14 maj 2023, fitore apo gjëmë?

Opinione

14 maj 2023, fitore apo gjëmë?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 maj 2023 Në ora: 13:23
Autori Xhevat Mustafa

Pas proçesit skandaloz dhe rezultatit jo të pastër, jo të sinqertë, jo të vërtetë dhe jo bindës në maskaradën zgjedhore të 14 majit 2023, natyrshëm e logjikshëm shumëkush mund të mendojë dhe formulojë, e pakta dy pyetje! E para, dita dhe “fitorja” e 14 majit 2023 e “të majtës” si dhe “humbja rrënuese” e opozitës, prej mbi 2 vjetësh si në gjendje kome, duhet të na shqetësojnë dhe frikësojnë apo të na gëzojnë dhe nxisin të festojmë? E dyta, rezultati faktik, por jo i vërtetë, nxjerrë nga “KQZ-ja qeveritare” apo çelibashiane, mund të na shtyjë të rimendojmë dhe riformulojmë kushedi për të satën herë pyetjen se se përse ne si vend e si popull vazhdojmë të jemi prej afro 79 vjetësh robër, skllevër, peng i kësaj gjasme të majte, me emrat PKSH, PPSH, PSSH, Rilindje dhe, njëherazi, sipas një tradite të lashtë, “armiqtë më të mëdhenj të vetveves?! Arsyet janë të shumta dhe komplekse. Idealizmi, sipas meje është i fundit.

Sepse ne si popull, sidomos pjesa, rreth 65-70% me banim, origjinë, mentalitet fshataresk, duke pasur pakët dhe të vakët edhe besimin në Zot e në fe, nuk mund të kishim më të lartë besimin, devotshmërinë, besnikërinë ndaj “partisë së zemrës”. Lidhjet dhe bashkëjetesa partiake kane qenë dhe janë thjeshtë për ambicie dhe interesa pragmatiste, individualiste, karrieriste, meskine, të pista, të turpshme, kriminale… Ideologjia marskiste-leniniste apo përrallat e komunizmit dhe socializmit tek ne gjetën “shtrat të ngrohtë” apo një tokë e klimë tejet të favorshme.

Shprehur edhe më shqip e troç fare” gjetën një popull, që mbi gjithçka, biles edhe ndaj njerëzve të afërm të familjeve, duke i spiunuar me dëshmi të sajuara dhe duke ua nxirë jetën për vite të tëra nëpër burgjet dhe kampet e internimit të ferrshme të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Spiro Kolekës, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Hekuran Isait, Simon Stefanit, Kristaq Ramës, Gramoz Rucit…vendos paranë, përfitimet ngushtësisht personale dhe familjare… Jam i bindur se jo pak prej këtyreve nuk kanë përjetuar vramendje dhe vrasje në ndërgjegje, edhe kur kanë kaluar me mendjet dhe këmbët e veta edhe në mercenarizëm, antishqiptarizëm, tradhti, bashkautorësi, bashkëfajësi, prostitucion politik dhe ordiner, barbari edhe ndaj bashkëkombësve, bashkëqytetarëve, bashkëfshatarëve, miqve, shokëve, kolegëve…Realiteti shqiptar i këtyre mbi 78 vjetëve ka dëshmuar dhe shprehur me fakte të panumërta se ky kontigjent masiv apo kjo kope “ujqërish dhe hienash me fytyra njerëzore” për interesat ngushtësisht personale, familjare, klanore, ortakërore, nuk kanë ndjerë dhe nuk ndjejnë dhimbje as kur kanë "varrosur për së gjalli" apo kanë " shkatërruar nga themelet" interesat, vlerat, traditat, historinë, trashëgiminë kombëtare e mbarëqytetare! As kur u kanë nxirë dhe shkurtuar jetët mijëra shqiptarëve apo bashkëkombësve…

As nuk u bën përshtypje, as nuk ndjejnë dhimbje e pendesë, që edhe pas mbi 78 vitesh gjasme komunizëm e gjasme socializëm dhe pas 32 vitesh gjasme demokraci e gjasme kapitalizëm…,jemi në këtë gjendje, të fundit ose të parafundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit, mirëqenies, demokratizimit, integrimit...As pse, për paradoks tronditës dhe kriminal, jemi ndër të parët për korrupsion, për pasuri të tundshme e të patundshme të një tufe bosësh apo oligarkësh në biznese të gjithfarëllojshme, shumica me tesera, bindje, vota, miliona për Rama- parti-qeverinë e për oligarkinë dhe “investitorët strategjikë” shqiptarë e ndërkombëtarë. Të gjithë këta, nën hundën e drejtësisë shqiptare e të disa ambasadorëve të vendeve aleate, e kanë shndërruar Shqipërinë e vogël në një lavatriçe gjigande për pastrimin e parave të pista e të përgjakshme nga Ballkani e deri nga Amerika Latine...!

Manipulimet me listat dhe aparaturat elektronike të identifikimit, shit-blerja masive e votave me para cash, me thasë me ushqime apo me kërcënimet për humbjen dhe premtimet për dhurimin e vendit të punës, për “fitorjen historike” të 14 majit 2023, shprehën lakuriq se për plot shqiptarë një dorë lekë më shumë në pagë, pension, biznes; një vend pune për vete, djalin, vajzën, nusen e djalit, dhëndrin, nipin, mbesën...vlejnë më shumë se ideali, ndershmëria, besa, miqësia, lagjja, qyteti, Shqipëria, historia, trashëgimia, identiteti kulturor e kombëtar...Edhe më rëndë: edhe se emri dhe dinjiteti i tyre, edhe se nderi i fëmijës e familjes, edhe se atdheu, edhe se Zoti...Prandaj , si vend e si popull, kemi lindur edhe heronj legjendarë, me emër, respektim dhe famë deri përtej kufijve shqiptarë; edhe mercenarë, tradhtarë apo antishqiptarë të paparë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat