Rezultati i bisedimeve të Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë të datës 18 mars 2023- Urtia popullore thotë: “Edhe nga dështimet njeriu mëson diçka”

Opinione

Rezultati i bisedimeve të Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë të datës 18 mars 2023- Urtia popullore thotë: “Edhe nga dështimet njeriu mëson diçka”

Nga: Haki Latifi Më: 20 mars 2023 Në ora: 15:33
Autori Haki Latifi

Bisedimet që u mbajtën në të ashtuquajturën “Vila e Titos” në Ohër, është rezultat i iluzioneve të një grushti besimtarësh të dehur nga idhulli i tyre Albin Kurti, i cili në fakt erdhi në pushtet me kauza të rrejshme dhe përfundoj duke i ri-nënshkruar dhe që nuk mund ti zhbënte marrëveshjet shtetërore të vitit 2013 dhe 2015! Pra Serbia me marrëveshjen e Ohrit e fitoj atë çka me marrëveshjet e mëparshme nuk ka pasur mundësi ti ketë.

Në gjykimin tim, bisedimet devalvuan që nga Shtëpia e Bardhë ku ishin "thikat mbi hartë“ deri te Shtëpia e Titos në Ohër, ku Albin Kurti e dha nënshkrimin në kartë!

Dhe është mirë që kauzat e rrejshme të Albin Kurtit ranë bashkë me demagogjitë e tij politike. Por edhe më tepër duhet të thuhet një JO e madhe të shtypit retorikave demagogjike sidomos kur nuk ka qershia të p...urrta.

Për fat të keq tetë vjet i humbëm kot së koti bashkë me demagogjitë patriotike false që i kushtuan shumë Kosovës. Ku si pasojë kishim zvarritjen e një procesi të dialogut që më se shumti dërguan ujë në mullirin serbo-rus.

Si rezultat, tash e tutje do ta kemi një Albin Kurti që do të jetë politikisht krejt i zakonshëm si çdo politikan që jemi mësuar ta shohim se sa është i durueshëm dhe sa i qëndron trysnisë ndërkombëtare.

Por tash kjo ka pak rëndësi në krahasim me efektet negative që do ti ketë i ashtuquajturi „Vetë-menaxhim i komunave serbe në Kosovë“, sepse është vetë produkt i pa aftësive negociuse të pozitës dhe të opozitës dhe koordinimit të faktorit shqiptarë me partnerët gjeostrategjik në krye me SHBA-të gjatë bisedimeve ndër vite për këtë temë të ndjeshme.

Në këtë rast edhe njëherë Kosova shpëtoj fal SHBA -së prej një kurthi politik në të cilin me mosdijen e tij e ka tërhequr për hunde dhe ngrehur mbi 6 muaj Kryeministri vet.

Për mendimin tim, politikanët kur i kanë punët pick dhe nuk pajtohen me një marrëveshje në dëm të kombit dhe atdheut, kanë dy rrugë:

1. Të nënshkruajnë dhe të marrin përsipër dëmin që i shkaktohet atdheut. Kështu mund tu mbetet në dorë edhe tradhtia kombëtare; ose

2. Të japin dorëheqje dhe të mbesin besnik ndaj parimeve të veta dhe të shtetit. Kështu mbeten dhe do të kujtohen gjatë historisë si burrështetas.

Të pranosh përgjegjësinë, duhet t'ua zgjidhesh tjerëve duart e lidhura, të mos shkosh duar lidhur askund, të mos iu nënshtrohesh presioneve, si dhe premtimet e dhëna ndaj popullit duhet të përmbushen, arsyetime nuk ka!

Në këtë rast askush nuk mundet ta shpëtoj Albin Kurtin nga vetvetja.

Kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e nënshkroi marrëveshjen sepse Serbia me kushtetutën e vet e trajton Kosovën si “Territor të Serbisë“!

Po ta nënshkruante marrëveshjen ashtu siç e kërkoi me këmbëngulje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, atëherë do te ishte marrëveshje ndërkombëtare në mes dy shteteve dhe faktikisht pranim edhe de jure i shtetit të Kosovës nga Serbia.

Tani e tutje, kohë nuk ka për të humbur, të gjithë duhet të angazhohen qeveri dhe opozitë që të stimulojnë qytetarët shqiptar të Mitrovicës Veriore dhe në vendbanime tjera të Kosovës për tu kthyer në vatrat e tyre të shpërngulur nga presioni dhe ndjekjet e paramilitarëve serb. Me një bashkëpunim të fortë me SHBA-në dhe EU-në mund të pengohet ky monstrum i quajtur, deri dje: „Zajednicë“, „Asociacion“ , „Bashkësi“ e tash së fundi „Vet-menaxhim“, për tu bërë pengesë e zhvillimit dhe funksionimit të shtetit të Kosovës në të ardhmën.

Ndërkaq, dorëheqja morale e Kryeministrit Kurti është në të mirë të vendit dhe të tij. Pasi Ai u dëshmua duke i përdorur metodat mashtruese dhe kombinuar me ato demagogjike është treguar shumë i rrezikshëm për vendin.

Urtia popullore thot : „Edhe nga dështimet njeriu mëson diçka“. Pra siç është rasti i bisedimeve të Ohrit, mësuam për çlirimin e politikës nga dëmtimet demagogjike, mashtruese dhe populiste që i kanë përjetuar qytetarët gjatë fushatave elektorale për të ardhur në pushtet.

Unë shpresat për të ardhmen e Kosovës i kam te një popull i pjekur kombëtarisht dhe politikisht që nuk bëhet viktimë e politikanëve që me premtime demagogjike, populiste dhe me mashtrime të dalë mode duan të vijnë në pushtet.

20 mars 2023

Haki Latifi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat