Atdheu rrezikohet kur Edi Rama hiqet si patriot!

Opinione

Atdheu rrezikohet kur Edi Rama hiqet si patriot!

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi Më 14 maj 2023 Në ora: 09:52
Edi Rama

Disa ditë radhazi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u përfshi në një fushatë patriotizmi. Shkak u bë një intervistë e Fred Bejlerit, kandidat për bashkinë e Himarës i koalicionit Bashkë Fitojmë, në një gazetë greke. Sapo mediet e publikuan intervistën e konstetuar të Bejlerit, Edi Rama mori flamurin e „mbrojtjes“ së shqiptarizmit në Himarë, duke sulmuar kundërshtarin e vet politik.

Retorika e tij shkoi deri te bullizimi dhe fyerjet prej një njeriu të dehur në rrugicat e ndonjë lagjeje periferike. Fjala “maskara” ishte kryefjala e diskursit të kryeministrit të vendit.

E ndërkohë fyerjen dhe bullizimin e kundërshtarëve politike e motivoi me shprehjen e shumë përdorur: “Ky jam unë. Unë them atë ccfarë mendoj”! Dmth nuk ka rëndësi nëse mendimi I tij është racional e logjik, mjafton që ai ta mendojë diçka e ta thotë në publik! Këtë kryeministër e meritojmë se jo pak shqiptarë edhe e duartrokasin! Por pse Edi Rama u bë papritmas “patriot” dhe nuk u vu “falas” në mbrojtje të shqiptarizimit në Himarë?! Disa thonë se mbron intetesat e mafies në pronat e bregdetit.

Disa e lidhin me interesat e grupit qeveritare të familjes, si dhe investimet në këtë zonë. Qëndrojnë të gjitha ato që thuhen. Por si për rastësi, retorika nacionaliste e Ramës doli në skenë vetëm një ditë pasi ministria e Jashtme e Shqipërisë i kërkoi autorizimin presidentit të Republikës për të negociuar për vijën kufitare detare me Greqinë. Përpara shitjes së detit Jon, Ramës i duhet shfaqja e tij teatrale e patriotizmit. Eshtë maska e tradhtisë kombëtare. Eshtë perdja që e ve në gjumë miletin tonë “patriot”! Eshtë skema e fshehjes së asaj çfarë ai ka bërë gati nga deti ynë për ta shit te Greqia në këmbim të mbështetjes greke, jo për integrimin e Shqipërisë në BE, por për ruajtjen e pushtetit e të pasurive të grabitura! Në nëntor 2014 Edi Rama ishte për vizitë në Beograd.

Të gjithë e kujtojmë se si ai u tha serbëve. “Kosova është e pavarur”, tha!

Entusiazëm i madh i krijua te shqiptarët! “Rama është patrioti më i madh shqiptar”, thonin disa. Pra, ata që i besuan fjalëve të kryeministrit të Shqipërisë thanë se “Ky është udhëheqësi që na duhet”! Dhe Rama u bë “ylli i patriotizmit”, për të mos thënë i nacionalizmit shqiptar. Por pati edhe skeptikë. Ishte logjike të besoje se po luhej një lloj komedie në qendër të Beogradit. Skena të tilla nuk ndodhin në diplomaci, nëse nuk ka ndonjë skenar. Vetëm pak javë më vonë mësuam se një skenar po vihej në veprim. Fillimisht nisi me iniciativën e Vuccicc për të krijuar “Jugosllavinë e Re”.

Madje ai e shpalli veten si një “Tito i Ri”! Serbët në fakt e urrojnë Titon. Por kryeministri i atëhershëm i Serbisë zgodhi modelin e tij. Dëshiron të rifusë në kufijtë e tij shtetërorë Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën e madje edhe Shqipërinë. Por nuk pati iluzion se mund t’i kthente në këtë Jugosllavi Slloveninë dhe Kroacinë. Ky projekt u dogj njëherë me dëshirën e vetë Vuccicc, sepse ai mundi ta bindë fillimisht Ramën e më pas Thaçin për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Patriotizmi për “pavarësinë e Kosovës” të shpallur nga Rama në Beograd përfundoi në zbatimin e projektit të Milosheviçit për ndarjen e saj. Por dështoi edhe iniciativa për ndarjen e Kosovës.

Së paku deri tani. Atëherë “patrioti Rama” u bë bashkëdrejtues i iniciativës së Open Balkan, emërtuar fillimisht si Minishengen. Edhe në këtë rast për ta shndërruar Serbinë në një vend dominant dhe hegjemon në Ballkan. Kryeministri shqiptar, më shumë se presidenti serb, u bë arrogant ndaj tri vendeve që nuk u bënë pjesë e Ballkanit të Hapur, përkatësisht Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkaq për t’ia arrit këtij qëllimi kreu i ekzekutivit shqiptar mbështeti të gjitha përpjekjet e Beogradit për ta shtri influencën në Mal të Zi e BH. Madje ai me kënaqësi fotografohet me Milorad Dodikun, një rrënues të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe paqes në rajon. Në kulmin e përpjekjeve të tij për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës e ndarjes së saj, Edi Rama deklaroi gjatë një vizite të tijën në Prishtinë se “Së shpejti Shqipëria dhe Kosova do të kenë një president të përbashkët”! U duartrokit nga patriotët folklorikë, të cilët e ngritën lart për idenë e tij “të bashkimit kombëtar”!

Pakkush e kuptoi hilen e “patriotizmit” të Edi Ramës. Ai priste ndarjen e Kosovës dhe pjesa e mbetur do t’i bashkohej Shqipërisë. Me marrëveshje me Vuçiçin, natyrisht. Kjo do të sillte zgjedhjen e një presidenti. Ndoshta jo të një qeverie. Sepse Kosova e mbetur nga ndarja me Serbinë mund të kishte një qeverinë autonome të vetën. Identik e njëjtë është taktika e vetëshpalljes si patriot e Edi Ramës në ditët e sotme.

Atdheu duket se është në rrezik. Kur ai flet për patriotizëm, duhet ditur se një plagë e madhe e kërcënon territorin, sovranitetin dhe integritetin e vendit. Nuk ka rëndësi se ku, në Kosovë, në detin Jon apo në tokë. Diçka serioze dhe e rrëezikshme po vjen! Mos thoni së paku se nuk e keni ditur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat