"Ylli" për Yuri Kim, për plot shqiptarë provokim, injorim e sfidim!

Opinione

"Ylli" për Yuri Kim, për plot shqiptarë provokim, injorim e sfidim!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 qershor 2023 Në ora: 08:09
Xhevat Mustafa

Si shprehje mirënjohjeje për Edi Ramën si kryeministër e si kryetar i PS- së është i justifikueshëm akti i tij i nderimit të ish ambasadores së SHBA- së, Yuri Kim, shumë e përfolur, e kritikuar dhe urryer nga poshtë dhe "e dashuruar marrëzisht" nga lart! Kjo dekoratë e lartë mirënjohje është një traditë dhe praktikë e moçme shtetërore e  diplomatike! Por, jep shkas apo arsye për debat e kundërshtime niveli i vlerësimit apo i dekoratës! "Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike"...! Për shumëkënd nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, diasporë..., sikur është shumë më i lartë dhe i tepruar për sa bëri apo më shqip, për aq pak sa bëri mirë, për shumicën e popullit, të Shqipërisë, Kombit ambasadorja Yuri Kim!

Në të vërtetë, për nga bilanci i punëve apo veprave, ajo bëri shumë vetëm për  Rama- parti- qeverinë! Sidomos, për fitoret e tyre në betejat elektorale më 25 prill 2021 dhe 14 maj 2023; për gjasme reformën në drejtësi e në disa reforma të tjera allashqiptare! Nuk mund të mos kundërshtohet dhe debatohet edhe opinioni subjektiv i kryeministrit Edi Rama se "ajo bëri më shumë se të gjithë ambasadorët e tjerë të SHBA-së"!

Por, Edi Rama nuk e ka çuar ndërmend të shtrojë pyetjen se çfarë ka bërë në të vërtetë e konkretisht më shumë se të tjerët? E ka fjalën për ato të mira për atë si dopiokryetar, për PS, qeverinë rilindase apo Rama; për disa nga pushtetaret dhe pushtetarët më të lartë e më të afërt të tij, individualisht dhe familjarisht??? Apo për ndikimim e saj minimal apo inekzistent për mirëqenien dhe sigurinë e jetës së shumicës së popullit, për Shqipërinë, Kombin..., për demokratizimin e Shqipërisë në standardet e shumicës së vendeve të BE-së apo të SHBA- së.  ???!!! Se çfarë standarti ka në të vërtetë reforma në drejtësi, e trumbetuar sa u janë ngjirur zërat nga vetë dyshja Edi Rama&Yuri Kim, mjafton fakti se vetëm të afërt të ngushtë me deputeten Elmonela Felaj janë katër vetë në përbërje të ekipit të Prokurorisë së Shtetit!!!??? Kjo dukuri mund të jetë e rrallë në nivel global. Vështirë të gjendet edhe në shtete diktatorialë në Europë, Afrikë, Azi...! Bile as në Rusi, Bjellorusi, Turqi...! Megjithatë kjo ka ndodhur dhe është e verifikueshme në shtetin dhe në sistemin e drejtësisë të Edi Ramës dhe të  Yuri Kim! Më me pak  apo edhe më shumë se 4 vetë nga një familje apo rreth familjar gjenden në plot institucione e dikastere të tjerë apo nëpër stafe bashkishë...! Kështu "shteti i së drejtës", reklamuar së tepërmi e vetëm për propogandë nga Edi Rama dhe Yuri Kim de facto është shtet partiak, klanor, familjar...!

Apo, kryeministri shqiptar tepër bujar e mirënjohës ndaj "miqve të huaj" të tij, ia dhuroi "Yllin e Mirënjohjes Publike" për meritat e saj të veçanta në ndihmën që i dha dhe "punën që bëri më shumë se ambasadorët paraardhës", për t'u nxirë jetën, familjet, perspektivën, diplomat universitare,  profesionin dhe Shqipërinë, dhjetra mijërave shqiptarëve në mosha të reja?! Në këtë mënyrë, duke e ndihmuar me mendje e zemër, me gojë, shkrim, veprime Rama- qeverinë, për t'i nxitur e shtyrë të emigrojnë me çdo rrugë e faturë për në Itali, Gjermani, Angli, Francë, vendet e ulta, vendet nordike, në SHBA, Kanada...?! E megjithatë kryeministri Edi Rama bën të verbërin, të shurdhëtin, të pagojim e të pazëshmin... për këto raste apo dukuri skandaloze, allarilindase! Shprehja më e freskët e arrogancës, e paaftësisë apo kokëfortësisë së tij për të mos reflektuar, kërkuar ndjesë dhe bërë kthesë, është edhe nderimi i lartë, me "Yllin e Mirënjohjes Publike", që i bëri më dt.29 qershor 2023, ish ambasadores  Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj rreth 3 vjeçar e gjysëm në Shqipëri! Për më tepër i thuri edhe një tekst falenderues me doza të larta vlerësimi..., irrituese për shumicën e shqiptarëve!!!??? Për më keq, edhe me fraza të stërgjatura e me shumë fjali të nënrenditura rrjedhimore e tj, thua se është përkthyer në shqip nga një gjuhë tjetër nëpërmjet google translete! Logjikshëm mund të mendohet se e ka shkruar vetë, me kokën dhe dorën e vet, pa ia dhënë ndonjë vartësi apo vartësje diplomuar për gjuhë- letërsi për korrektim gjuhësor, në respektim të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe! Kritikuesit dhe kundështarët e Yuri Kim si individ e si "kukull e Xhorxh Sorosit dhe e Edi Ramës" e jo sikur të ishte 100% institucioni dhe shteti që përfaqësonte, Edi Rama i rifyejti dhe talli kushedi për të satën herë si armiq politikë të saj e të tij. Duke u shprehur kështu, me ironi therëse, ai "harroi" apo shprehu se "nuk ka kuptuar" se shumica e veprimeve dhe deklarimeve të ish ambasadores Yuri Kim mbartnin arsye të forta për të mos u dashur e për t'u urryer! Deri, për t'u përmbytur me kritika për mbështetjen e plotë dhe njëanshmërinë e qartë, të qëllimshme, të vullnetshme e të vazhdueshme majtas të saj!!!??? Ndoshta Edi Rama gjykon se përderi sa ka qenë e mirë për mua dhe qeverinë time, detyrimisht duhet të pranohet si e mirë edhe nga të gjithë shqiptarët nën këmbët apo qeverisjen time?

Pas 10 vitesh mbretërimi dhe plotpushtetizimi është kuptuar se t'i flasësh Edi Ramës për shtet të vërtetë ligjor; për demokraci dhe demokratizim të vërtetë dhe në zbatim të përjetueshëm në çdo sekondë e në çdo metër të shumicës së popullit; për reformë të vërtetë në drejtësi; për luftë të vërtetë e të pamëshirshme kundër korrupsionit; për vepra të tij me doza diktatorizimi, filoserbizmi,  antishqiptarizmi; për dështime të tij të qarta e të rënda në të gjitha drejtimet, është njësoj sikur t'i flasësh kockave të Enver Hoxhës në varr e shpirtit të tij në ferr!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat