Koliqi - ministri unik i arsimit në shqiptari

Opinione

Koliqi - ministri unik i arsimit në shqiptari

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 20 qershor 2023 Në ora: 11:24
Prof. Dr. Ernest Koliqi

Panairi i librit për vitin 2023, i organizuar në Prishtinë, me pjesëmarrjen e shkrimtarit brilant shqiptar, Ismail Kadare, koinçidoi me përvjetorët e lindjeve të shkrimtarëve, përkatësisht, 120 vjetorin e Prof. Dr. Ernest Koliqi, 110 vjetorit të Petro Marko, 100 vjetorin e Jakov Xoxa. Koliqi i shquar si ministri më i suksesshëm, shkrimtar dhe publicist; Marko luftëtar vullnetar në Spanje, shkrimtar, gazetar; Xoxa shkrimtar, profesor Universitar.

Kësaj here, përkujtojmë Prof. Dr. Ernest Koliqin, në 120 vjetorin e lindjes.

Koliqi u lind në Shkodër, më 20 maj 1903 dhe u shua në Romë, në mërgimin e përjetshëm, më 15 janar 1975. Ishte figurë shumëdimensionale: port, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues, botues, politikan, deri ministër. Vlerësohet si themelues i tregimit modern shqiptar në librat "Hija e Maleve" (1929), "Tregtar Flamujsh" (1935), "Pasqyra e Narçizit" (1936).

Familja Koliqi ishte e pasur. Ishin 8 (tetë) vëllezër e motra. Mikeli, vëllai i madh, ishte kardinali i parë shqiptar. U shkollua në Itali. U kthye në Shqipëri në vitët `20-a, të shekullit XX-të. Ishte sekretar i ministrit të Arsimit, Luigj Gurakuqi. Studjoi dhe doktoroi në Padova të Italisë, në temën "Epika popullore shqiptare".

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, u emërua ministër i Arësimit në Shqipërinë e Bashkuar.

U martua me Vangjelie Vuçani dhe lindën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në vjeshtën e vitit 1943, prej Portit të Tivarit, emigroi në Itali, bashkë me familjen dhe të afërmit e tij. Në Romë, veç tjerash, themeloi revitën "Shejzat". Drejtoi Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, që shërbeu si bazë e themelimit të Institutit të Studimeve Shqiptare, më 1957.

Krijimtaria e Koliqit është e begatë. Kujtojmë romanin "Shija e bukës mbrume", që fletë për nostalgjinë e emigrantëve. Veç prozës, Koliqi u shqua edhe në përkthime, siç është "Poetët e mëdhenj të Italisë", në dy vëllime voluminoze. Ndërsa, në gjuhën italiane, përktheu kryeveprën e Gjergj Fishtës "Lahuta e Malcisë", më 1961. Koliqi ka lënë një trashëgimi studimesh gjuhësore, letrare, etnografike.

Në mbamendjen shqiptare, të përcjellur ndër breza, kujtohen tre ministrat e shquar të Arsimit, që kanë shërbyer në vitët `20-a, `30-a, e `40-a, përkatësisht, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi dhe Ernest Koliqi. Koha kur Koliqi drejtonte Ministrinë e Arsimit, ishte e veçantë, sepse ishte kohë lufte, pushtimi italo-gjerman. 

Atdhetarët shqiptarë, të cilët Enveri me shokë i anatemoi dhe ke e zuri, i sakatoi, me plumb e burg, bindën pushtuesit se Shqipëria ka kufinj etnik dhe se aspirata e popullit shqiptar, është bashkimi i tyre. Mirëkuptimi nuk mungoi dhe Shqipëria Etnike, përafërsisht, u bë. Ishte kohë e artë për shqiptarët. 

Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i mbështetur fort nga kombëtarët pushtetarë të trojeve shqiptare, e shfrytëzoi, në mënyrën më të mirë të mundshme, kohën e shqiptarëve të bashkuar, siç njihet, krenarisht, Shqipëria Etnike. Në shtatorin e vitit 1941, ministri Koliqi dërgoi mbi 200 arsimtarë të përzgjedhur profesionalisht, në trojet shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, si në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare. Ai hapi shkollat shqipe në të gjitha trojet shqiptare, pra, edhe atje ku nuk kishin ekzistuar kurrë.

Përzgjodhi kuadrin më të mirë, më profesional arsimor, që nga Gjirokastra, deri në Shkodër dhe i dërgoi në trevat shqiptare, që nga Tetova, anekënd Kosovës e deri në Pazarin e Ri (Sanxhak). Ata u pritën si heronj, shenjtorë dhe u shquan në misionin e tyre arsimor dhe atdhetar. Punuan devotshmërisht deri në vitin 1948, kur Shqipëria si bisht i Rusisë të Stalinit, i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos. Ata arsimtarë që u kthyen në Shqipëri, u përplasën internimeve  dhe burgjeve. Personalisht, me disa syrësh, kam qenë bashkëvuajtës edhe në vitet `70-a e `80-a, në burgjet e Shqipërisë staliniste.

Për misionarët e arsimit në Kosovë, rëndonin dy akuza politike:

1) Mbështetës të nacionalizmit shqiptar në Kosovë; 

 2) Antijugosllavizmi, rrjedhimisht, kundër komunizmi i tyre

Disa nga mësuesit, misionarët e arsimit të ministrit Koliqi, mbetën përjetësisht në Kosovë. Ndër ata Mehmet Gjevori, mësues dhe hartues i teksteve shkollore; Tajar Hatibi, mësues dhe drejtues shumëvjeçarë i revistave për fëmijë dhe nxënës shkollarë; gjirokastritët: Malo Gami kuadër arsimi dhe artist; Apostol Tanefi, profesor i matemarikës, i cili bëri vetëvrasje në Prishtinë, i provokuar nga UDB-a, dhe të tjerë, përfshi edhe vajza, të cilat krijuan familje në Kosovë dhe Iliridë - Maqedoni.

Organizimi i arsimit shqiptar, jashtë Shqipërisë londineze, pra, në Shqipërinë e Bashkuar, në Shqipërinë Etnike, si nismë, i takon, pikërisht, Ernest Koliqit, ministër i Arësimit në atë kohë, i cili. me të drejtë, është cilësuar si ministër i Arsimit më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave. 

Në gjysmën e dytë të viteve `60-a, më ra në dorë Revista "Shejzat", me botues vëllezërit Ernest dhe Viktor Koliqi. Aty mësuam edhe adresat e Koliqit dhe Martin Camaj, kryeredaktor i revistës "Shejzat". Bashkënxënës, pastaj bashkëmësues me Ibrahim Rugovën, vendosëm t`iu shkruajmë, për t`u abonuar, pajtuar në revisën "Shejzat". Unë i shkrova Ernest Koliqit në Romë, ndërsa Ibrahim Rugova i shkruajti Martin Camaj në Mynih, Gjermani.

Përgjigja ishte pozitive, dashamirëse dhe vëllazërore. Fillimisht letra falenderimi, për interesimin tonë, pastaj na dërguan revistën "Shejzat", botim periodik. Koliqi më dërgoi kompletin e veprave të tij, mes tyre edhe romanin shumë të vlerësuar, "Shija e bukës mbrume". Kompletin ia dhashë Ibrahimit për lexim dhe ka mbetur në bibliotekën e Tij.

Baca Ali Rugova, xhaxhai i Ibrahim Rugovës, ishte me arsim të lartë, kishte qenë edhe pjesë e Luftës së Dytë Botërore, por ishte vetëm nëpunës në komunë, për arsye biografike, ngaqë i kishin ekzekutar babain Rrustë dhe vëllain Ukë Rugova, nuk gëzoi asnjëherë pozitë meritore. Bacës Ali ia dhashë revistën "Shejzat" për lexim, pastaj më foli, me shumë simpati e admiratë, për rolin e ministrit Koliqi, në hapjen e shkollave shqipe, në ish-trevat e pushtuara nga Mbretëria serbo-kroato-sllovene, përgjatë kohës të Shqipërisë së Bashkuar.

Unë ika në Shqipëri. Në çantën e dorës më kishte mbetur një letër e Ernest Koliqit, ku veç tjerash, më ofronte përkrahje për studime në Romë. Kalimi filtërues, hetues, izolim në burg, zgjati disa muaj. Letra e Koliqit ishte befasi për oficerët hetues shqiptarë. Pyetjet rreth letrës dhe vet Koliqit, ishin ngulmuese, edhe pse unë shpjegova se lidhja me Dr. Koliqin, është, thjesht, kulturore. Njëri nga hetuesit, anatemoi jo vetëm Koliqin, por, edhe konfesionin, besimin katolik, me fjalë jashtë çdo etike! U tmerrova nga urrejtja e Tiranës zyrtare, për intelektualin elitë, ish-ministrin e Arsimit, Prof. Dr. Ernest Koliqin!

Hija e letrës së Koliqit, do të më ndiqte përgjatë dekadave të jetës sime në Shqipërinë komuniste. Letra ishte edhe pjesë e akuzës edhe në gjyqin e mëvonshëm, dënimin tim dhe vuajtjen në burgjet shqiptare, përfshi edhe Burgun e Burrelit. Akt-akuzës time iu shtuan edhe Fishta, Camaj, Et`hem Haxhiademi dhe shkrimtarë të tjerë të anatemuar

Prof. Dr. Ernest Koliqi kishte një mik dhe bashkëpunëtor besnik, Prof. Dr. Martin Camaj, të cilit ia kishte besuar politikën redaktuese të revistës "Shejzat". Në vitet `60-a, Camaj nga Roma do të shkonte në Mynih të Gjermanisë. Atje themeloi dhe udhëhoqi Katedrën e Albanologjisë. Koliqi e Camaj, ishin dhe mbetën shumë të nderuar dhe të dashur, deri në adhurim, nga shqiptarët e kudondodhur. Përgjatë jetës së tyre të gjatë dhe gjithë përmallje, larg Shqipërisë së tyre, përkushtimin e parë e kanë pasur Atdheun, Shqipërinë Etnike. 

Fati i Koliqit ka qenë strehimi politik i tij në një vend evropian dhe nuk është vënë para kushtit: "Ose me ne, ose kundër nesh", siç ka ndodhur, përgjithësisht, me emigrantët politikë, të cilët ikën në vendet me regjime të egra komuniste. 

Veprimtaria politike, atdhetare, edukative, studimet historike dhe gjuhësore si dhe krijimtaria gjysmë-shekullore letrare e Prof. Dr. Ernest Koliqit, të lënë si trashëgimi brezave shqiptarë, e bëjnë atë përjetësisht të pavdekshëm dhe lavdiplotë. Tani, në 120 vjetorin e lindjes, shqiptarët e përbotshëm, e përkujtojnë me nderim e admiratë, intelektualin e kompletuar, veç tjerash, ministrin unik të Arsimit, i cili la gjurmë përkujtese tej shekullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat