Albin Kurti, mes shumë “rrufeve” dhe “zjarreve”!

Opinione

Albin Kurti, mes shumë “rrufeve” dhe “zjarreve”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 20 qershor 2023 Në ora: 08:29
Xhevat Mustafa

Për të qenë të saktë, Albin Kurti ka qenë mes shumë “rrufeve”, "zjarreve", zërave, "dallgëve", "stërkëmbësave", “pengesave me gurë e drurë” serbë, ndërkombëtarë dhe shqiptarë qysh në fillim të detyrës si kryeministër i Kosovës! Më së shumti, presionet shumëformëshe, fare të lakuriqësuar apo me nëntekste të lehtë kuptueshme diplomatike, sulmet dhe pengesat i kanë ardhur nga Beogradi, nga Vuçiç- Brnabiç dhe Serbia e tyre! Një pjesë më e vogël nga Kosova, domethënë nga liderë, deputetë dhe politikanë të partive të opozitës. Këta, janë frymëzuar, nxitur apo shtyrë nga dëshira dhe synimi për ta rrëzuar sa më parë qeverinë Kurti e për rikthimin e tyre sa shpejt në pushtet, pa kujtuar se i kanë lënë para derës plot punë të pakryera apo të kryera keq si dhe pa bërë shumë e mirë llogari për format e kundërvënies dhe faturën e lartë politike, që do të kishte një akt i tillë në këtë periudhë tejet kritike për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës! Disa, nuk janë përmbajtur sa jo rrallë herë kanë "harruar" se po e shikojnë, kritikojnë dhe luftojnë Albin Kurtin dhe qeverinë e tij në sinkron apo me “syzat” e Vuçiç, Brnabiç, Daçiç...!!!???

Një pjesë tjetër pengesash e sulmesh Albin Kurtit dhe qeverisjes së tij i kanë ardhur dhe vazhdojnë t’i vijnë nga qeveria e Shqipërisë, kryesisht nga kryeministri Edi Rama! Ky e ka bërë objektiv apo tabelë qitjeje për shkak se Albin Kurti nuk i është bindur atij dhe Vuçiçit për ta bashkuar Kosovën me projektin e tyre maksimalisht në dobi të Serbisë "Ballkani të hapur"! Këto javët e fundit Edi Rama, po e reklamon veten më shumë afër DASH-it dhe BE-së, përfaqësuar nga Escobar, Borreli, Lajçak... se sa bashkëkombësve të tij Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si dhe të qeverisë e të shtetit që përfaqësojnë. Gjithashtu, kryeministri Edi Rama, pa e ditur se mes shteteve të një kombi ekziston edhe diplomacia konfidenciale, ndërpersonale, e fshehtë, sajon projekt apo draft asociacioni, publikon në rrjete sociale e konferenca shtypi “këshilla” apo “apele” të tij në adresë të homologut Albin Kurti, “duke harruar” se këto punë të tij i merr vesh gjithë dynjaja, ndër të parët Aleksandar Vuçiç dhe Ana Brnabiç me kabinete dhe institucione të tyre në Beograd...!!!???

Paradoksalisht dhe në të kundërt, nëse Vuçiç është qartësisht, bile shumë më tepër, edhe me tone, forma dhe mënyra imponuese se sa duan edhe vetë serbët e Kosovës, në anën e tyre, Edi Rama, që merret me mend se ëndërron dhe dëshiron të ketë të njëjtin rrol, peshë, forcë, ndikim mbi qeveritë e Kosovës, sidomos mbi Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, nuk është po aq qartësisht në anën e qeverisë dhe të shtetit të Kosovës. Merret me mend arsyeja. Ky qëndrim i tij, shumë më tepër qortues dhe kritik se sa dashamirës dhe konstruktiv, është formë ndëshkimi për shkak të alergjisë apo kundërshtive që ka sidomos ndaj Albin Kurtit!!!??? Edhe me deklaratat e dt.19 qershor, shprehet qartë se Edi Rama ka zgjedhur e po aktron rolin e një këshilltari të pasinqertë politik apo që bën lojë të dyfishtë!!!??? Me këshillat e tij prej të përgjëruari për rrëzimin e Albin Kurtit dhe ringjalljen e "Ballkanit të hapur", ai më shumë u shton telashe, probleme, presione, shqetësime..., se sa ua pakëson dhe dobëson kryeministrit dhe presidentes së Kosovës!!!??? As pas mesazhit të dt.19 qershor, të “kërcënimit të Vuçiçit për kthim shpine nga Tirana qeveritare, domethënë nga Edi Rama individualisht dhe institucionalisht, përsëri nuk mund të pritet shpejt që Edi Rama të vihet e të ulet në anën e Albin Kurtit dhe të Vjosa Osmanit, idealja, mes tyre! Por, nuk është e pranueshme as të vihet e të ulet përkrah Escobarit, Borrelit, Lajçakut, Vuçiçit, Putinit...!

Në mënyrë figurative, mund të thuhet se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, ndjehen si “jetimë” nga mungesa e mbështetjes dhe e ngushëllimeve nga shteti amë apo atdheu i përbashkët. Sa herë që mund të kishin pasur nevojë, mund të ngushëlloheshin duke vënë kryet në supin e Edi Ramës. Por, as e çojnë ndërmend, kur shikojnë qartë dhe kuptojnë lehtë akullsinë dhe prepotencën ndaj tyre nga Edi Rama. Për më tepër, po në mënyrë figurative, edhe nuk dëshirojnë të vënë kryet në supin e tij, sepse në të mund të ndjehet akoma era e Vuçiç-it, Xhorxh dhe Alex Sorosit...Nuk mendojnë të kërkojnë mbështetje dhe ngushëllim të hapur tek presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, sepse nuk duan t’i bëjnë keq atij, ta konfliktojnë dhe armiqësojnë me kryeministrin Edi Rama, prej të cilit(larg qoftë) mund t’i vijë, pa mbushur deri në fund mandatin, edhe “gjama”. Në këta rreth 27 muaj qeverisë Kurti i janë shkaktuar rregullisht, trazira të dhunshme dhe shqetësime në çdo 1- 3 muaj nga 4 komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës. Arsyeja kryesore ka qenë dhe është mospranimi i qeverisë së Kosovës i marrëveshjeve për asociacionin të nënshkruara nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa më 2013 dhe 2015. Një marrëveshje të re, që serbët e duan patjetër në favor të tyre, mundësisht për t’i hapur rrugën një "Serbcka republika" në veri të Kosovës, ia kërkojnë prej kohësh dhe duke rritur presionet dhe tonet, edhe SHBA dhe BE- ja si dhe Tirana qeveritare.

Po nga SHBA e në BE, nga qarqe dhe misionarë politikë nën ndikimin e "perandorisë Soros", disa zyrtarë apo misionarë politikë të tyre nuk do shumë vramendje për t’u kuptuar se janë të njëanshëm e mbajnë qartësisht anën e Serbisë për asociacionin, me qëllimin e SHEFIT të tyre për të rrëmbyer nëpërmjet tij Trepçën dhe Ujmanin...!!!??? Trazirat e 26 majit 2023 dhe të javës së dytë e të tretë të qershorit me arrestime policësh nga të dy palët dhe serbësh, dhunues ushtarësh të KFOR- it dhe të disa gazetarëve të televizioneve të Kosovës, lehtësuar edhe nga indiferentizmi i forcave ushtarake të KFOR- it dhe EULEX-it dhe shoqëruar me shtimin e presioneve nga DASH dhe BE, sikur ia kanë shtrënguar edhe më shumë lakun në fyt kryeministrit Albin Kurti! Këto ditë është masivizuar dhe ashpërsuar kori i zërave që mendojnë dhe shprehin kërkesat për votëbesim në parlament të qeverisë si dhe dorëheqjen e Albin Kurtit. Nga ana e Serbisë, edhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç prej javësh ka pasur kokëçarje e pagjumësi nga protestat e partive opozitare dhe nacional- radikaliste. Në këto kushte, Vuçiç, për të lehtësuar shqetësimet e tij ka menduar dhe gjetur si alternativë, largimin e vëmendjes së tyre nga selia e tij dhe nga ai si president, duke provokuar dhe investuar trazira në Veri të Kosovës, domethënë duke i shkaktuar shqetësime të vazhdueshme Albin Kurtit dhe duke rënduar gjendjen e tij, si dhe duke acaruar edhe raportet me SHBA dhe BE, edhe me partitë opozitare në Kosovë, edhe me Edi Ramën në Tiranë ..!!!??? Të tre palët kërkojnë, me gjuhët e tyre, me synimet respektivë apo të njëjta, që ta thyejnë qëndresën e Albin Kurtit, duke i lënë dy alternativa! Ose ta detyrojnë të pranojë asociacionin siç dëshirojnë Vuçiçi, Brnabiçi, Daçiçi, Putini, Soros, domethënë me kompetenca administrative, vetëqeverisëse...,ose të japë dorëheqje si kryeministër! Me të vërtetë, këto javë Albin Kurti po përjeton ditët më të vështira apo më kritike të qenies së tij kryeministër i Kosovës! Është për t'u përgëzuar, që ai, krahas vendosmërisë apo kokëfortësisë prej SHQIPTARI, po tregon edhe vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi, apo sforcim rraskapitës për t'ua fshehur syve të kundërshtarëve e të përfaqësuesve nga qeveritë dhe institucionet e vendeve aleate si dhe kamerave lodhjen, depresionin, shqetësimet, pagjumësinë e tij...!

Por, logjikshëm e natyrshëm shumëkujt, qytetar i thjeshtë, diplomat, analist politik...i lind pyetja: deri kur do të ketë durim, kurajë, forca, aftësi, mundësi...t'i përballojë "rrufetë" që i bien mbi kokë edhe në ditë me diell, edhe në netë me hënë dhe yje??? Është një fakt apo detaj shprehës, inkriminues dhe denoncues për Vuçiç- Brnabiç që këto muajt e fundit kryeministri Albin Kurti ka pasur përballë si kundërshtar dhe si palë në takime dhe dialog, kryesisht presidentin serb Vuçiç e jo liderë partiakë dhe politikë të serbëve të Kosovës, bile as të Listës Serbe! Kjo organizatë më shumë se politike është vetinkriminuar dhe vetëdemaskuar në akte terroriste dhe destabiliteti, deri në kundërvënie të hapur ndaj kushtetutës së Kosovës, duke merituar me kohë edhe ndëshkimet përkatëse ligjore. Këto ndëshkime i janë kursyer dhe nuk i ka përjetuar kryesisht për shkak të dëshirës së ndërkombëtarëve dhe të qeverisë Kurti për të mos hedhur kova të reja me benzinë mbi zjarret e pashuar të trazirave të dhunshme në komunat e Veriut të Kosovës.

Është shprehur edhe në media se se mes serbëve në Kosovë, njerëz të thjeshtë apo me angazhime partiake e politike më herët apo edhe aktualisht, ka pakënaqësi dhe rezerva si ndaj Listës Serbe në Kosovë, ashtu dhe ndaj Vuçiçit! Sipas deklaratave publike të disave prej tyre Vuçiç po sillet me serbët në Kosovë me arrogancë e diktat, si tutor i tyre, duke i përdorur në bisedimet me Albin Kurtin, si monedha shkëmbimi apo plaçkë për përfitimet e tij presidenciale dhe politike, për të dobësuar sa më shumë të jetë e mundur zhgënjimin, pakënaqësitë dhe zemërimin ndaj tij të dhjetëra mijëra protestuesve në Beograd dhe qytete të tjerë të Serbisë. Pra, plani dhe llogaria e Aleksandar Vuçiçit është tejet e kuptueshme në serbisht e në shqip: të djeg më parë Albin Kurtin se sa veten! Duke i bërë mirë, me paanshmëri politike dhe gjakftohtësi llogaritë, del dhe kuptohet se me djegien e Albinit, sidomos në këtë periudhë kohore, humb shumë Kosova e fiton më tepër se sa mendon dhe dëshiron Serbia! Ndërsa me djegien e Vuçiç-it humb shumë Serbia e fiton jo pak Kosova!!! Atëherë: cili do të digjet më parë? Apo do të digjen të dy, thuajse njëkohësisht?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat