SHBA duhet ta zëvendësojë emisarin për dialog

Opinione

SHBA duhet ta zëvendësojë emisarin për dialog

Nga: Gani Qarri Më: 14 mars 2023 Në ora: 13:57
Gani Qarri

Është vërtet për tu habitur shumë, se si edhe pas gjithë kërcënimeve, talljeve dhe provokimeve publike të pasardhësit të Millosheviqit dhe presidentit arrogant e cinik aktual serb, Aleksandër Vuçiq, SHBA në vend se të ndryshojë qëndrimin ndaj Serbisë, të vazhdojë të heshtet, jo vetëm nga ambasadori Kristofer Hill, i cili që nga lufta e viteve 1998-99, njihet për qëndrimet e tij të paqarta ndaj çështjes së Kosovës, por edhe ajo e emisarit të lartë amerikan, Gabriel Eskobarit, i cili vërtetë, gjatë gjithë kohës, ishte shumë kritik, madje deri në teprim dhe me ton aspak diplomatik, ndaj kryeministrit Kurti!

Prandaj pas defilimive kërcënuese dhe toneve tejet provokuese të Vuçiqit, habit shumë heshtja e pakuptueshme edhe e vet sekretari Blinken, përderisa asnjëri prej tyre, çuditërisht nuk lëshojë asnjë prononcim, të paktën në formë protokollare, apo edhe në emër të ruajtjes së paqes, ndërmjet të dy vendeve dhe në rajon.

Një heshtje e këtij lloji, të paprecedent, jo vetëm që vret shpresat e ngritura para kohe, për miratimin e propozimit të BE-së, por ngrit edhe dyshime shumë të forta, që pas korruptimit të udhëheqësit të lartë FBI-së, McGonigal, të jetë blerë a korruptuar edhe ndonjëri prej ndërmjetësuesve të BE-së, apo për aq më tmerrshëm, pas promovimit pompoz të ekspozitës së të shoqes së tij Elizabet, nga Ministria e Jashtme e Serbisë, të lindin dyshime për mundësinë e ndonjë “dhënie zemërgjerë” monetare ala-serbe edhe vet të dërguarit “special”, për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Eskobar, emisar në dialogun Kosovë-Serbi.

Nisur nga kjo, sado që takimi në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuqiq, në Ohër shihet, si takim vendimtar për të sigluar miratimin e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian me nënshkrim të dyanshëm, shfaqjet gjithnjë e më arrogante të presidentit serb Vuçiq, të cilat filluan të orkestrohen, pikërisht vetëm një javë para takimit dhe vijnë si atak i rëndë publik dhe akte të hapura provokatore, kanë për qëllim mos-nënshkrimin e marrëveshjes dhe dështimin e takimit të 18 marsit në Ohër, ani pse marrëveshja e propozuar është diskutuar edhe në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe thuhet se ka përkrahjen e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian.

 

Andaj duke pasur parasysh faktin se mu në prag të takimit në Ohër, Vuçiq shfaqet në mënyrë demonstrative para një harte me Kosovën, "brenda" kufijve të Serbisë dhe kërcënon publikisht se kinse për asnjë çmim dhe asnjë kusht nuk do të heq dorë nga Kosova, nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje që nënkupton njohjen direkt apo indirekte të pavarësisë së Kosovës, as pranimin e Republikës së Kosovës në OKB, SHBA duhet urgjentisht të ndërrojë qëndrimin ndaj Serbisë.

Dhe për ta vënë gjendjen në binar e arritur marrëveshjen Kosovë -Serbi, duke pasur parasysh se jo vetëm Borell e Lajçak të cilët që nga ardhja në pozitat aktuale, kanë mbajt hapur anën e Serbisë, por së fundi, rritet gjithnjë e më tepër frika se mund të jetë joshur, nëse jo edhe korruptuar direkt, me peshqeshe e shpërblime edhe emisari Eskobar, SHBA duhet urgjentisht ta zëvendësoj z.Eskobar me një të dërguar tjetër special, e pse jo edhe me ambasadorin William Walker apo senatorin Bob Menzis, kur shihet publikisht se në mungesë të presionit nga SHBA dhe BE, Vuçiq nuk është i gatshëm ta nënshkruaj, jo vetëm marrëveshjen përfundimtare por as propozimin e Bashkimit Evropian!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat