Burrëria e Borrellit dhe lajkat e Lajçakut

Opinione

Burrëria e Borrellit dhe lajkat e Lajçakut

Nga: Isa Zymberi Më: 1 korrik 2023 Në ora: 10:59
Isa Zymberi

Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, serioziteti i BE-së ka pësuar një rënie drastike. Mund të presupozohet se kjo rënie shkon nga 40 deri në 50%. Edhe pjesën që ka mbetur brenda BE-së, kryesisht e bart Gjermania. Me administratën e SHBA-së jo në ditët e saj më të mira, del në pah një mozaik i shthurur i botës demokratike perëndimore, e së këndejmi edhe zbehja e ndërmarrjeve të sukseshme në arenën nderkombëtare.

Bota demokratike perëndimore, me shumë të drejtë, është rreshtuar pas Ukrainës, e cila u sulmua ushtarakisht mbi bazën e modelit të gënjeshtrave serbe, gjoja për të mbrojtur pakicën e shtypur ruse. Me mbështetjen e Perëndimit, Ukraina i bëri ballë Rusisë dhe evitoi pushtimin e saj të plotë, që fillimisht ishte qëllimi rus. Megjithatë, Rusia ka realizuar atë që ka dashur dhe ndryshimi i kësaj gjendjeje tani po dëshmohet se është shumë i vështirë.

Përveç mbështetjes së drejtpërdrejtë ushtarake, që po i ofrohet Ukrainës, janë marrë edhe masa të tjera kundër Rusisë, siç janë sanksionet. Sanksionet zakonisht dëmtojnë popullatën më shumë sesa regjimin, por rreshtimi pas masave të tilla e ka aspektin simbolik. Shtetet europiane janë rreshtuar me të drejtë kundër Rusisë, por ka disa që janë të luhatshme, kurse është vetëm një që, së paku në këtë aspekt është i sinqertë. Ky shtet është Serbia, e cila haptas është rreshtuar në anën e Rusisë.

Megjithatë, Perëndimi sikur po shpreson që me lajkat e dredhitë e Lajçakut, dhe me "burrninë" e Borellit (një 'Poshteni Katalanac'), gradualisht, pak nga pak, duke i bërë Sërbisë lëshime për sjelljet e saj ndaj fqinjve, sidomos ndaj Kosovës, ku Serbia tani ushqen të njëjtin pretendim si Rusia ndaj Ukrainës, do t'ia dalin ta kthejnë atë drejt botës perëndimore demokratike. Një tufë zyrtarësh të rëndësishem ndërkombëtarë, të caktuar për zgjidhjen e problemeve Kosovë - Serbi, po luajnë rolin e 'kokëboshëve vullnetarë' me pretendimin se duke i bërë lëshime Serbisë do të sjellin zgjidhje të problemeve Kosovë - Serbi (wishful thinking). Disa të tillëve sikur po u pëlqen ky rol dhe shkojnë aq larg sa lëshojnë deklarata në favor të Serbisë, që me të drejtë karakterizohen si 'të çmendura'.

Pra, plani i Perëndimit po del të jetë që Serbinë ta kthejë mbarë duke i bërë lëshime në raport me Kosovën.

Emisarët po sillen më tepër si planifikues të tensioneve sesa si ndërmjetës që, duke lehtësuar dialogun, do të arrinin te një marrëveshje e qendrueshme.

Në këtë katrahurë të dëmshme, Kurti e ka futur vetën me një infantilizëm politik të pamatur në përpjekje për të luftuar idiotizmat më të parëndësishëm të Serbisë me seriozitetin më të madh politik.

Kur u problematizuan targat, zyrtarët e SHBA-së i dhanë Kurtit rrugëdalje që ta shtynte këtë çështje për dhjetë muaj. Përgjigja më e mirë e tij do të kishte qenë, 'Jo, do ta shtyej këtë çështje për një vit apo një e gjysmë'. Kur i doli problemi me kryetarët dhe ndërtesat e komunave, përsëri, për hir se kërkesa vinte nga aleati më meritor, që sot Kurti të mund ta quajë vetën kryeministër i Kosovës së pavarur, ai duhej ta përfillte këtë kërkesë pa asnjë mëdyshje. Kurti zgjodhi t'i mbetet besnik kokëfortësisë së tij, prandaj dhe po akuzohet si krijues i tensioneve të fundit në veri të Kosovës. 'Në këtë republikën tonë demokratike', pushteti duhet të përdoret me shumë kujdes dhe zgjuarsi. Nuk ia vlen të shkatërrohet Kosova, e pastaj ta vajtojmë fatin tonë edhe një shekull për padrejtësitë që na janë bërë.

Akuzat ndaj Kurtit po i shijojnë tejmase Vuçiqit, e, për çudi, edhe Edi Ramës. Rama mund të pretendojë se, në raport me Kosovën, po merret me një politikë të nivelit të lartë, të cilën shqiptarët (perveç Baton Haxhiut) nuk e kuptojnë. E vërteta është se sot Edi Rama ka nevojë më shumë se kurrë të merret me tema të mëdha dhe ta paraqesë vetën si të pashmangshëm në zgjidhjen e këtyre problemeve rajonale. Propozimi për një konferencë të re ndërkombëtare për Kosovën është sa naiv, aq dhe i rrezikshëm.

Rama ka kohë që vazhdimisht i del krah Serbisë dhe pa u hamendur kritikon udhëheqjet e njëpasnjëshme të Kosovës. Kuptohet, në rrethana të caktuara, është e rrugës dhe fisnike ta frenosh tëndin, por kjo nuk bëhet duke e shfrenuar atë që është drejtpërdrejtë përgjegjës për vrasje civilësh, femrash dhe fëmijësh, dhe për dhunim grashë; kjo nuk bëhet duke kërkuar cep më cep Europës që ta kuptojnë Serbinë pse nuk mund të shkëputet nga Rusia!

Sidoqoftë, afërsinë e vet me mikun Aleksandër Vuçiq, Rama e testoi fare mirë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, lirimin e të cilëve e kërkoi me ngulm, por meritat për lirimin e tyre, megjithatë, i mori Orbani.

Lutjet dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për lirimin e tre policëve të Kosovës kanë qenë të kota. Sërbisë nuk i ka interesuar mbajtja e policëve në burg, as dënimi i tyre. Kidnapimin e policëve Serbia e ka bërë thjesht për ta poshtëruar Kosovën dhe këtë nuk e ka për herë të parë.

Serbia, me absurditetin më të madh, e akuzon Kosovën se po kërkon luftë, duke qenë vetë e gatshme ta nisë luftën në momentin kur këtë t'ia kërkojë Rusia. Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë, madje edhe tani kur i ka duart të zëna me Ukrajinën, e intersuar për një 'replay' të ngjajeve të vitit 1999 në mënyrë që t'ia ofrojë Serbisë mbështetjen e duhur.

Kjo nuk ka asnjë gjasë të ndodhë.

Serbia ka borxhe të krimeve gjenocidale gjithandej, dhe asaj duhet t'i bëhet e qartë se kurrë më nuk do të jetë në pozitë të kryejë krime ndaj palëve krejt të paarmatosura si në vitet '90 të shekullit të kaluar. Serbisë duhet po ashtu t'i bëhet e qartë se konflikti i ardhshëm mund ta kthejë atë në kufijtë e pashallëkut të Beogradit, të cilët paraqesin origjinën e shtetit të pavarur serb.

Për këtë, ndërkaq, nevojitet një konsensus i shteteve të rajonit, i cili, fatkeqësisht, nuk ekziston madje as midis Shqipërisë dhe Kosovës. Krahas kësaj nevojitet mbështetje e sinqertë e Perëndimit, në këtë moment, as kjo nuk ekziston, prandaj nevojiten veprime të peshuara mirë, masa jo të vrazhda, qëllimmira dhe që i kuptojnë drejt si njerëzit e rëndomtë ashtu dhe ndërkombëtarët e shkujdesur.

Poshtërimi i Kosovës duke ia kidnapuar policët erdhi pas poshtërimit që Serbia ia kishte bërë KFOR-it duke ia lëshuar në shpinë kriminelët serbë, të lirë për të përdorur madje edhe plumba, përveç mjeteve të tjera, sidomos shkopinjve, kundër trupave të KFOR-it që ndodhi të ishin hungarezë e italianë. Vuçiqi e dëshmoi me vepra artikullin e New York Times për lidhjet e tij me botën e krimit, por kjo sikur nuk po i bën përshtypje askujt. Përkundër të gjitha këtyre, ndërmjetësit dhe zyrtarët amerikanë po i kapërdijnë të gjitha, dhe, thuaja, po e akuzojnë Kosovën edhe për sherret serbe. Kjo vetëm tregon sa keq i ka punët Kosova në këto rrethana.

Gjatë disa ditëve të fundit, janë dëgjuar kritika sidomos ndaj Laiçakut me qendrimet e tij totalisht të njëanshme. Kjo po ndodh sidomos pas publikimit të një shkrimi të gjatë të Marc Weller-it, këshilltar i palës kosovare, ku dalin qartë të gjitha makinacionet e manipulimet e dyshes Borrell-Lajçak. Fatkeqësisht, për shkak të infantilizmit politik të Albin Kurtit dhe gabimeve të tij, kritikat ndaj dyshes së mësipërme përmblidhen kryesisht me frazën 'mos e kritikoni vetëm Kosovën'. Kosova duhet të lobojë shumë më tepër dhe më efektshëm që të mund të shpresojë të shpëtojë nga kjo situatë.

Fill pas marrëveshjes së Ohrit, doli qartë qëllimi vetëm i krijimit të asociacionit. Nëse pala kosovare fillon me krijimin e asociacionit, ashtu siç po ia kërkojnë lehtësuesit e dialogut, por edhe zyrtarët amerikanë, le t'i harrojë pikat e tjera të marrëveshjes - nuk do të realizohet asnjëra prej tyre.

Në këto rrethana, është më se e domosdoshme që pala kosovare ta kërkojë largimin e Lajçakut, në njërën anë, si dhe të insistojë që çfarëdo marrëveshje e mundshme me Serbinë të realizohet në bllok pa seleksionuar këtë apo atë pikë, duke ndërlidhur zbatimin e njërës me zbatimin e të tjerave, në anën tjetër.

Për të shmangur dëmet e pashmangshme që do t'i shkaktohen Kosovës, do të ishte e rrugës që partitë politike të merreshin vesh për formimin e një qeverie teknike, e cila do të gjente rrugën e duhur për të kryer punën që i takon për shtensionimin e situatës në veri, natyrisht pa lëshuar pe në asnjë moment për çështje që e prekin pavarësinë e Kosovës dhe rendin e saj kushtetues. Është, tashmë, e qartë se Kurti ka bluar më tepër se ç'është në gjendje të konsumojë.

Nuk është kjo kohë për ngritjen apo rënien e partive politike.

Be-ja, ndërkaq, do të ishte mirë të merrej seriozisht me pesë shtetet që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën. Këto shtete janë kontribuese të drejtpërdrejta të destabilizimit. Arsyet e refuzimit të njohjes së Kosovës prej tyre janë totalisht të pakuptimta. Për tu bërë Baskia e Katalonia shtete të pavarura si Kosova, Spanjës i nevojitet një Millosheviq dhe vite lufte gjenocidale. Arsyet e mosnjohjes së Kosovës nga katër vendet e tjera të BE-së janë krejt të pakuptimta, të paarsyeshme, madje dhe turpshme. Pavarësia e Kosovës nuk e dëmton askë, madje as Serbinë që vazhdon të ushqejë pretendime delirante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat