Çmimet në stratosferë, populli me durim unikal në nivel global...!?

Opinione

Çmimet në stratosferë, populli me durim unikal në nivel global...!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 11 prill 2023 Në ora: 08:03
Xhevat Mustafa

sot po i rikthehem trajtimit të një teme aktuale për deri sa është e vjetër mungesa e reagimit qeveritar dhe qytetar. Një javë qëndrim në Kosovë dhe vizitat në disa qytete të saj më ndihmuan të vë re, krahas ndryshimeve pozitive, edhe rrjedhojat e krizave të këtyre 3 viteve, shprehur sidomos në rritjen e niveleve të çmimeve të artikujve të konsumit të përditshëm e jetik, të papunësisë, varfërisë, falimentimeve emigracionit, kriminalitetit...Gjithësesi, edhe në këto ditë, në tregjet e Kosovës, supermarkete dhe dyqane të vegjël, gjenden dhe blihen me çmime më të ulet se në Shqipëri në rreth 25- 50%, uji, mjalti, lëngjet e frutave, bulmetrat (qumështi, kosi, gjalpi, djathërat, gjiza...). Po kështu, kanë çmime më të ultë mishrat, sallamërat, vezët, mielli, bukët e bardha e të zeza, makaronat, orizi, ëmbëlsirat(bakllavaja, kadaifi, tortat, tollumbat, sheqerparja), çokollatat, nutelat, reçelrat, biskotat, patatinat, cornfleksat...! Edhe arrat, bajamet, lajthitë, kikirikët, hurmat e Arabisë..., fruta-perimet si patatet, qepët, specat, fasulet, turshitë, mollët, dardhat, bananet, luleshtrydhet...janë me çmime në rreth 25% më të ulët...!

Ndërsa në Shqipëri çmimet e vezëve janë nga 17, 25, 28.5, 32, 35 lekë kokrra, në Kosovë janë në 12- 20 cent kokrra! Duke vështruar tabelat në pikat e furnizimit me karburante në Kosovë, vend jo prodhues, por importues, çmimi i karburanteve është në rreth 1,28-1.38 euro ose në rreth 20-30 lekë më lirë se sa në Shqipëri, pra nga vendi prodhues nga merret sasia më e madhe. Nivelet e çmimeve të shumicës së artikujve ushqimorë, të kozmetikës, higjenës, veshjeve..., në Kosovë janë të përafërt me të Gjermanisë, por gjithësesi ndjeshëm më të ulët dhe më normalë për kohë krizash se sa ato të Shqipërisë! Mund t'i krahasoni vetë me çmimet në Shqipëri, që të keni një bindje me të saktë se jemi vend unikal jo vetëm në Evropë, por, ndoshta edhe në nivel global, edhe për çmime paradoksalë e të çmendur krahasuar me pagat dhe pensionet mujore të deri sotme, ndër më të ulëtat në Evropë!

Por, edhe se kemi qeveritarë-pushtetarët dhe tregtarët më të pashpirtë, më të pangopshëm dhe më të paskrupullt për përfitime ngushtësisht individuale e familjare. Ky krahasim ndihmon edhe që të binden ata qytetarë, masivisht partiakë fanatikë apo militantë të majtë, se në këta afro 10 vjet të Rama- qeverive shumica e qytetarëve kanë rënë nga shiu në breshër, po varfërohen, vidhen, detyrohen të braktisin prindër e familje duke shkuar emigrantë në vende të Perëndimit Kapitalist, ku pagat dhe pensionet janë 5- 10 herë më të larta dhe çmimet 25-50% më të ulëta se në Shqipëri. Por, edhe ku ka shtete ligjorë e socialë funksionalë dhe të përjetueshëm e jo si në Shqipëri, vetëm me fjalë fjalimesh dhe premtimesh elektorale. Së fundi, shkojnë emigrantë në vende të Perëndimit Kapitalist edhe pse këto vende nuk bëjnë eksperimente e lojëra të rrezikshme me qeverisjen dhe me postet më të lartë. Në këto vende me nivele të larta jetese, demokracie, emancipimi qytetar..., i kanë kryeministrat, presidentët, ministrat, përgjithësisht të zgjedhur jo për merita militantizmi partiak dhe për votablerjeje e votavjedhjeje, por elitarizmi profesional dhe intelektual.

Duke qenë amatorë në artin e qeverisjes në kohë moderne, “çupa” dhe “çunakë” në moshë për klube nate e jo në vendin e duhur në postet e lartë që kanë rrëmbyer dhe mbajnë me thonj e me dhëmbë, ndryshe nga homologët e tyre në vende të perëndimit, qeveritarët shqiptarë nuk dinë apo nuk duan të mbrojnë qytetarët e të detyrojnë tregtarët, me fuqitë, instrumentet dhe masat që u jep ligji. të mos abuzojnë pashpirtësisht me sloganin "ekonomi e tregut të lirë"! Por, edhe që të mos livadhisin me mungesën e kontrolleve dhe detyrimeve qeveritare edhe në politikën e çmimeve, e ndjeshme dhe përcaktuese në përditshmërinë dhe nivelin e jetesës! Ndryshe nga sa ka ndodhur e po ndodh në shumicën e vendeve të botës, në Shqipëri në këta mbi 9 vjet çmimet në tregje, hotele, restorante..., kanë njohur vetëm rritje e nuk njohin ulje apo zbritje të ndjeshme e të rregullta, as për të premte e të shtuna! nëse aplikohen zbritjet dhe aksionet e çmimeve në raste festash, ato janë në nivele të ulëta ose të rreme...! Ky anormalitet, kontrast i ndjeshëm, absurditet çnjerëzor e kriminal në vendin tonë shprehet edhe në informacionin e publikuar më 8 prill 2023 në edicionin e lajmeve të orës 19.30 të TV KLAN. Për përforcim besueshmërie shkëputa një pjesë të shkurtër nga ky informacion fare i freskët. “Çmimet e ushqimeve në gjithë globin u reduktuan në Mars 2023, për të 12-in muaj radhazi. Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit FAO, është hera e parë që çmimet reduktohen pa ndërprerë në një hark kohor prej një viti, që pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë.

Mesatarja mujore e çmimeve të ushqimeve ra me 2.1% në Mars, dhe me 20.5% krahasuar me 1 vit më parë. Drithërat shënuan edhe rënien më të madhe në një muaj, me 5.6%. Ndër to veçohet gruri që pati reduktimin më të lartë të çmimit me 7.1% që pas marrëveshjes për garantimin e eksporteve nga Ukraina. Ndërsa vajrat ushqimorë, pavarësisht se kanë një rënie të ulët të çmimeve brenda 1 muaji, kanë pësuar një reduktim me gati 50%, brenda një viti. Çmimet e qumështit ranë me 0.8% në një muaj, duke kontribuar në një rënie prej 10.7% krahasuar me një vit më parë. Në dallim me ecurinë e çmimeve në përgjithësi, ai i mishit u rrit me 0.8% këtë muaj, por gjithsesi në një vit ka pësuar ulje të ndjeshme...” Këto shifra janë shumë shprehëse e flasin shumë më mirë se unë dhe natyrisht, edhe se pushtetarët dhe qeveritarët Edi Rama, Linda Balluku, Delina Ibrahimaj, Frida Krifca....Referuar edhe kësaj dukurie globale si dhe gjendjes së pandryshueshme në Shqipëri, deri më sot, edhe një herë tjetër, si QYTETAR, po përsëris SHQIP një apel “të vjetër”. Është e padiskutueshme se e kanë dëgjuar e kuptuar mirë të gjithë ata që shikojnë me sytë e veta, që gjykojnë, reflektojnë dhe reagojnë me mendt e veta e jo të partisë dhe kryetarit të zemrës!

Pra, ky apel i sinqertë qytetar i adresohet pjesës së “popullit të majtë”, që, mbështetur dhe justifikuar në të ardhura dhe përfitime më të mëdha ngushtësisht individuale dhe familjare, ndëshkojnë prej afro 10 vitesh shumicën e popullit, duke e dashur, mbështetur dhe votuar masivisht dhe “verbërisht” Rama-parti-qeverinë! Paradoksalisht apo edhe ligësisht i bëjnë këto edhe pse kjo qeverisje gjasëm e majtë u ka nxirë jetën dhe Shqipërinë rreth 2 milionë të tjerëve, me të ardhura mujore familjare, në rreth 200-500 euro, një përqindje e ndjeshme e tyre edhe me 3-4 frymë!!!??? Rreth 10 vjet janë shumë për t'u bindur për paaftësinë masive të Edi Ramës individualisht dhe si ekip qeveritar përballë lëmshit të sfidave, problemeve, krizave; për dështimet dhe korrupsionin e pafre e masiv në shumicën e fronteve apo fushave edhe nga plot zyrtarë të lartë në qeveritë e Rama- rilindjes!

Vazhdimi i ngujimit nëpër kafene dhe para ekraneve për telenovela turke e ndeshje futbolli; për maskaradat e Big brother...; nënkupton e sjell nëpërkëmbje të mëtejshme të kërkesave allashqiptare për jetesë më të mirë, më të lirë, më normale e më të dinjitetshme! Njëherazi, ky indiferentizëm apo paralizim masiv shpreh edhe nënshtrim më të madh ndaj shurdh- memecërisë, ndaj autoritarizmit, arrogancës, prepotencës, ambicjeve dhe orekseve të pangopshme, shumica të pista ligjërisht dhe moralisht, të pushtetarëve dhe tregtarëve të tri niveleve! Duke u shprehur në mënyrë figurative, dëshpëruese e qortuese, edhe kope apo tufa bagëtish, nuk do t'i duronin kaq gjatë "barinjtë" e tyre të pashpirt, t'ua nxijnë dhe shkurtojnë jetët, t'ua bëjnë “plagë e gjak” trupat, shpirtrat, zemrat...dhe të ferrshme jetesën e përditshme”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat