Dashuria mes shqiptarëve dhe esnafi politik

Opinione

Dashuria mes shqiptarëve dhe esnafi politik

Nga: Ilir Levonja Më: 15 qershor 2023 Në ora: 15:00
Ilir Levonja

Mes Shqipërisë dhe Kosovës ka sot një pleksje nervash aq sa totalisht është harruar një e vërtetë e madhe, kombi. Si Shqipëria apo Kosova nuk janë as të Edi Ramës dhe as të Albin Kurtit, janë të kombit. Kombi ka ca nocione që pikërisht për shkak të makutërisë së Esnafit të tij politik, një huazim nga profesori Zekeria Cana, është sot i ndarë. Dhe mund të ishim më keq akoma sa të kishim edhe ndodnjë shtet tjetër me emrin Labëria, apo kushedi Dibra e Madhe etj., ashtu siç kemi sot Kosovën. Në valën e tekave të njëshit apo tjetrit, ka edhe një përfshirje të madhe mendjesh që nuk mjaftohen me një opinion edhe aq, por vazhdojnë. Përshembull kasta e Edi Ramës në Tiranë vazhdon me dhunë verbale karshi Albin Kurtit dhe Kosovës. Ashtu sikundër edhe një valë e ashpër nga Prishtina, karshi Edi Ramës dhe Shqipërisë. As njëra dhe as tjetra nuk janë as të Edit dhe as të Albinit, megjithëse në raport me Tiranën, Prishtina ka një rotacion të përkryer dhe një demokraci normale, ajo e Tiranës ëshhtë totalisht autokraci. Mund të qeverisësh e ta ndryshosh Kushtetutën e vendit sa herë të duash edhe pse qeveris me 700 mijë votues. Emigranti shqiptar i Shqipërisë nuk ka të drejtë vote edhe pse është faktor dominant në ekonominë shqiptare. Madje është ai që paguan prindër pa të ardhura ose prindër me pensione diskriminuese.

Emigranti shqiptar i Kosovës voton, pra ka të drejtë vote dhe është totalisht i nderuar në vendin e vet. Shqipëria thuajse ka vdekur pasi ka humbur pjesën më vitale të saj, gati 40% e popullatë i cili është dhe krahu i të ardhurave jeton jashtë vendit. Madje sipas statistikave të fundit, për çdo 5 orë largohet një i ri. Dhe duke ardhur nga një mendësi totalitaree kanë zero ndjenjën e atdhedashurisë. Për rrjedhoj kanë sot në krye të vendit një komsolas nga kasta internacionale e ish Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Eshtë pikërisht Edi Rama që pasi përçau edhe diasporën, aq sa sot gjen kudo komsolas deri në mes të New York-ut, nuk lejon emigrantët të votojnë, prishi edhe raportet e brishta mes dy vendeve, vetëm për një qëllim, karriken e vet dhe kombin tonë. Ndryshe nga Tirana, qeveria e Prishtinës qarkullon, dorëhiqet, mbahen zgjedhje të parakohëshme dhe çështja kombëtare është pjesë jo e një personi, por e gjithë elitës politike. Shqipëria nuk e ka një të tillë, ka shpurë politike, por jo elitë. E gjitha është nën diktatin e një shpure prej të fortish, aq sot të vjen ndoht kur shikon se si partia më e madhe e pluralizmit shqiptar është bërë kashtë e koqe.

Ndaj Shqipërisë nuk u takon t'i zemroheni, Edi Ramës po. Eshtë edhe një gango lagjeje që sot për ironi të asaj esnafërie që ka ndarë kombin, ka preferuar të zgjedhi të jetë pjesëmarrës në varrimin e Silvio Berlusconit se sa në Gjakovën historike. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin ashtu si kombet e mëdhaja. Pas rënies së murit të Berlinit 1989, porta e Brandeburgut nuk ekzistoj më, gjermanët u bashkuan pa pyetur se çfarë thoshte Amerika, Israeli, Bashkimi Sovjetik etj. Edhe ne kombi i madh jemi, por kemi pasur historikisht qeveri apo esnafër makutë, komsolas, sa pro jugosllavë, sa pro rusëve aq edhe kinezëve, por kurrë prirjes apo vokacionit historik shqiptar. Mburren me Skëndërbeun por vdesin për Erdoganin..., Shqipëria është thjesht e juaj ndaj duajeni njëri-tjetrin se kjo dashuri çdo shembi çdo portë Brandeburgu apo trarësh si ai Kalimashit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat