Procesi i shekullit!

Opinione

Procesi i shekullit!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:15
Sherif Ramabaja

Ishte paralajmëruar me vite. Ishte hartuar edhe një raport i Dick Martyt, si bazë e këtij procesi.

Kuvendi ishte pajtuar me themelimin e Gjykatës Speciale. U tha se kjo ishte një dhuratë për Serbinë.

Po ashtu u fol se komandantët shkuan, ta mbronin pafajësinë në Evropë. U lexuan aktakuzat.

Një palë aktakuzat i barazuan me luftën e UÇK, të tjerët thanë se aktakuza u përket vetëm personave të caktuar.

Disa po shpresojnë se e vërteta për vrasjet politike do të zbardhet, kurse komandantët për një pjesë janë idol dhe idhuj, të sakrificës dhe lirisë.

E vërteta po kuptohet në vija të ndryshme. E vërteta po kuptohet në kënde të ndryshme. E vërteta po kuptohet si relative, kush si e merr. Në realitet frontet po tregohen të ndara.

Tytat kur drejtohen nuk dihet se cilin e kapin. Për komandantët këto tyta ishin  vetëm për vrasësit e lirisë. Këto tyta ishin për ta mbrojtur qenien njerëzore nga shfarosja. Po tytat nganjëherë, kapin gjithçka që u del përpara.

Po flitet se do të vërtetohet, se në çfarë gjerësie operonin tytat. Kishin rënë njerëz të penës. Kishin rënë personalitete të lirisë dhe kombit. Kishin rënë personalitete, që një jetë ishin angazhuar për çështjen kombëtare. Kishin rënë personalitete që ishin dorë e djathtë e Rugovës, simbolit të rezistencës dhe themeluesit të shtetësisë së Kosovës.

Këto personalitete për një grup, i cili veten e quante marksistët – leninistët e Kosovës, duke e përfshirë edhe Rugovën i krahasonin si rrezik për kombin. Këto grupe në vitet e 80 shiheshin me simpati duke mos e njohur realitetin në Shqipëri, por kur u zbulua e vërteta mbi enverizmin dhe stalinizmin në shtetin amë, filluan ta humbnin mbështetjen.

Atyre nuk u mbetej tjetër përpos të luftonin për prestigj. Prestigji i tyre pra ishin aktet “revolucionare” dhe rrëmbimi i pushtetit, pa marr parasysh se rrethanat, me shpejtësi po ndryshonin.  Shqiptarët dinin si të orientoheshin duke u radhitur drejt perëndimit, siç kishte vepruar edhe Gjergj Kastrioti.

Këto grupe më vonë pa u “reformuar” sepse ideologjitë mbesin të tilla, filluan  t´u përshtateshin rrethanave të kohës.

Filluan në mënyrë taktike të afroheshin me perëndimin, duke synuar ta fitonin simpatinë e popullit dhe institucioneve perëndimore. Përçarjen nuk e donte askush, duke llogaritur dëmin që na ka sjellur në të kaluarën dhe sot.

Po të arrihej një marrëveshje e përbashkët do të përshëndetej nga populli, por kundër bashkimit ishin shumë faktor me ndikim pansllavist.

Përçarja për ta ishte qëllimi përfundimtar që ta ruanin sundimin mbi shqiptarët. Ata investonin në këtë rrugë ashtu siç kishin vepruar me shekuj. Edhe cirku i sotëm në këtë gjykatë, është po nga ta i përgatitur.

Themelimin e kësaj Gjykate e kishte kërkuar Rusia dhe Serbia të cilave nuk mund t´u kundërviheshin as ata të cilët e kundërshtonin. Sot kjo Gjykatë nuk mund të injorohet edhe pse Rusia vetë po ushtron gjenocid në Ukrainë. Procesi do të shkoi deri në fund. Ndarja do të minimizohej po të vërtetohej se pas vrasjeve politike qëndron Serbia ?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat