Mos marshoni! Protestoni kundër atyre që kanë vjedhur për 20 vjet

Opinione

Mos marshoni! Protestoni kundër atyre që kanë vjedhur për 20 vjet

Nga: Faton Mehmeti Më: 2 prill 2023 Në ora: 16:31
Autori Faton Mehmeti

Këtë të diel u mbajt të mbahet “Marshi për Drejtësi” në mbështetje të ish luftëtarëve që gjenden në paraburgim në Hagë. Sa herë që është përmendur ndonjë nga ish komandantët e luftës për ndonjë skandal apo betejë me ligjin me kritikat që e kanë përcjell këtë nga njerëz të pavarur dhe me guxim, janë sulmuar nga ata disa të tjerë se gjoja po sulmon çlirimtarët. Askush, pavarësisht meritave që ka, s'ka të drejtë të vjedh vendin e tij, ai që vjedh është hajn. Do të ishte paradoks të mendohet se një njeri mund të jetë edhe çlirimtar edhe hajn, kur ndodh kjo, gjë që nuk përjashtohet, atëherë epiteti i çlirimtarit venitet.

Po ashtu venitet dhe vihet në dyshim edhe kontributi i tij, qëllimi i vërtetë i luftës së tij, mes dyshimeve: A ka luftuar vërtet për atdhe apo për ta vjedhur atdheun. Është vështirë të besohet se një njeri që ka luftuar “me hallall”, që ka paramenduar edhe vdekjen të mund të jetë hajn. Fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur, nga ata që ditë e natë janë thirrur për luftë, për çlirim.

Edhe kur janë zbuluar haptazi për punë të posta janë mundur të fshihen pas luftës, me tone patetike kanë tentuar t’ua shpërlajnë njerëzve trurin, se ne jemi më të mirë ose në rastin tjetër “ne, jemi e keqja më e vogël”, këto stigmatizime nuk pinë më ujë. Edhe sloganet “Liria ka emër” duke dedikuar atyre që janë në Hagë, për më tepër të atyre që akuzohen për vrasje të shqiptarëve, shto këtu edhe aferat e dala hapur në Kosovë të tipit “Pronto”. Këta njerëz që thanë se i kanë dhënë vendit çdo gjë, si është e mundur që u bën milionerë pas luftës, kur s’kanë të deklaruar asnjë biznes, përveç pagës që marrin nga shteti. Prandaj, si mund të bëhet marsh për të tillët?!

Disa nga ata që e quajnë vetën luftëtarë, janë po ata që janë shmangur në të gjitha betejat. Njëri nga ata në çdo ofensivë ankohej se i dhimbte barku, duke ndenjur në banjo sa kryhej ofensiva, kështu bënte çdo herë, është po i njëjti që paslufte u bë ministër.

Po ashtu, i njëjti që u ka dhënë dajallarëve tenderët. Ky nuk ka qenë kurrë çlirimtar, qytetarët e kanë kuptuar, andaj edhe e kanë ndëshkuar si mos më keq në zgjedhje. Fatkeqësisht, ka akoma njerëz që u besojnë këtyre mashtruesve, fatmirësisht janë të paktë, pasi shumica më e madhe e kanë kuptuar kush janë, koha e tyre ka praruar në mënyrën më të keqe të mundshme, me ndëshkim qytetar në mënyrë plebishitare. Ai që lufton për vendin e tij, ai që është vërtetë çlirimtar kurrë nuk e vjedh vendin, ai që vjedh nuk është kurrë çlirimtar, është hajn. Këto dhe shumë arsye tjera ma bëjnë të pamundur të jem pjesë e një marshi të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat