Familja Jashari tregoi se populli kësaj radhe nuk kishte gabuar në zgjedhjen e prijësve të tij

Opinione

Familja Jashari tregoi se populli kësaj radhe nuk kishte gabuar në zgjedhjen e prijësve të tij

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 8 mars 2023 Në ora: 15:15
Rifat Jashari dhe Presidentja Vjosa Osmani para deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Më 5, 6 dhe 7 mars u shënua 25 vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht rënies heroike të familjes së Komandantit legjendar Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të tjerë të familjes së tij në Prekaz.

Rezistenca e familjes heroike Jashari përball kriminelëve serbë të veshur me uniforma policore, ushtarake përkujtohet për çdo vit nga mijëra qytetarë që vinë nga vende të ndryshme të botës për nderime në Prekaz.

Komandanti Adem Jashari ishte një trim i rrallë, që doli përball armikut shekullor të shqiptarëve duke mos kursyer asgjë nga vetja për lirinë e përbashkët.

Prekazi është vendi i parë ku u ndërtuan me gjak e rezistencë themelet e lirisë. Kompleksi memorial I familjes heroike hyn në mesin e vendeve më të shenjta për shqiptarët.

Kosova, pas rënies së Jasharajve do të niste luftën e pandalshme deri në çlirim nga okupatori serb.

Liria erdhi gati dy vjet pas rënies heroike të familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Pas çlirimit, vendi ynë do të përballej me një periudhë të vështirë tranzicioni.

Politikanët e etur për pushtet e të mira materiale e harruan shpejt luftën, derisa për heroizmin e familjes Jashari flisnin më shumë në fushata zgjedhore, kur kishin nevojë për kalkulime votash.

Një gjë të tillë e kishin vënë re edhe pasardhësit e familjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari të cilët për disa vite me radhë zgjodhën që t’i mbyllnin dyert për politikanë që nuk punonin për të mirën e vendit.

“…Individët ose personat të cilët udhëheqin me institucionet kushtetuese, nëse ata punojnë siç duhet do ta kenë vlerësimin tonë ose respektin tonë”, do të thoshte Murat Jashari, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jasharit disa vite më parë.

Në çdo përvjetor të rënies së familjes Jashari, ish kryeministri dhe ish presidenti i vendit Hashim Thaçi, mund të bënte homazhe tek kompleksi memorial, por nuk ishte i mirëpritur brenda odës së Jasharajve.

Një gjë e tillë bëhej edhe temë e ditës. Prania e “domosdoshme” në këto ngjarje e politikanëve që nuk punonin për të mirën e Kosovës, sikur ia merrte shkëlqimin lirisë dhe ditëve të shënuara.

Por, një imazh krejt tjetër patëm fatin që ta shohim dy vitet e fundit. Familja Jashari hapi dyert për presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Madje, kryefamiljari Rifat Jashari shfaqi një dashamirësi të paparë më herët ndaj dy figurave kyçe të politikës në vendin tonë.

Kjo mbase mund të jetë leksion për qytetarët se nuk duhet të pendohen për njerëzit që i kanë votuar për të ardhur në pushtet së fundi.

Familja Jashari ka ditur gjithherë të bëjë diferencën ndërmjet politikanëve që nuk punuan mirë dhe këtyre që megjithatë i kanë përpjekjet më të sinqerta për të bërë më të mirën e mundshme për popullin.

Mjafton t’i kujtojmë këtu qeverisjet e mëhershme me akuza për korrupsion, varfëri, drejtësi të dështuar e politika për të ndarë vendin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat