Dje qyteti i Pejës dukej si një gërmadhë, të cilin kurrë më nuk duhet ta shohim në atë gjendje

Opinione

Dje qyteti i Pejës dukej si një gërmadhë, të cilin kurrë më nuk duhet ta shohim në atë gjendje

Nga: Rexhep Elezaj Më: 26 qershor 2023 Në ora: 20:31
Rexhep Elezaj

Pamjet e tmerrshme që vinin parmbrëmë nga Peja e bukur, siç quhet, lulja e Dukagjinit, të cilën e kishte goditur një rrebesh i madh shiu, duke i shndërruar rrugët e saj në lumenj uji të rrëmbyeshëm që po merrnin gati çdo gjë me vete, duke përmbytur dyqane, makina, rrugë dhe sheshe, ishin të frikshme për qytetarët e saj, ngase një qytet i tërë po mbytej në ujë..!?

Mjerisht, vërshimet e parmbrëmshme në Pejë, sidomos në lagjen Asllan Çeshma, meqë rast uji i rrëmbyeshëm i mori jetën një nëne të re dhe djalit të saj 5 vjeçar, na i ka mbushur zëmrat plotë me dhimbje dhe hidhërim, sepse një rrebesh uji pamëshirshëm ua shoi jetën e posa filluar dy bashhkë qytetarëve tanë, duke e kthyer gjithë qytetin në vajë dhe në një ditë zije popullore !

Të reshurat e shumta si dhe goditjet atmosferike me pasoja tragjike, siç e dimë, po ndodhin kudo në Evropë dhe botë, meqë në tërë botën kushtet dhe rrethanat atmosferike në dekadën e fundit kanë ndryshuar me të madhe, prandaj as Kosova nuk përjashtohet nga këto ndryshime klimatike, e cila po ashtu, vazhdon të përfshihet nga ky ciklus befasues atmosferik, siç janë vërshimet e shumta dhe katastrofat atmosferike.

Mirëpo, ajo që duhet shtruar patjetër si pyetje dhe shqetësim të madh, është fakti, se pse dhe cilat janë arsyet që organet komunale të Pejës gjatë 24 viteve pas çlirimit të Kosovës, nuk kanë bërë pothuajse asgjë në rregullimin, zgjerimin dhe ndërtimin e kanaleve të reja nëntokësore, dhe atë në të dyja anët lumit Bistrica (Lumbardh), duke filluar pikërisht nga spitali i qytetit, lagjja Asllan Çeshma e deri në Fidanishte, ndërsa në anën perëndimore të lumit duke filluar nga lagjja Kapeshnicë, parku i qytetit e deri te ish kombinati i drurit, etj., duke gropuar kanale të mëdha sipas standardeve evropiane të cilët gjithë ujin e shirave dhe borës së shkrirë në pranverë do ta bartnin dhe derdhnin në lumin e madh që e ka Peja, duke evituar në këtë mënyrë çdo rrezik për jetën e qytetarëve nga vërshimet e rrëmbyeshme, siç ndodhi para dy netësh në Pejë, duke marrë jetën e një nëne dhe djalit të saj 5 vjeçar..!?

Duhet theksuar, po ashtu përgjigjen banale të zyrtarëve komunalë, jo vetëm në Pejë, në raste të ngjashme edhe në komunat tjera në Kosovës, të cilët duke u përgjigjur në pyetjet e qytetarëve ose gazetarëve, se pse nuk po bëni pothuajse asgjë për rregullimin e infrastrukturës nëntokësore si dhe hapjen e kanalizimeve të reja dhe të domosdoshme në çdo qytet të Kosovës, ata, arsyetohen “se komuna nuk ka buxhet të mjaftuar për sanimin e rrugëve të qytetit, e lere më për ndërtimin e kanalizimeve të reja..”, gjë që një përgjigje e këtillë shtron dilema dhe dyshime të shumta, ngase janë pikërisht zyrtarët komunalë ata të cilët nuk kanë as vizion dhe as ndonjë plan për rikonstruktimin e ri urban të qyteteve, një infrastrukturë e vjetër e ngelur nga koha e ish Jugosllavisë. Por, kanë vullnet dhe interes që të bëhen hisedarë në tenderë të ndryshëm, meqë aty marrin përqindje të majme nga ato projekte, se gjoja janë investitorë të pazavendësueshëm, duke i lënë anash dhe injoruar kërkesat e qytetarëve, qoftë për sigurimin e jetës së tyre, qoftë për përmirësimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe të sigurt brenda dhe jashtë qytetit..!?

Lënia e komunave pas dore nga ana e qeverisë së Kosovës, ndarja e buxheteve të vogla për zhvillimin komunal, me arsyetimin se e kemi buxhetin shumë të vogël, mbase kjo si rrjedhojë edhe për komuna, është papërgjegjësi morale dhe shtetërore, por dhe gabim fatal i çdo qeverie, duke e lënë pas dore zhvillimin e komunave, kur dihet fare mirë, se pa komuna të forta dhe të zhvilluara, nuk mund të ketë as shtet dhe as ekonomi të zhvilluar. Prandaj, derisa në Kosovë vazhdohet të punohet me logjikën e tajkunëve dhe oligarkëve të cilëve fare nuk u intereson mirëqenia e qytetarëve të Kosovës, është gati iluzion të besohet se Kosova me këtë trend të ulët zhvillimor mund të bëhet shpejtë anëtare e BE-së..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat