Kërcënime edhe në kremten e shën vidit

Opinione

Kërcënime edhe në kremten e shën vidit

Nga: Dedë Preqi Më: 28 qershor 2023 Në ora: 18:02
Autori Dedë Preqi

Festa e Shën Vidi, për serbët është bërë tradicion të festohet në Kosovë, si dita e «Vidovdanit» me ç’ rast është festuar në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, por këtë herë u festua në Graçanicë, dhe populli serb, jo vetëm i Kosovës, por edhe i vendeve tjera të Serbisë, e festojnë këtë ditë si shejë të fitores shpirtërore të tyre kundër otomanëve në luftën e vitit 1389, që në realitet ishte një humbje e tyre dhe forcave ballkanike ndaj forcave otomane, ku vritet edhe princi serb Llazar.

Festimi i shën Vidit, në këtë rast 634 vjetori i Betejës mesjetare të Kosovës, kjo festë si shenjë e fitores së rrejshme në Betejën e Kosovës, të vitit 1389, u bë edhe më madhështore, kur kisha dhe politika serbe ia dedikuan edhe shën Vidin, si simbol i «fitores» me ç’rast me qindra serb nga gjitha pjesët e Kosovës dhe Serbisë, tubohen në shenjë manifestimi, që ka më shumë karakter politik, se sa karakter fetar.

Duke mos kërkuar ndjesë ndaj viktimave shqiptare që i shkakton lufta e fundit në Kosovë, ashtu edhe më rastin e tillë të kësaj feste pelegrinët serb në lutjet e tyre për festën e shën Vidit, shumica e tyre janë të karakterit politik dhe aspak fetar, si një përshtypje e çuditshme dhe jo e zakontë, sepse në cilin zot do të besonte ky popull, duke vepruar hapur edhe gjatë kësaj dite festive me kërcënime me të njëjtën bindje dhe urrejtje ndaj popullit shqiptarë.

Atëherë, cili është mesazhi që jep kisha serbe me rastin e kësaj feste besimtarëve të vet, kur mbi të gjitha këndohen vetëm këngë çetnike dhe anti-shqiptare dhe këngë të tjera me përmbajtje fyese dhe nënçmuese kundër shqiptareve, të cilat nuk kanë të bëjnë me rite fetare dhe as me ato ritet e harmonisë ndër njerëzorë.

Dhe fjalimet e Vuçiqit, këto ditë ishin fare të qarta në Beograd, kur thotë për serbët e Kosovës, se mund të ndërmarrin hapa të tjerë për festën e Vidovdanit, duke i frymëzuar dhe mobilizuar serbët e veriut në vend të kremtimit të shën Vidit, të shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit për komunat serbe…

Edhe kisha ortodokse serbe me politikat e saj rrënuese ndaj shtetit të Kosovës, i mbanë frerët e besimtarëve të vet, të atyre të cilët i ushqen dhe i frymëzon me urrejtje e djallëzi ndaj shqiptarëve, si një komponentë e rrethanave të krijuara deri më tani dhe vazhdon në një linjë të njëjtë së bashku me shtetin serb dhe Vuçiqin, duke u angazhuar për zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Kështu nëse një pjesë të shkakut të problemeve historike në mes shqiptarëve dhe serbëve, do e kërkojmë dhe e gjejmë te religjioni dhe udhërrëfyesit e saj, në veçanti te kisha Ortodokse serbe, ku ndër të tjera në emër të fesë dhe zotit veprohet dhe shpaketohen tragjedi e luftëra të pa ndërprera, dhe lirisht mund të themi se kjo rrugë është në shërbim të kundërt të njeriut dhe zotit, e cila nuk është rrugëdalje e qëlluar dhe në përputhje me parimet njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat