Bashkimi Kombëtar?! Ide e rrezikshme dhe e dëmshme për Kosovën!

Opinione

Bashkimi Kombëtar?! Ide e rrezikshme dhe e dëmshme për Kosovën!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 12 qershor 2023 Në ora: 20:52
Edi Rama

“Nuk e harrojmë rëndësinë e historisë dhe bashkimit sepse duam të ecim përpara të gjithë fuqishëm”, u ka thënë dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa të rinjve të angazhuar në Vetëvendosje. Ai për këtë ka shfrytëzuar përvjetorin e 145-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. 

Angazhimi i Kurtit dhe personaliteteve të tjera të Kosovës, Shqipërisë ose trevave shqiptare për “bashkim kombëtar” në këto momente është shumë i rrezikshëm. Populizmi në këtë rast e për këtë temë nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve dhe as interesit të Kosovës. Përveç kësaj këto deklarime vijnë në kundërshti në raport me angazhimin e Kosovës dhe institucioneve të saj për shtet-ndërtimin.  

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Rilindësit tanë të mëdhenj projektuan një autonomi nën Perandorinë Osmane të territoreve shqiptare në të katër vilajetet – atë të Kosovës (Shkup), të Manastirit, Janinës dhe Shkodrës. Por më pas, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Rilindasit pak ose aspak folën për këtë temë. Ata u përkushtuan të orientimi i shtetit të ardhshëm shqiptar në Perëndim dhe forma republikane e këtij shteti.  

Ndërkohë, prej atëherë e sot të gjithë liderët shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës e më gjerë janë marrë me çështjen e bashkimit kombëtar. Por në 99 përqind të rasteve ata kanë spekuluar me ndjenjat e shqiptarëve, duke i ushqyer ata me iluzione, me qëllim që pashallarët e korruptuar ose diktatorët shqiptarë në pushtet të ushtronin sundimin e tyre të patrazuar! 

Edhe rasti i Albin Kurtit nuk është krejtësisht i tillë, por  është një fushatë populiste e pa bazuar në realitetet gjeopolitike të kohës së sotme. Po pse bashkimi kombëtar është një iluzion dhe gënjeshtër e madhe? 

1. Sepse në kushtet e sotme, kur Kosova nuk është formësuar si shtet, ky bashkim do të thotë ndarje e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Dhe, e drejta ndërkombëtare në këtë rast parashikon marrëveshje dhe dakordësim të katër faktorëve: - Të popullsisë që shkëputet nga një shtet, d.m.th të Kosovës, të shtetit nga i cili shkëputet Kosova (Serbia), të shtetit të cilit i bashkëngjitet (Shqipëria) dhe të faktorit ndërkombëtar (OKB-së – Këshillit të Sigurimit). Këshilli i Sigurimit do të miratonte vetëm një bashkim Kosovë-Shqipëri që do të vinte si marrëveshje e dakorduar midis Serbisë dhe Shqipërisë. Një marrëveshje e tillë arrihet vetëm nëse pranohet prej tyre ndarja e Kosovës. Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç janë gati që nesër ta nënshkruajnë një marrëveshje të tillë. Albin Kurti me deklaratat e tij ua lehtëson këtë marrëzi dy armiqve më të mëdhenj të Kosovës! 

2. Ja bashkove gjysmën ose pak më shumë se kaq të Kosovës me Shqipërinë! Po veriu me pasuritë e Kosovës ku mbeten? Nën Serbi! Të rroftë bashkimi i dashur kryeministër i Kosovës! Po trojet e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan ku mbeten? Aty ku janë! Sërishmi na rroftë bashkimi i shqiptarëve si mashtrim!  

Ta zëmë se shqiptarët e Maqedonisë do të angazhohen të bashkohen me këtë shtet të projektuar si bashkim! Po Shkupi, kryeqendra e Vilajetit të Kosovës në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot i banuar në shumicë nga maqedonasit, çfarë fati do të ketë?! Nuk po përmend Manastirin, kryeqendrën tjetër të Vilajetit të asaj kohe, apo Janinën, tashmë të spastruar etnikisht prej shqiptarëve! 

Bashkimi i shqiptarëve jo vetëm është utopi, por edhe i dëmshëm dhe i rrezikshëm. I dëmshëm për vetë Kosovën e sotme, sepse zhvillon dilemën nëse do jetë shtet apo do të shuhet si i tillë! Serbia dhe Beogradi duan shuarjen e këtij shteti. Ata duan kufij jo me Kosovën shtet, por me Shqipërinë shtet. E duan këtë, sepse përmes bashkimit arrijnë ndarjen e Kosovës dhe krijimin e “botës serbe”! Ndërkohë përmes bashkimit të Kosovës së ndarë me Shqipërinë “garantojnë” diskriminimin pozitiv të shumicës së serbëve që jetojnë sot në Kosovë dhe mbeten sërishmi brenda shtetit shqiptar!  

Prandaj dhe të gjithë ata politikanë shqiptarë që flasin për bashkimin kombëtar janë dhe mbeten aleatë të Serbisë e të Beogradit. Pavarësisht se ndoshta në mënyrë të pavullnetshme, pavarësisht se edhe nuk paguhen prej qeverisë serbe, sërishmi çdo deklarim për “bashkim kombëtar”, ku automatikisht nënkuptohet ndarja e Kosovës dhe bashkimi i pjesëve të ndara me Serbinë e me Shqipërinë, është rrezik për humbje të mëtejshme territoresh. Çdo zgjidhje me humbje territoresh është anti-kombëtare!  

Nëse Albin Kurti ka bërë në plan të luftojë me Serbinë për bashkim kombëtar, këtë nuk e dimë. Por nuk shoh asnjë shans të ndodhë kjo, vetëm nëse Serbia sulmon territorin e Kosovës me qëllim pushtimin e saj, ose një pjese të këtij territori në modelin e agresionit rus në Ukrainë.  

Thirrjet për bashkim kombëtar duhet të mbeten deklarata të njerëzve që jetojnë në injorancë, sepse kështu ata plotësojnë nevojat shpirtërore të të ushqyerit me patriotizëm. Çdo deklarim i politikanëve në këtë opsion është interes i Serbisë, por jo i Kosovës dhe shqiptarisë! Pas dy ditësh do të zhvillohet mbledhja e dy qeverive në Gjakovë! Ju lutem mos përsërisni të njëjtën gjë të dëmshme për interesat e kombit tonë! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat