Diplomatët e huaj, jashtë realitetit

Opinione

Diplomatët e huaj, jashtë realitetit

Nga: Skënder Musliu Më: 14 qershor 2023 Në ora: 13:06
Skënder Musliu

Javëve të fundit jemi dëshmitar të një dukurie të papranueshme ndaj Kosovës, respektivisht presioneve dhe kërcnimeve të SHBA-ve dhe BE-së, vetëm e vetëm pse kryeministri Kurti po e zbaton ligjshmërine dhe po e shtrinë sovranitetin në pjesën Veriore të Kosovës, e cila për dy dekada kontrollohej dhe sundohej nga strukturat kriminale serbe. Kurse të njejtët diplomat nuk reaguan as kritikuan Serbinë kur ajo urdhëroi tërheqjen e katër kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës, kur u larguan në mënyrë demonstrative gjyqtarët, prokurorët dhe mbi 500 policë, kur Lista serbe bojkotoi zgjedhjet komunale duke i bërë presion qytetarëve serb të mos dalin në votime, kur Serbia vetëm disa ditë pas marrëveshjes së Ohrid, votoi kundër kandidaturës së Kosovës në Këshillin e Europës, duke e shkelur ate.

Ka kohë që politika e jashtme amerikane ka degraduar karshi Kosovës, kurse ka përgëdhelur politikat destruktive dhe destabilizuese të Serbisë. Veprimet e gabuara të DASH-it ndaj Ballkanit Perëndimor vërehen edhe në Republikën serbe të Bosnjës e Hercegovinës, e cila duke shfrytëzuar paaftësinë e SHBA-së dhe BE-së, formoi policinë, xhanadarmerinë, njësitë speciale dhe ushtrinë e vet, duke çelë rrugën drejt ndarjes nga B e H dhe bashkangjitjes me Serbinë. Po ashtu ky dështim shifet edhe në mos parandalimin e grusht-shtetint të Serbisë dhe Rusisë ndaj Maitl të Zi, vite më parë, që fatmirsisht dështoi.

Këto dështime diplomatike të DASH-it u konstatuan edhe me 18 Maj, kur Derek Collet, këshilltarë i lartë në DASH dhe Gabriel Eskobar i ngarkuari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, raportuan në Komitetin për politikë të Jashtme në Senatin amerikan. Në këtë seancë dëgjimore, kryetari i këtij Komiteti Bob Menendez, pasi që e prezentoi dhe e konstatoi situatën në Kosovës në mënyrë briljante, ai me pyetjet e tij, e nxjerri në shesh paaftësinë dhe jokompetencat e tyre, të cilët iu shmangën përgjigjeve të vërteta.

Deklaratat e ndërkombëtarëve janë të papranueshme dhe të papërgjegjshme, sepse njëanshmëria e tyre duke kritikuar pa kurfar baze vetëm Kosovën, mund t’a destabilizoj dhe eskalojë sigurinë në Kosovë, që u vërtetua edhe gjat sulmeve dhe përleshjeve të bandave kriminale serbe në Veri të Kosovës me policët e Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.

Mosbindja e Listës serbe dhe strukturave kriminale serbe ndaj institucioneve të Kosovë dhe shkaktimi i trazirave, bëhet me qëllim për t’a bindur faktorin ndërkombëtar se bashkjetesa e serbëve me shqiptarët në shtetin e Kosovës është e pamundur. Edhe përkundër premtimeve të Aleksandar Vuçiqit dhënë Lajçakut dhe Eskobarit, ditë më parë, se ai do t’i bind serbet e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhsme, demagogjia dhe qëllimi i tij ogurzi u tregua në deklaratën pasuese se, nuk duhet të organizohen këto zgjedhje para se të formohet « Asociacioni » i nënshkruar me Isa Mustafën, me çka do t’i jipej një autonomi e gjërë serbëve në Veri të Kosovës, mbase ata, Serbinë e konsiderojnë si shtet të vetin e jo Kosovën. Përmes kësaj deklarate, me të cilën kërkon autonomi për serbet, në formë të Republikës serbe, Vuçiqi pothuajse për herë të parë haptazi në publik manifeston pretendimet teritoriale, respektivisht kërkon ndarjen e Kosovës, që nga lumi Ibër e tutje, mirëpo siç thot ai se, nuk do të ketë bisedime derisa Kurti është në pushtet. Fatkeqësisht për këtë ide Vuçiqi e ka përkrahjen nga Edi Rama, Sorosi, nga disa politikanë të opozitës dhe disa televizione dhe gazetarë që paguhen enkas për këte.

Lista serbe pas vizitës dhe bisedës së djeshme në Beograd me Vuçiqin, deklaroi se protestat e serbëve në Verri do të vazhdojnë deri në formimin e « Zajednicës ». Kjo është loja dhe manipulimi i rradhës i Vuçiqit me ndërkombëtarët, sepse pa urdhërrin e Vuçqit, protestat nuk do të kishin vazhduar.

Gjykoj se SHBA-të dhe BE-ja, ende nuk e kanë kuptuar se kush është Vuçiqi, dhe derisa nuk e kuptojnë këtë, kriza në Veri, jo vetëm se do të vazhdojë, por do të eskalojë dhe rrezikojë tërë Ballkanin Perëndimor.

Nëse Vuçiqi nuk arrinë t’a formojë « Zajednicën » me kompetenca ekzekutive, do të tentojë të lobojë për ndarjeen e Kosovës, që për momentin punojnë Edi Rama, Vuçiqi, Sorosi, Grenelli dhe Pallmeri me ekipet e tyre, nëse edhe kjo nuk realizohet, Vuçiqi do të kërkojë që Veriu i Kosovës të vendoset nën protektorat (deri sa të vijnë ditë më të mira për Vuçiqin).

Të tria këto opcione janë fatale për Kosovën, prandaj kryeministri Kurti, edhe pse i vetmuar në këtë proçes vendimtar dhe vital për shtetin e Kosovës, me shumë kujdes duhet t’i ndërmerr hapat e ardhshëm duke mos u bërë viktimë i momentumit. Kryeministri Kurti, edhe përkundër disa dallimeve, duhet të kultivojë raporte të mira dhe konstruktive me BE-në e sidomos me aleatin tanë strategjik SHBA-të, sepse Serbia shumë shpejt do të hyjë në një fazë shumë kritike dhe konfliktuoze me ndërkombëtarët për moszbatimin e marrveshjes së 27 Shkurti dhe 18 Marsit.

Mendoj se Vuçiqi veten e konsideron si lider të « botës serbe », për të cilën po punon, dhe parashikoj se shumë shpejt do të « aktivizojë » eskalimin e situatës në veri të Kosovës, por mund të nxisë konflikte edhe në shtetet tjera ku jetojnë serbet në Rajon, pikërisht për shkak politikave destruktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat