Arrestime që rindezin trazirat

Opinione

Arrestime që rindezin trazirat

Nga: Xhevat Mustafa Më: 15 qershor 2023 Në ora: 08:15
Xhevat Mustafa

1 ditë pas festimeve të 24 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, kurorëzuar me futjen e trupave të NATO-s në Prishtinë, në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës shpërthyen protesta të dhunshme kundër forcave të Policisë së Kosovës dhe pushtetarëve lokalë shqiptarë, fitues në zgjedhjet problematike e formale të 23 prillit 2023.

Këtë herë si shkas apo shtysë për rindezjen e flakëve të protestave shërbeu arrestimi nga Policia e Kosovës e Milun Milenkoviçit, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale në veri të vendit.

Ky është i fiksuar në shumë fotografi e video gjatë akteve të agresivitetit dhe të dhunës, individualisht e në grup, ndaj policëve të Kosovës, forcave të KFOR-it dhe godinave të institucioneve shtetërore, më të freskëta në protestat e dhunshme të 26 majit 2023.

Gati njëkohësisht me arrestimin e Milenkoviçit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nisi tek përfaqësitë e Quintit në Prishtinë Planin me pesë pika për qetësimin dhe normalizimin e situatës në komunat e veriut. Kjo njëkohësi ka hapësirë të bollshme për debat. A nuk do të ishte më mirë që ky plan i përshpejtuar me 5 pika të nisej në adresat e duhura në Prishtinë e prej tyre në kryeqytetet respektivë 2-3 ditë para arrestimit të Milenkoviçit?

Kështu do t’u hiqej mundësia përfaqësuesve të Quintit apo Peseshes, sidomos atyre diplomatëve dhe misionarëve politikë në DASH e BE, të kritikuar disa herë edhe nga analistë politikë e mediatikë si dhe kongresmenë amerikanë për anshmëri apo afeksion të pafshefshëm ndaj Serbisë, për ta kritikuar qeverinë Kurti pikërisht për këtë nxitim në arrestim dhe njëkohësinë me njoftimin e tyre, kur ishte plotësisht e mundur të njoftoheshin shumë më parë...

Tani të dyja ngjarjet, pra arrestimi i Milenkoviçit dhe Plani prej pesë pika i Qeverisë së Albin Kurtit, janë bërë të njohura në media...dhe në qarqet diplomatike në Prishtinë, Beograd, Moskë, Bruksel, Uashington, Paris, Berlin, Londër...Pika e parë e këtij plani është ”Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët...”.

Në vijim, qeveria e Kosovës shpreh vullnetin e saj të mirë “për zgjedhje të reja në komunat e Veriut”, me pjesëmarrje masive nga komuniteti serb, sidomos nga “Lista serbe” si dhe “për rikthim të shpejtë në dialogun me Serbinë...” Është e logjikshme dhe e justifikueshme që marrja në kontroll, krehja dhe pastrimi i territorit nga bandat kriminale, vendosja e rregullave të sigurisë publike në bashkëpunim me institucionet e sigurisë, janë veprime legjitime për çdo qeveri, në një vend me një situatë të brishtë e të paqëndrueshme.

Këto janë të nevojshme, bile të domosdoshme, për një vend si Kosova, prej 24 vitesh, sidomos në komunat e veriut, me akte të shpeshta protestash, revoltash, dhune, deri në viktima njerëzore. Është bërë e qartë qysh në fillim se mbajtja e Kosovës në një situatë të tillë shpërthyese dhe problematike, më shumë se nga përbrenda, pra nga liderë politikë të serbëve të Kosovës, është ideuar, nxitur dhe investuar kryesisht nga Qeveritë e Beogradit, sidomos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në këtë post qysh nga 31 maj 2017.

Në këto kushte edhe qeverisë së Albin Kurtit i jepet apo i shtrohet si detyrë kushtetuese dhe emergjente e drejta, që pas konsumimit të përpjekjeve paqësore e të tolerancës dhe durimit të tejzgjatur, të shikojë e kërkojë si mundësi zgjidhjeje kundërveprimin ligjor dhe policor, ndaj kujtdo dhe atyre, që diktojnë e veprojnë deri me kërcënime dhe akte të hapura dhune, pa asnjë të drejtë legjitime mbi një shtet dhe popull, pra edhe ndaj Policisë së Shtetit të Kosovës dhe trupave paqeruajtëse të KFOR-it, të cilët janë gjithashtu, si Milenkoviç me shokë, njerëz që ndjejnë dhimbe në trupa e shpirt e njëkohësisht bij nënash.

Ndërsa priteshin reflektime dhe reagime tërheqëse nga të dy palët, për të mos lejuar që arrestimi i Milenkoviçit të provokonte përkeqësimin e situatës, nga Beogradi zyrtar, urdhërohet futja e një grupi serbësh në thellësi të territorit të Kosovës dhe kryhet arrestimi në krye të detyrës i tre policëve të Kosovës.

Ky është një akt i rëndë provokativ dhe arrogance shtetërore nga qeveria e Serbisë, personalisht i Ana Brnabiç-it dhe Aleksandar Vuçiçit, sepse pa dijeninë dhe miratimin e tyre në Serbi dhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk bëhet asnjë veprim që cënon integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të saj!

Kjo ngjarje shton bindjen jo vetëm tek shqiptarët se Serbia nuk i fsheh qëllimin dhe skenarin e saj! Por, edhe se ajo është trimëruar këto muajt e fundit edhe nga symbyllja apo indiferentizimi i forcave amerikane e të KFOR- it dhe EULEX-it në Veri të Kosovës, dukuri që të shtyjnë të mendosh se nuk janë 100% pa dijeninë dhe miratimin e qeverive të tyre në Uashington, Bruksel, Paris, Berlin, Madrid, Amsterdam, ..!

Merret me mend se ky akt do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën në Kosovën e Veriut si dhe do ta mjegullojë edhe më tepër perspektivën e marrëdhënieve e të bisedimeve mes dy qeverive dhe shteteve.

Ky akt shpreh gjithashtu se Serbia mbetet ajo që kreu për mbi 3 vjet genocid masiv në Bosnje dhe Kroaci(1991-1995); që nga 1997-1999, përmbyti me gjak dhe kufoma shqiptarësh tokën e Kosovës, duke i shtuar kapituj të ri librit voluminoz me histori dhe fakte të shumtë terrori shtetëror dhe genocidi masiv mbi popullin shqiptar.

Krahas shumicës së shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Malin e Zi dhe në Diasporë , edhe aleatët dhe miqtë e hapur të Serbisë si dhe ata që bëjnë lojë të dyfishtë, më shumë me anshmëri dhe mbështetje ndaj saj, morën nga ky akt edhe mesazhin e moçëm se Serbia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti, por luftënxitëse dhe konseguente, në shërbim të strategjisë së vjetër dhe të re të Rusisë për shtrirje dhe ndikim në Ballkan, deri në Adriatik!

Duke pasur në drejtim një klasë politike ultranacionaliste, të kryesuar nga Vuçiç-Brnabiç-Daçiç-Aleksandër Vulin-Vojisllav Sheshel...Serbia kurrë nuk do të ndryshojë mendje e kurs, për sa kohë do të ushqehet nga përrallat, ëndërrat, mitet nacionaliste “të botës serbe”!

Duke u shprehur në mënyrë figurative, nga zhvillimet historike në të kaluarën dhe deri në ditët e sotme, është bërë e kuptueshme dhe e shprehëshme prej rreth 150 vitesh se Serbia është si një “e sëmurë psikike” historike, që nuk dëshiron të shërohet as duke u përkujdesur për vetveten, por as nga mjekët e klinikave më të mira perendimore...!!!???

Disa "analistë" shqiptarë, e kthejnë vështrimin prapa në kohë, por për të gjetur ndonjë sebep apo kartë për të fajësuar Albin Kurtin e jo për të parë e për tu bindur se Serbia ka mbi 30 vjet që është ribërë nxitëse e luftrave dhe e destabilitetit në Ballkan, se Vuçiç prej vitesh po gjen sebebe e po sajon kriza, trazira dhe protesta në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës çdo 1-3 muaj, edhe pa mbaruar akoma e mëparshmja! E bën këtë, sepse është i bindur se vetëm me destabilitet të vazhdueshëm, me trazira e protesta të dhunshme, me autorësi lehtësisht të verifikueshme, mund të lodhë nga nervat BE dhe DASH!

E kështu, deri sa një ditë ta bëjnë të lumtur, duke pranuar kërkesat e tij aneksioniste e duke sakrifikuar interesat e Kosovës! Nuk mund të hiqet kategorikisht nga dyshimi, analiza, konkluzionet... edhe pista se arrestimi i tre efektivëve të policisë së Kosovës, për më tepër në territorin e saj, vetëm 1 ditë pas presioneve nga kryeministri Edi Rama me anulimin e takimit në Gjakovë më 14 qershor mes dy qeverive si dhe me nëpërmjet aktrimit në media me një fjalim sa të përzishëm e të përvajshëm, aq edhe të pabesueshëm dhe revoltues, është pjesë e një skenari mbi 2 vjeçar...

Nuk është e vështirë për t’u kuptuar dhe nuk fshihet dot as me copa letrash të zhubrosura me skica pikture dhe as me gjethe fiqsh Berati; se kryeministri i Kosovës është objektivi kryesor i këtij skenari me autor dhe aktorë serb( nën regjinë e Aleksandar Vuçiç).

Me padurimin për t’u rikthyer sa më shpejt në pushtet, krahas aktorëve serbë, natyrisht, por si një “ekip më vete”, për realizimin e këtij skenari janë vënë edhe disa politikanë dhe deputetë të partive opozitare shqiptare në Prishtinë si dhe nga qeveria e Tiranës, sidomos nga Edi Rama. Ky e ka hallin tek “monstra” e përbashkët me Vuçiçin “Ballkani i hapur”, kundërshtuar me të drejtë dhe me vendosmëri nga kryeminsitri i Kosovës.

Me nxitimin për të fluturuar në Milano të Italisë, në ceremonitë e varrimit të politikanit dhe ish kryeministrit Silvio Berluskoni, vetë Edi Rama me mendjen dhe dorën e vet u fali kundërshtarëve politikë dhe mediatikë dyshimin jo krejt të paarësyeshëm se anullimin e takimit të Gjakovës mes dy qeverive shqiptare ai e bëri më shumë se për të ndëshkuar Albin Kurtin dhe njëherazi dhe për të gëzuar, mikun dhe sivëllain e tij, Vuçiçin...!

Kështu, arrinte të paktën tri qëllime! I bënte nderimin e fundit Berluskonit; mund të takohej me kryeministren Xhorxhia Meloni dhe me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverishë; mund të shtrëngonte duart edhe me futbollistë të mëdhenj aktualë apo të dikurshëm të Milanit...apo me personalitete të tjerë italianë dhe ndërkombëtarë nga shumë fusha! Dhe për këto përfitime të tij, përsëri fajtori i vetëm del dhe është po ai, Albin Kurti....

Qëllimi i parë dhe final i këtij skenari është lehtësisht i kuptueshëm: të detyrohet sa më parë kryeministri Albin Kurti të humbë durimin e të dorëhiqet nga posti. Nënkuptohet, kështu i rihapet rruga dy kanatesh edhe skenarit dhe projektit të “Ballkanit të hapur”, miratimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe; rrëmbimit nga Fondacioni apo oktapodi Soros të Trepçës, Ujmanit...Përse jo, edhe për krijimin e një “Republika Serbcka” edhe në Kosovë...!!!???

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat