Analiza e politikës së jashtme - rasti i Kosovës, sfida e zbatimit të politikës së jashtme

Opinione

Analiza e politikës së jashtme - rasti i Kosovës, sfida e zbatimit të politikës së jashtme

Nga: Nijazi Halili, Ph Më: 30 qershor 2023 Në ora: 15:48
Nijazi Halili

Ministria e Punëve të Jashtme që nga themelimi i saj ka bërë përpjekje serioze për të ndërtuar një shërbim dhe staf diplomatik që ka aftësi për t'iu përgjigjur sfidave unike të vendit në politikën e jashtme.

Vështirësitë e kësaj përpjekjeje bëhen edhe më të qarta kur kemi parasysh faktin se ndërtimi i shërbimit diplomatik dhe kapaciteteve të politikës së jashtme  janë me përvojë të kufizuar vetanake.

Përkundër fillimit të mirë, procesi i rekrutimit dhe zhvillimit të stafit diplomatik është dëmtuar nga ndërhyrjet politike, si në proces të rekrutimit po ashtu në proces të avancimeve dhe rotacionit në shërbimin diplomatik. Si rezultat i kësaj, në kuadër të shërbimit diplomatik të Kosovës ka personel që nuk plotëson as kriteret minimale të përcaktuara me ligj siç është njohja e gjuhës angleze. Tashmë lidhjet familjare ndërmjet personelit të shërbimit diplomatik të Kosovës me disa Deputetë të Kuvendit të Republikës ose personalitete me ndikim në parti politike ose qeveri janë të njohura për publikun.

Ndikimi politik në shërbimin diplomatik jo vetëm që ka ndikuar në aspektin profesional të personelit por ka penguar edhe në funksionimin normal të Ambasadave të Kosovës, duke qenë se në disa raste pjesë e personelit diplomatik në këto ambasada kanë qenë persona me më shumë fuqi politike se vetë Ambasadori dhe kjo në disa raste ka sjellë probleme edhe me respektimin e hierarkisë brenda ambasadës.

Mirëpo problemet nga ndikimi politik në shërbimin diplomatik janë edhe më serioze sesa njohja e gjuhës angleze. Si rezultat i rekrutimeve të personelit jo profesional dhe avancimeve jo të bazuara në meritë, shërbimit diplomatik të Kosovës i mungojnë kapacitet e nevojshme në fusha të specializuara, dhe kjo ndikon në kapacitetin e MPJ-së për të zbatuar politikë të jashtme.

Siç është bërë e ditur nga disa të intervistuar, janë të mangët pjesëtarët e shërbimit diplomatik që kanë kapacitet të hartojnë një analizë të mirëfilltë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat