Një tragjedi e dyfishtë, që mund të ishte parandaluar dhe shmangur!

Opinione

Një tragjedi e dyfishtë, që mund të ishte parandaluar dhe shmangur!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 30 mars 2023 Në ora: 09:41
Xhevat Mustafa

Ngjarja tragjike mes qytetit të Kavajës dhe ditën me diell, të mërkurën më 29 mars 2023, edhe pse mes dy njerëzve me sherre të mëparshme e të njohur prej policisë për probleme të vjetra e të reja, Altin Rexha dhe Edmond Gosa, mund të ishte parandaluar apo shmangur. Kjo mund të kishte ndodhur sikur gjykatat, edhe pas gjasme reformës në drejtësi, të mos e kishin nxjerrë shumë shpejt nga burgu Edmond Gosën!

Në mënyrë figurative, ose, sikur "reforma në drejtësi të mos kishte vdekur qysh në barkun" e Xhorxh Sorosit, Edi Ramës, McGonigalit, Yuri Kimit...Siç e dinë shumë qytetarë të rritur të Kavajës, Edmond Gosa kishte vrarë rreth 5 vjet nga një më parë një djalë kavajas, nga familja e të ndjerit Remzi Gjuzi! Shkaku apo "faji" i këtij fatkeqi të dytë dhe tragjedisë së dytë të familjes së tij ishin ndërhyrja për të shpëtuar nga ngacmimet e dhunshme të Edmondit një vajzë të lagjes, nga një familje e njohur dhe e respektuar në të gjithë qytetin dhe përtej tij. Kështu, pa apo me dashje, i shkaktoi kësaj familjeje vrasjen e djalit të dytë...!Të parin ia kishte vrarë më 1997, miku i Fatos Nanos, Nehat Kulla!

Pyetja që doli nga shumë gojë dje në Kavajë, mes tronditjes dhe revoltimit, ishte: si mund të nxirret nga burgu një vrasës brenda një kohe kaq të shkurtër, njësoj si Dan Hutrën e jo pak të tjerë si ai? Sikur të ishte në burg, aq sa meritonte, nuk do ta kishte vrarë sot një njeri tjetër e nuk do të ishte vrarë as vetë...?! Na mbetet të ngushëllojmë familjet e dy të vrarëve, njerëzit më të afërt për ata e t'i këshillojmë me dashamirësi e sinqeritet të fusin thellë në varre edhe çdo flakës sherri dhe gjakmarrjeje! Sepse dëshpërimi prindëror, bashkëshortor, vëllazëror...nga ikja shumë e parakohshme nga kjo jetë e dy njerëzve të shtrenjtë, është shumëfish më i madh se sa shqetësimet që u kanë shkaktuar me sherret dhe telashet e mëparshme...!

Më shumë nga të gjithë, duhet ngushëlluar fëmija e vogël që kishte kuksiani Altin Rexha në dorë në çastin e vrasjes.

Me siguri, ai vogëlush do ta përjetojë shumë gjatë, me tmerr e lemeri, skenën që i kanë parë sytë në ato minuta, më 29 mars 2023 dhe do të ketë nevojë edhe për përkujdesje dhe trajtim nga një mjek specialist, neuropsikolog...! Por, edhe t'i lutemi Zotit në qiell që të na dojë pak më shumë e të na mbrojë pak më tepër se sa në këta 110, 78, 32 ...vjet! Sepse policia e shtetit dhe qeverisë në tokë nuk na mbron dot, edhe pse kryeministri e mbron dhe justifikon kot me fjalë, të cilat më shumë shkaktojnë nervozizëm, zemërim, mosbesim, pasiguri... tek shumica e popullit...

Njëherazi, i nxisin dhe trimërojnë edhe më shumë krimin ordiner apo të organizuar...si dhe prokurorë e gjykatës të abuzojnë me ligjet, si në këta 78 e 32 vjet...! Këto fjalë politikani e pushtetari nuk bindin askënd që shikon me sytë e tij dhe gjykon me mendjen e vet e jo të partisë e të dopiokryetarit të zemrës dhe votës! Vetëm brenda pak orëve, dje, më 29 mars, listës së gjatë të të vrarëve në këta 3 muajt e parë të vitit 2023, iu shtuan 4 vetë.

Dhe megjithatë, edhe pse në dijeni të plotë të statistikave shumë shprehëse dhe diskretituese për rendin dhe sigurinë e jetës në vend, kryeministri Edi Rama vazhdon të përrallisë se "policia është efikase dhe rendi nuk ka qenë kurrë më mirë"! Për më tepër sfidim, prepotencë, arrogancë, mosreflektim... ndaj opinionit publik dhe shumicës së popullit, as e çon ndërmend "t'i kujtojë" ministrit të brendshëm dhe...vetvetes traditën dhe praktikën e moçme e të freskët të dorëheqies!!!?

Mos vallë do ta bëjnë këtë kur të vritet...shqiptari i fundit i mbetur në vend, pa ikur në vende të Perendimit, nënkuptohet, qytetar i thjeshtë e hallexhi e jo politikan, deputet, pushtetar, i përmbytur nga multimilionat dhe pasuri të tjera shumëformëshe...?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat