Konsumimi dhe Degradimi i partive politike në Kosovë!

Opinione

Konsumimi dhe Degradimi i partive politike në Kosovë!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 22 maj 2023 Në ora: 17:40
Autori Ismail Muçiqi

Ka ardhur koha që në jetën politike të fillojnë reformat për ta tejkaluar gjendjen aktuale ne partitë politike te Kosovës. Këto parti të cilat vite me radhë janë pjesë e Parlamentit të Kosovës janë harxhuar dhe nuk kanë ide e as program për ta zhvilluar demokracinë dhe për ta ndryshuar gjendjen për të mirë në institucionet e Shtetit. Lidhja Demokratike e Kosovës pas vdekjes të liderit historik Ibrahim Rugova pësojë rwnie drastike në imazhin dhe punën kreative për të bërë politikë të mirëfilltë në interes të Shtetit të Kosovës.

Kjo parti pati kriza më të ndryshme për titullarin e saj, që nga (Kuvendi i karrigeve) kjo parti nuk arriti të konsolidohet dhe ta rikthej imazhin dhe autoritetin që kishte në kohën e themeluesit dhe liderit historik. Klanet dhe grupet e interesit në Lidhjen Demokratike e mbajtën peng vizionin strategjik të programit të saj i cili prioritet të veçantë kishte zhvillimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit ligjorë si dhe integrimet e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Ndërrimet kadrovike adhok pa meritokraci e dëmtuan partin dhe e sollën në situatë të pa lakmueshme.

Po thuajse të njëjtën rrugë dhe fat e pati edhe Partia Demokratike e Kosovës e cila që nga themelimi i saj ishte pjesë e pushtetit dhe mbanë përgjegjësi për të gjitha proceset që i ndodhën Kosovës. Kjo parti mbanë përgjegjësi edhe për dialogun politike me Serbinë. Është bartëse e privatizimit të aseteve ekonomike të Shtetit të Kosovës. Ky proces u zhvillua në mënyrën më jo transparente duke abuzuar me pronën shoqërore. Kjo parti duke u thirrur me vlerat e UÇK-së më shumë u angazhua për interesat partiake, klanore dhe familjare sesa për interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës dhe për zhvillimin dhe mirëqenien ekonomike të gjithmbarshme të shtetit. Do të ishte e gjatë lista e dështimeve dhe dëmeve që i ndodhën Kosovës nen udhëheqjen e kësaj partie.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që nga themelimi i saj më shumë ishte një klub njerëzish e përbërë nga familjarët dhe miqtë e liderit sesa që ishte ndonjë subjekt politikë që kishte ndonjë fizionomi apo program politikë për të mirën e vendit. Lëvizja Vetëvendosje e cila morri 51% te votave te qytetareve e tani udhëheq me institucionet e shtetit, është ne sprove për ti dëshmuar dhe realizuar ne praktike premtimet e saja dhëne qytetareve për një Kosove me te zhvilluar, duke luftuar dukuritë negative, korrupsioni, krimin e organizuar dhe devijimet tjera ne shoqërinë Kosovare.

Kjo parti e cila ishte shpresa me e madhe për ta ndryshuar gjendjen ne aspektin pozitive tani është para një sfide shekullore e ajo është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duke e ruajtur Pavarësinë dhe Sovranitetin e Republikës te Kosovës. Duke i konstatuar të gjitha këto rrjedha politike të partive në pushtet ka ardhur koha që këto subjekte të bartin përgjegjësi për gjendjen aktuale në Republikën e Kosovës. Asnjëherë deri më tani nuk ka qenë më shumë e nevojshme që në zgjedhjet e ardhshme kurdo që ato të mbahen të formohet një forcë e re politike nga intelektualët e mirëfilltë, nga studentët dhe njerëzit me integritet të cilët kanë kapital të ndritshëm politikë, moral dhe njerëzorë.

Një forcë apo lëvizje e re politike me një program të mirëfilltë dhe vizion, e pa korruptuar sigurisht se do të përkrahej nga elektorati votues dhe nga të gjitha shtresat e qytetareve. Gjendja në Parlamentin e Kosovës, përçarjet dhe mos uniteti për çështjet madhore në interes të vendit tregojnë më së miri se deputetët e tanishëm nuk kanë kredibilitet, dije, vizion dhe përkushtim për ta ndryshuar gjendjen për të mirë të Shtetit të Kosovës. Andaj skenës politike të Kosovës i duhet një forcë e re politike me njerëz që dinë dojnë dhe mund ta ndryshojnë gjendjen në aspektin e përgjithshëm për të cilën Kosova ka vuajtur dhe ka pritë gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat