Përse nuk flasin ish ministrat?

Opinione

Përse nuk flasin ish ministrat?

Nga: Ilir Levonja Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 15:13
Ilir Levonja

Shoh kudo një pyetje naive se përse nuk flasin këta ish ministrat që pushohen papritur dhe menjëherë bëhet zhurmë, sikur kanë punuar mbrapa krahëve të shefit të madh, madje arrestohen. Këta të gjithë nga yje dalin plehra. Hajdutër përmes shkresave. Megjithëse kush pak haber nga qeveria e di mirë se pa firmën e të madhit një mut merr. Eshtë çmenduri ta mendosh se pa firmën e tij, mund të njomet vulat.

Dhe shefi i madh del e pohon sikur asgjë të mos ketë ndodhur, ka devijuar nga rruga jonë, le të përballet me drejtësinë etj. Madje disa prej tyre po bëjnë edhe burg, si rasti i Saimir Tahirit, apo i Lefter Kokës etj. Eshtë logjikë fare e thjeshtë, vijnë nga formula të rroj partia. Nga tradita prej vitit 1941 e këtej. I keni me sekuenca, mjafton të shkoni në youtube. Sot nuk ke nevojë të rrëmosh, fal dixhitalizimit i gjen aty. Nuk të duhet të dërrmohesh duke kërkuar arkivat. Enveri e filloi bolshevizmin me Mehmet Shehun, atë vrau të fundit. I keni gjyqet me radhë, ata që akuzuan shokët për lidhjet me jugosllavët, e hëngrën më pas për sovjetikët.

Dhe kështu me radhë, ata që akuzuan shokët për sovjetikët e hëngrën më pas për kinezët. Kur mbaroi edhe me kinezët, nisi lufta më përbrenda. Janë gjyqe që ta shpifin, nga Koçi Xoxe, Beqir Balluku, Teme Sejko, Kadriu deri tek Mehmeti. Të gjithë tradhtarë.

Vetëm njëshi, ai i madhi jo. Të gjithë puçista, vetëm ai i madhi. I keni edhe të ilustruara me kornizë. Po ashtu hera herës i sjellin edhe me rubrikat e retushimeve të fotove. Kur them gjyqe që ta shpifin, e kam fjalën për të akuzuarit që e mbyllnin gjithçka me togfjalshin, të rroj partia, e di partia, ajo, partia mbi të gjitha. Apo partia ime më dënon etj. Kështu edhe më këta, që dalin studiove dhe bëjnë sikur kërcojnë me ndonjë shkresë, kur thonë se gjoja duan të sqarojnë publikun. Dhe ju e besoni, shqyeni sytë. Sikur të flasi.

Të rrëfehet, mbase e ha edhe ai i madhi. Ka vdekur o shqiptarë, ka mbaruar. Shqipëria është totalisht në tamtamet e Kremlinit. E njëjta demokraci. Po u prish pak humori shefit të madh, nga ca rrjedhje bajate, me punë pastruesesh që vjedhin. Me ca vartëse sharmante që heqin dorë nga gjysëm milioni euro etj. Shefi madh ngrys vetullat, i vë gishtin gjykatës. Pas tij dalin zëdhënësit, lai Eri dhe Tao, ai i plotfuqishmi i Lushnjes.

Ndizen motorët dhe i dëmtuari shkon në burg me kokën lart. E mbani mend rastin Tahiri, e përcollën me orkestër. Të rroj partia. Partia ime ma futi. Mos humbni kohën kot me iluzione.

Nuk ka gjykatë që i afrohet Edi Ramës. Nuk ka forum partie apo parti që të ofroj një kandidat tjetër. Ata janë unikë në sojin e të të qënit njësh, nuk durojnë dot koridore me erë. Të masakrojnë, të shpallin kulak. Ky Ahmetaj, nuk është asgjë tjetër, rasti i radhës, u gëzua kur zbuluan armiqtë e klasës, Tahiri, Koka, etj. Tani po e ha vet. Kështu e ka fati i tyre gjenetik. Të gjithë janë të flijueshëm, të vdekshëm, vetëm shefi i madh jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat