Luftën dhe gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve tanë të rënë për liri dhe pavarësi, nuk mund ta njollos asnjë gjykatë, por as individët?

Opinione

Luftën dhe gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve tanë të rënë për liri dhe pavarësi, nuk mund ta njollos asnjë gjykatë, por as individët?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 11 prill 2023 Në ora: 23:02
Autori Rexhep Elezaj

Asnjë luftë çlirimtare e bërë nga popuj të shumtë në botë për t’u çliruar nga robëria, pushtimi dhe kolonializmi, e, që luftëra të tilla ka pasur të panumërta, qoftë ato të popujve aziatik dhe afrikan për t’u çliruar nga kolonializmi anglez, qoftë ato nga pushtimi francez, qoftë ato për t’u çliruar nga pushtimi i komunizmit ruso-sllav, përfshirë dhe luftërat e fundit në Ballkan për t’u çliruar nga pushtimi i egër i Serbisë hegjemoniste, si ajo në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, asnjëherë në histori nuk kanë pasur epitet tjetër, përveç si luftëra çlirimtare për liri dhe pavarësi.

Siç, edhe asnjëra prej tyre nuk ka mundur të njolloset apo të merr ndonjë karakter tjetër, përveç atij çlirimtar, pa marrë parasysh faktin, se individë dhe komandantë të caktuar, apo grupe sabotuese të luftës, kanë mundur të bëjnë akte dhe veprime kriminale të ndaluara me ligjet ndërkombëtare të luftës, gjë e cila pa dyshim se ka ndodhur brenda çdo lufte çlirimtare në botë, jo vetëm në luftën e fundit në Kosovë.

Prandaj, ideja dhe tentimi naiv i disa individëve dhe grupeve të caktuara brenda UÇK-së, gjatë dhe sidomos pas luftës, për t’i krahasuar dhe identifikuar disa ish komandantë me vetë lirinë e një populli, siç është slogani përjashtues; “Liria ka emër”, ose duke i vënë ata mbi vetë luftën dhe vlerat e saja çlirimtare, duke iu dhënë epitetin, “komandant legjendarë, heronj dhe çlirimtarë të gjallë të Kosovës”, se gjoja pa heroizmin e tyre Kosova kurrë nuk do të çlirohej, etj. etj., analizuar sipas normave bashkëkohore të luftërave çlirimtare në botë, epitetet e cekura më lartë, në fakt i kanë dëmtuar vlerat e luftës sonë çlirimtare, siç e kanë ç’vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre në luftë, cilido ketë qenë ai. Ngase, i vetmi gjykues meritorë është populli, pra sovrani, ai i cili i vlerëson luftëtarët e vetë të lirisë dhe që ua jep vendin e merituar në histori, e jo individë apo grupe të caktuara, siç ka ndodhur me ardhjen në pushtet të krahit të luftës, i cili pa asnjë dyshim, vetvetes i ka thurur elegji dhe epitete hyjnore, duke i dhënë vetes merita më të mëdha siç i kanë takuar. Madje duke marrë edhe pushtet të tepruar, të cilin, në vend se ta zbatojnë për zhvillim të Kosovës, atë e kanë keqpërdorur për t’u pasuruar deri në ekstrem, dhe për këtë flasin me qindra fakte, ngase siç dihet shumë komandantë të luftës të cilët para luftës njiheshin si njerëz dhe familje të varfra, të njëjtit pas luftës brenda natës u bënë multi-milionerë, të cilët pa asnjë dhimbje i kanë keqpërdorë dhe shfrytëzuar për interesa të tyre familjare pasuritë natyrore dhe shtetërore të Kosovës, e cila kishte dalë nga një luftë e ndytë dhe më shkatërrimtare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore..!?

Shto kësaj tragji-komedie nacionale vrasjet e panumërta politike që kanë ndodhur gjatë, dhe sidomos pas mbarimit të lutës në Kosovë, një dukuri kjo kriminale e cila nuk e ka goditur asnjë popull në Evropë në këto përmasa, pra të kenë ndodhur kaq shumë vrasje dhe eliminime me motive politike, siç i ka ndodhur popullit shqiptar në Kosovë. Pra, me përmasa shumë tragjike, ku sipas shënimeve jozyrtare pas luftës në Kosovë janë vrarë pa nam dhe nishan afër 1842 shqiptarë..!?

Mjerisht, shqiptarët janë të njohur si komb që vrasin njëri tjetrin për shkaqe dhe motive politike, siç ka ndodhur në fund të shekullit 19-të, pra para vitit 1900, sidomos pas pavarësisë së Shqipërisë me 1912 e deri më sot, ku janë vrarë mizorisht patriotë dhe politikanë më të shquar të kombit shqiptar, siç ishte Ali Pashë Gusija (1887), Haxhi Zekë Peja (1902), Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri (1925), Hasan Prishtina (1933) si dhe shumë patriotë të tjerë, për të ecur me të njëjtën logjikë bizare deri tek vrasja e tribunit të demokracisë në Shqipëri, Azem Hajdarit (1998), të kolonel Ahmet Krasniqit (1998), Enver Malokut (1999), Xhemail Mustafës (2000), Smajl Hajdarajt dhe Ukë Bytyqit (2002), Tahir Zemajt (2003) si dhe shumë e shumë intelektualë dhe politikanë tjerë shqiptarë, që të gjithë të vrarë për motive politike..!?

Pra, përveç historisë, e cila e bën dallimin e qartë midis heronjve dhe luftëtarëve të vërtetë të lirisë dhe individëve apo grupeve që e kanë keqpërdorur luftën për interesa personale, do duhej që edhe ne si popull dhe si shoqëri demokratike patjetër ta bëjmë dallimin midis atyre që pa hezitim dhanë jetën për liri, dhe atyre të cilët luftën e kanë bërë me hile dhe për interesa puro personale. Ngase, duke u distancuar nga keqpërdoruesit e luftës dhe lirisë së Kosovës, do ia bëjmë shërbimin më të mirë pastërtisë si dhe ruajtjes së vlerave të vërteta të luftës sonë çlirimtare.

Përndryshe, historia nuk njeh individ dhe as figura lufte ose paqe në mënyrë të veçantë ose të privilegjuar nga të tjerët brenda asnjë populli, pra as atij shqiptar, ngase ajo, historia, i njeh dhe i përjetëson vetëm veprat e atyre të cilët kanë punuar dhe luftuar me zëmër dhe përkushtim për interesa të popullit, e jo të individëve..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat