Miu i përrallës dhe sanksionet kundër Kosovës

Opinione

Miu i përrallës dhe sanksionet kundër Kosovës

Nga: Dibran Demaku Më: 2 korrik 2023 Në ora: 10:14
Dibran Demaku

Në një përrallë thuhet:Derisa po flinin në një odë burrash (atëherë për shkaqe objektive flinin shumë burra në një dhomë) njërit i kalon miu nëpër mustaqe.Ai i tmerruar bërtet:-Burra më kaloi miu nëpër mustaqe!

Ata të tjerët gjysmë të zgjuar e gjysmë të fjetur ia kishin kthyer:- Përse bërtet si i çmendur,kur miu është vetëm një mi dhe nuk është elefand. Vërtetë u frikësove nga një mi. Çfarë burri je ti?!

Nuk u frikësova nga miu që më kaloi nëpër mustaqe, por po shqetësohem se në këtë mënyrë ai e mëson rrugën dhe ku ta dish se sa herë të tjera do ta bëjë këtë rrugë!

Ai, burrë i dheut ia kishin kthyer ata. Fli se edhe nëse të kalon nëpër mustaqe ai është vetëm një mi!…

Këto ditë po flitet e po shkruhet se Bashkimi Evropian i ka vërë sanksione Kosovës,dhe atë vetëm për kryeneqësinë e kryeministrit Kurti, i cili nuk po i zbatuaka vendimet dhe këshillat e tyre në raport me Serbinë?!

Dhe këtyre sanksioneve të Europës vërë Kosovës, shumë kryeparë të partive opozitare të vendit u gëzohen. Dhe jo vetëm që u gëzohen, por i përkrahin ato. Dhe këtë e bëjnë vetëm e vetëm për inat të kryeministrit Kurti?!

Dhe kësaj klime shkatërruese për vendin i bashkohen edhe shumë të ashtuquajtur analistë dhe kalemgjinjë që veten e quajnë të gjithëdijshëm.

Në këtë mënyrë ata (me vetëdije apo pa të) kalojnë në taborrin e atyre që ishin janë dhe do të jenë gjithmonë kundër Kosovës së pavarur?!

Sa do të zgjasë kjo nuk dihet,vetëm ajo që dihet është se të tillët po bëhen hisedarë me ata që e duan zhbërjen e Kosovës si shtet!

Bashkimi Evropian me politikën e tij (që kur Kosova e ka shpallur pavatësinë e saj sikur nuk është pajtuar me atë vendim) sepse as pas kaq vitesh nuk e pranon Pavarësinë e Kosovës?!

Duke mos e pranuar Pavarësinë e Kosovës, Bashkimi Evropian sikur e tumirë ëndrrën serbe se Kosova është ende pjesë e Serbisë?!

Sanksionet e para të Bashkimit europian duhet të jenë shqetësuese për të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Dhe kjo e tëra nuk duhet të kalojë vetëm me shqetësim,por edhe me ngritje zëri kundër tyre.

Sepse nëse kalojnë si të tilla (pa kundërshtime), sikur thonë ca kryeparë të partive opozitare të vendit, ato, pra sanksionet si ai miu i përrallës do ta mësojnë rrugën dhe nuk dihet se kur dhe ku do të ndalen!…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat