Dekonspirimi i demagogjisë në Gjyqin e Hagës!

Opinione

Dekonspirimi i demagogjisë në Gjyqin e Hagës!

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 6 prill 2023 Në ora: 20:59
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Katër ish-komandantë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës kanë nisë seancat e gjykimit në Hagë. Midis tyre dhe kryesori është ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Janë vetëm tri ditët e para të seancave gjyqësore. Megjithatë këto tri seanca na japin mundësinë të themi diçka rreth asaj që po ndodh aty.

Në Prishtinë më datën 2 prill u mblodhën e protestuan mijëra qytetarë në mbrojtje të këtyre katër ish-komandantëve. Të nesërmen disa qindra të tjerë protestuan edhe para gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Por organizatorët e këtyre protestave, në vend që të shprehnin mbështetjen ndaj komandantëve, thirrën e mbajtën fjalime për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke pohuar se ishte kjo ushtri në bankën e të akuzuarve. Organizatorët janë politikanë. Janë përgjegjës dhe të vetëdijshëm për çdo gjë që bëjnë. Në këtë kuptim ata duhej e duhet ta dinë se të përpiqesh të fajësosh UÇK-në është krim, është akt anti-shqiptar.

Gjithkush në botë do të përpiqej që faji, nëse provohet, të mbetej te individët. Ne shqiptarët duam ta ndajmë me atë Ushtri, e cila ka shënuar akte të lavdishme për lirinë e popullit të vet. Edhe Serbia sot e kësaj dite thotë se faji për gjenocidin serb në Kosovë është i Milosheviçit dhe nuk e pranojnë se për këtë ka faj shteti serb. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë dhe disa politikanë në Kosovë sa herë flasin për gjykatën në Hagë flasin për “mbrojtjen” e UÇK-së, ndërkohë që prokurorët dhe gjykatësit e kësaj gjykate thonë se aty në sallë nuk është Ushtria çlirimtare e Kosovës. Nga ana tjetër, kur kryeministri shqiptar flet për krimet e gjenocidin serb në Kosovë, thotë se ajo “ishte një rrëmujë ballkanike”. Pra, ia lehtëson barrën shtetit të Serbisë, ndërkohë që në rastin e Hashim Thaçit dëshiron t’ia kalojë këtë barrë UÇK-së.

Në këtë linjë po shkojnë gjithashtu pohimet e zotit Thaçi e ndonjë tjetri që gjykohet në Hagë. Sipas tyre, UÇK nuk kishte shtab të Përgjithshëm, ose se “Ky shtab ka ekzistuar vetëm në letër”! Por ama ata po thonë se kishte UÇK të organizuar në formën horizontale. Nëse e zbërthejmë këtë tezë të ish-presidentit Thaçi, atëherë duket sikur ai dëshiron ta transferojë përgjegjësinë e krimeve te strukturat horizontale, te komandat zonale, prej Adem Jasharit e deri të Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë ish-komandantë zonash.

Por jo vetëm kaq! Me përpjekjen për të mohuar ekzistencën dhe veprimtarinë e shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zoti Thaçi zbulon thelbin e demagogjisë së tij. Ai, në emër të luftës e të kontributit të tij si Komandant i saj, iu imponua Kosovës për gati dy dekada. Madje abuzoi me pushtetin e pasuritë e vendit. Madje me bllok në dorë, duke u diktuar edhe rektorëve se kë duhet ta marrin e kë duhet ta largojnë nga stafet akademike. Ndërkohë tani, kur sheh se “laku është ngushtuar” ka filluar të flasë përçart.

Thotë se “nuk isha unë komandanti”! Thotë se “nuk duhen marrë parasysh ato që shkruhen në libra biografikë e të kujtimeve”! Ai vetë në librin e tij të sponsorizuar qindra-mijë euro nga shteti i Kosovës, shkruan me një gjuhë denigruese për Ibrahim Rugovën. Ndërsa në bankën e të akuzuarve e thërret atë në ndihmë. Nuk po shkruaj për aktet anti-Rugovë në bashkëpunim me autoritetet e qeverisë së Tiranës së Fatësove e Mejdaneve. Nuk po shkruaj as për aktet terroriste ndaj tij. Një libër tjetër për organizimin e funksionimin e UÇK_ së e ka shkruar edhe zoti Jakup Krasniqi. Në atë libër ai jo vetëm pranon se shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së funksioni gjatë luftës për mrekulli, por shpjegon gjithë strukturën organizative të kësaj ushtrie. Prandaj dhe fabula, sipas të cilës “shtabi i Përgjithshëm nuk ka ekzistuar” është e pavlerë dhe thjesht alibi!

Seancat e tri ditëve të para të gjyqit kundër Hashim Thaçit në Hagë na zbuluan se sa demagogji dhe sa shumë ligësi ka prodhuar ai njeri. Mjafton që t’i shpëtojë përgjegjësisë, ai u shfaq i gatshëm të mohojë gjithçka, edhe ekzistencën e tij fizike! U përpoq që të thërrasë në ndihmë viktimat e veta, përfshirë Ibrahim Rugovën! U përpoq të thotë se “nuk di asgjë”, ndërkohë që ishte dhe mbeti deri në fund aleati i nguhtë i Fatos Klosit, njërit prej emrave më të zi të terrorit në Shqipëri. Me ndihmën e socialistëve të Tiranës, fillimisht të Fatos Klosit e në fund të Edi Ramës ai shijoi prestigjin e të qenit “Uashingtoni i Kosovës”! Ndërsa tani thotë se ishte “bira e fundit e kavallit”!

Përmes Fatos Klosit ai mësoi taktikën e imponimit me metoda terroriste ndaj kundërshtarëve politikë. Me udhëzimet e ish-shefit të shërbimit sekret të Shqipërisë, Hashim Thaçi, transmetoi te vartësit e tij metodat e luftës civile të partizanëve të Enver Hoxhës të viteve 1944-1945. Krimet e vrasjet pa gjyq të diktatorit shqiptar vazhduan gjatë Luftës së Dytë Botërore e disa vite pas saj. E njëjta metodë u aplikua nga Hashim Thaçi. Vrasjet nisën që gjatë luftës dhe vazhduan edhe pas saj. Ish-komandanti i kishte të gjithë instrumentet që të zbulonte autorët e këtyre vrasjeve. Por nuk e bëri. Mjafton ky fakt për të dyshuar së paku se ai vetë kishte dorë në disa prej tyre.

Për të gjitha këto arsye gjykata Speciale e Kosovës duhet t’i shkojë deri në fund zbulimit të së vërtetës. Nëse ish-presidenti i Kosovës del i pafajshëm, atëherë le ta shijojë pafajësinë. Por viktimat dhe familjet e tyre duan drejtësi, jo demagogji. Demagogjia e Thaçit duhet të marrë fund. Demagogjia dhe alibia e tij anti-UÇK është një arsye më shumë për të shtuar dyshimet për krime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat