur filloi sulmi ushtarak i Kremlinit kundër sovranitetit të Ukrainës? Nëse bëjmë një bilanc, atëherë mund të thuhet se në Ballkan konflikti vetëm sa është thelluar. Gjatë vitit të kaluar së paku dy herë Kosova u kërcënua me ndërhyrje ushtarake nga ana e Serbisë së Aleksandër Vuçiç. Mali i Zi gjithashtu përjetoi një seri përplasjesh dhe konfliktesh për shkak të ndërhyrjes së Beogradit, maskuar me qëndrimet pro-serbe të kryeministrit anti- perëndimor, Dritan Abazoviç. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina vazhdon të mbetet një shtet jofunksional, për shkak të Dayton-it dhe bllokadës që i ka bërë këtij shteti Serbia dhe Republika Srpska.

Megjithëkëtë Brukseli dhe shtete të caktuara në Perëndim duan të eksperimentojnë edhe në Kosovë një Republikë Srpska, të cilën e quajnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ky eksperiment allasoj nuk sjell paqe në Ballkanin Perëndimor e as në kontinentin europian. Kjo është e ditur. Iniciativat për marrëveshje midis shteteve, të cilat thellojnë konfliktin dhe destabilizojnë akoma më shumë paqen janë destruktive dhe duhet të jenë të papranueshme. Në këtë sens duhet trajtuar dhe i duhet dhënë përgjigje kërkesave disa herë ultimative të Bashkësisë Euro-Atlantike për ngritjen e një asociacioni të tillë. Ndryshe nuk mund të ketë sukses.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj kanë njëmijë arsye dhe argumente të provojnë se asociacioni serb destabilizon dhe cenon paqen rajonale. Asociacioni është dhe mbetet paradhoma e përpjekjeve të krijimit të shteteve një-etnike në Ballkan. Ky precedent do të shkaktojë lëvizje tektonike në rajon. Ndaj dhe bashkësisë perëndimore ndërkombëtare i duhet kërkuar që “të mos nxjerrë sytë e saj, në përpjekje për të vëne vetulla më të bukura”! Qeveria e Kosovës ka në dorë që çështjen e trajtimit të pakicës serbe në vend ta trajtojë në kuadër të konventave ndërkombëtare, gjë që është realizuar me planin Ahtisaari dhe kushtetutën e vendit.

Eskili thoshte se “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e saj”! Serbët në Kosovë, me ndihmën dhe diktatin e Beogradit e kanë tejkaluar tashmë prej kohësh të drejtën e vet ne diskriminim pozitiv dhe për pasojë po japin mesazhin dhe krijojnë ndjesinë e persekutimit të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Kështu ka ndodhur me pagesën e rrymës elektrike nga shteti për qytetarët e pakicës serbe në veri të vendit. Kështu po ndodh edhe me “lirinë’ e kësaj pakice që të jetojë në parajsën e kontrabandës dhe veprimtarisë mafioze brenda shtetit, duke mos dhënë asnjë kontribut për shtetin e për shoqërinë.

Për të gjitha këto arsye, pas një viti shoh se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në përballimin e situatave të krijuara në Ballkan nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Ajo u tërhoq nga kërkesa për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë dhe u përkul para presioneve të Beogradit për këtë. Ndaj proklamoi një plan evropian të ngjashëm me marrëveshjen famshme të 19 prillit 2013. Ndaj dhe në një farë mënyre janë shtuar konfliktet e reja e të vjetra, si ato midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Zgjidhja nuk vjen nga formimi i një lloj asociacioni serb në Kosovë, i cili duket të jetë prelud i ndryshimit të kufijve dhe katastrofës pas kësaj. Zgjidhja vjen e duhet të vijë me presion ndaj atij që i ka shkaktuar dhe i shkakton këto konflikte. Adresa e këtij presioni është vetëm një – Beogradi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat