24 vite nga eksodi i Shqiptarëve në kampin famkeq të Bllacës!

Opinione

24 vite nga eksodi i Shqiptarëve në kampin famkeq të Bllacës!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 10 prill 2023 Në ora: 21:24
Autori Ismail Muçiqi

Ata që e përjetuan ferrin në kampin e Bllacës janë pjesë e historisë së re të luftës së fundit që e bëri Serbia kundër Kosovës. Për hir të gjeneratës së re po i them disa fjalë për ngjarjen më të tmerrshme që e kanë përjetuar afër 400 mijë qytetarë të Kosovës nga fashizmi serbë. Sot kur e kujtojmë 24 vjetorin e këtij kampi famëkeq duhet tu tregojmë gjeneratës së re e cila lindi pas luftës se Bllaca ishte holokausti i Shqiptarëve në shekullin e kaluar.

Si gazetar, korrespodent i Gazetës Flaka e “Vllaznimit” e cila botohej në Shkup pata fatin që bashkë me popullin e Kosovës të jem pjesë e këtij vendi të mallkuar, në të cilën me ditë të tëra njerëzit qëndruan në natyrë pa kulm mbi kokë, pa ujë, pa rrymë, pa ushqim e pa barëra. Në atë kohë qëndronim në mes të zonave kufitare në mes Kosovës dhe Maqedonisë nga dy anët e kodrave për rreth nesh ishin pozicionuar snajperistët e ushtrisë dhe policisë serbe të cilët ishin rrezik permanent për sigurinë dhe jetën e njerëzve që ishin vendos në Bllacën famëkeqe.

I thamë këto fjalë si dëshmitar i ngjarjes faktike që bashkë me disa veprimtarë u organizuam për ta menaxhuar kampin e Shqiptarëve të përndjekur që mundoheshin të mbijetojnë nga shiu dhe moti i keq me plotë stres dhe trauma më të ndryshme për jetën e tyre. Gjatë qëndrimit në këtë zonë të ferrit vdiqën mbi 40 qytetar me probleme të ndryshme shëndetësore dhe nga pasojat e dhunës dhe luftës që përjetuan. Në këtë përvjetor edhe pas 24 viteve më duhet ta përmendi bashkëpunimin tonë me shoqatat humanitare: “Kalliri i Mirësisë” nga Shkupi, shoqatën humanitare bamirëse “El – Hilal” nga Maqedonia, firmën “Musli Kompania” të cilët nuk kursyen as mund as para për të sjellë ndihma për njerëzit e përndjekur të cilët ishin mbetur në mëshirën e askujt.

Më thotë mendja se në këtë përvjetor më në fund duhet të vij në shprehje ndërgjegjja dhe obligimi i institucioneve të shtetit që në këtë vend të mallkuar (Bllacë) të ndërtohet memoriali historik i cili do ta pasqyroj eksodin e Shqiptarëve të përndjekur nga fashizmi serbë. Mjerisht Shqiptarët për shkaqe më të ndryshme gjatë proceseve, janë vonuar në histori. Gjithmonë në minutat e fundit u ka kaluar treni dhe kjo u ka kushtuar me shekuj. Andaj kemi obligim që gjeneratës së re ti a shpjegojmë vuajtjet e luftës së fundit dhe holokaustin e kampit të Bllacës famëkeqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat