Krisja e marrëdhënieve Vuqiç – Erdogan dhe pozicioni i Edi Ramës në këtë mesele!

Opinione

Krisja e marrëdhënieve Vuqiç – Erdogan dhe pozicioni i Edi Ramës në këtë mesele!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 26 qershor 2023 Në ora: 18:02
Aleksander Vuçiq dhe Recep Tayyip Erdogan

Aleksandër Vuçiç foli të dielën e shkuar për situatën në Kosovë dhe qëndrimet e tij ndaj situatës atje. Ishte një fjalim në radhën e fjalimeve të mëparshme javore e ditore, me të cilat ai synon të spostojë vëmendjen e publikut serb e ndërkombëtar nga protestat e fuqishme që po zhvillohen në Beograd e qytete të tjera të Serbisë kundër autokratit në krye të shtetit. Kosova është “kashta” pas së cilës presidenti i Serbisë po kapet në kacafytjen e tij në detin e sherrit serb në Serbi e në Beograd.

Por, kësaj radhe tha një të vërtetë të padiskutueshme e të hidhur edhe për vetë artikuluesin e deklaratave të tilla. Thuajse akuzoi Republikën e Turqisë për forcimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, kur tha se kjo forcë “me ndihmën e Turqisë posedon armë moderne, si dron Bajraktar, topa me hedhje në largësi, minahedhës etj”, të cilat sipas Vuçiç, duhen marrë në konsideratë nga pjesa e opinionit serb që nxit konflikt të armatosur me Kosovën. Në fakt është vetë zoti Vuçiç ai që e nxit këtë konflikt të armatosur. Armët e kapura në Zveçan nuk ishin aty pa dijeninë e tij.

Kreu i shtetit serb dukej kështu i shqetësuar për armatosjen dhe moderinizimin e forcave të sigurisë në Kosovë dhe thoshte se kjo bëhet në “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”! Sipas tij, e drejta ndërkombëtare na qenka që Kosova të mos mbrohet nga ai (Serbia) që para 24 vitesh shkaktoi 16 mijë viktima të pafajshme në Kosovë, prej të cilëve mbi 1400 fëmijë. Ose që përdhunoi mbi 20 mijë gra e vajza shqiptare të Kosovës, dogji e shkatërroi gjithçka që gjeti përpara. Vuçiç shpreh dëshirë të jashtëzakonshme që Kosovën ta ketë në atë gjendje që e katandisi shefi i tij, Sllobodan Milosheviç asokohe.

Ndërkaq, shumë i shqetësuar për këto realitete shfaqet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjithnjë në emër “të stabilitetit”. Por të cilit stabilitet, atij të pushtetit të tij e të Vuçiç, apo të paqes e sigurisë, këtë ende nuk e kemi zbuluar! Ai udhëton të hënën në Bruksel për t’u takuar me presidentin e BE-së, francezin Charles Michel, me qëllim që, siç thotë ai, t’i detyrojë Albin Kurtin e Aleksandër Vuçiç të zbatojnë menjëherë Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit dhe aneksin e saj të marsit pranuar në Ohër. Një ngut i jashtëzakonshëm i kryeministrit shqiptar për ta detyruar Albin Kurtin ta pranojë Zajednicën e Vuçiçit! Por fatmirësisht ky Michel, përveçse është një politikan si Rama, nuk ka asnjë lloj pushteti në BE. Më shumë pushtet ka Borrelli, sessa Micheli. Ndaj dhe them se vizita e zotit Rama është një shou mediatik, asgjë më tepër.

Po le të kthehemi te presidenti i Serbisë. Fjala e tij më bën të kuptoj se ai po shkon drejt kapitullimit. Nëse me 28 qershor nuk nxit radikalizmin serb në veri të Kosovës e në Kosovë, bindem plotësisht se rruga e vetme e tij në marrëdhëniet me Kosovën është kapitullimi. Po kapitullimi mund të shoqërohet me matje force. Prandaj druaj se Vuçiç më 28 qershor do të ndërmarrë ndonjë aventurë që në fund do t’i kushtojë atij, por që do të krijojë probleme edhe në Kosovë e në rajon. Nëse shtyhen serbët e veriut të “shpallin pavarësinë”, atëherë ata do të vihen në paradhomën e kullës ku mund të shohin një konflikt të ri të armatosur midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Fundi i këtij konflikti tashmë është i përcaktuar! Edhe kjo dihet!

Prandaj fjalimi i Vuçiç duket se i përkushtohet mënjanimit të një konflikti të tillë. Por mund të jetë edhe një truk. Sepse ai thotë gjithashtu që “Me Albin Kurtin nuk bisedohet”! Në tetorin e vitit të kaluar u thoshte kryetarëve të shteteve e kryeministrave të Evropës të mbledhur në Pragë se “Ne nuk bisedojmë dot me Prishtinën, por me vëllain tim binjak, Edin, ne bisedojmë për gjithçka e merremi vesh për çdo gjë”! Tani ka ndërprerë njëanshëm të gjitha kontaktet me Kurtin. Me zonjën Osmani u takua në Moldavi thjesht për shkak të presionit të Macron dhe Scholz. Dhe si nëpër përralla, edhe Edi Rama thotë se “I ka ngrirë marrëdhëniet më Vuçiç”, edhe pse bisedtat telefonike midis tyre zgjasin me orë. Ndërprerja e kontakteve dhe bisedimeve me Kosovën është shpallje lufte në fakt. Por as luftën nuk e bën dot.

Tani në Kosovë komandën e KFOR-it e ka marrë Republika e Turqisë. Forcat e saj ushtarake në kuadër të KFOR-it janë shtuar. Kjo nuk i ka pëlqyer të përkëdhelurit të Erdogan, zotit Vuçiç. Duket se me Ankaranë ai dëshiron gjithashtu konflikt politik. Por në fjalimin e së dielës Vuçiç nuk tha asnjë fjalë për “ultimatumin” e zotit Rama për “ngrirjen” e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë, sa kohë që Serbia mban peng policët e Kosovës. Mesa duket ai po henglediset me këtë pozicion të Edi Ramës. Sepse Rama e ka lajmëruar se do ta bënte këtë deklaratë. Thjesht kryeministri i Shqipërisë po tregohet pak i padurueshëm. Kërkon që lirimi i policëve të behet sa më shpejt dhe ky të udhëtojë triumfues në Beograd për ta përshëndetur “veprimin e matur dhe paqe ndjellës” të vëllait të tij binjak, Aleksandër Vuçiç!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat