Garancia për Rama - Vuçiç - Soros është Trepça!

Opinione

Garancia për Rama - Vuçiç - Soros është Trepça!

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 16 qershor 2023 Në ora: 12:15
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Kryeministri Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk u anulua një takim midis të dy kryeministrave, por një veprimtari e përbashkët e dy qeverive. Ishte punuar gjatë për ta përgatitur këtë mbledhje. Ishte dekoruar dhe salla e mbledhjes me logon “Të përbashkuar”! E tash?! A mund të thuhet se Kosova dhe Shqipëria janë të përbashkuar?

Po të pyesësh Baton Haxhiun, Berat Buzhalën dhe buzhalat e tjerë që i ka për zemër Blendi Fevziu, fajtor për këtë situatë është Albin Kurti. Madje, nëse i referohemi Batonit, Rama po bën “më të mirën për Kosovën”! Po cila është e vërteta?

1. Vendimi u mor disa orë para orës së nisjes së mbledhjes së përbashkët. Kjo i rrëzon të gjitha arsyet që paraqiti kryeministri i Shqipërisë për anulimin e mbledhjes. Albini kishte raporte të njëjta me ndërkombëtarët që prej 26 majit. Mbledhja u anulua vetëm pasi kryeministri i Kosovës refuzoi dhe “përqeshi” propozimin e Ramës për draft – statutin e Asociacionit serb në Kosovë. Kjo do të thotë se anulimi i kësaj mbledhjeje është produkt i egos së Edi Ramës dhe refuzimit të tij për çka deklaroi kryeministri Kurti. Ishte si të thuash vendosje sanksionesh nga qeveria shqiptare, pse Kurti është kundër ideve fashiste të tjetërsimit të territoreve të kryeministrit shqiptar.

2. Mbledhja u anulua menjëherë pasi u arrestua kreu i bandave serbe në veri të Kosovës. Nëse Vuçiç do të kishte një takim me Kurtin, edhe ai do ta anulonte atë takim në rastin e arrestimit të një kapobande në veri të Kosovës, thjesht se kapobanda i përket nacionalitetit serb. Kjo do të thotë se zoti Rama është konsultuar dhe anulimin e mbledhjes e ka bërë si shenjë respekti dhe besnikërie ndaj vijës politike të presidentit të Serbisë ndaj Kosovës.

3. Zoti Rama thotë se “Në mes Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, unë zgjedh bashkësinë ndërkombëtare”! Enver Hoxha e ka thënë publikisht se midis Kosovës dhe Jugosllavisë së Titos, zgjidhte Jugosllavinë bashkë me Marshall Titon. Pastaj ai thoshte se midis Kosovës dhe Internacionales Komuniste dhe shtetit Bolshevik Stalinist, zgjidhte këtë të fundit. Dhe në fund Hoxha thoshte se midis Kosovës dhe Kinës, zgjidhte miqësinë me kinezët! Kur më në fund u prish me kinezët përfundoi “te dashuria për Kosovën”! Ose u mbështet te nacionalizmi folklorik. Gjithçka për pushtet!

Zoti Rama do të bëjë të njëjtën gjë, nëse ndërkombëtarët do ta lëshojnë. Dhe ai e di se tashmë është i lëshuar. Po bën provën gjenerale, duke shitur Kosovën te Serbia e të Soros, me qëllim që t’i shpëtojë dosjes McGonigal dhe skandaleve të tjera. Po ashtu Vuçiç! Të dy janë në të njëjtën paketë. Të dy po shkojnë drejt greminës. Të dy në momentin e keq do t’i drejtohen nacionalizmit si varkë shpëtimi.

Mbi gjithçka tjetër për këta është pushteti dhe pasuria! Të tjerat shumëzohen me zero! Trepça u jep atyre garanci!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat