Fluturimi nëpër kohë i Ramës!

Opinione

Fluturimi nëpër kohë i Ramës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 2 korrik 2023 Në ora: 14:47
Edi Rama

Si politikan, ishte një afirmim i befasishëm. Ndoshta rasti për këtë ishte zgjedhur. Rama në Beograd, që askush se priste, i kërkoi Serbisë njohjen e Kosovës. Shqiptarët kudo që ishin u entuziazmuan. Mendohej se tash e kemi një burrështetas, që do i mbroj interesat e shqiptarëve kudo që janë.

Nuk vonoi dhe doli me kërkesën për bashkim kombëtar. Ishte befasia e radhës për shqiptarët. Jemi dy shtete dhe tash e tutje nuk do të nëpërkëmbemi, ishte mendimi i përgjithshëm.

Ndërkohë shqiptarët ende pa e mbaruar ekstazën e lumturisë nga qëndrimet pro kombëtare të Ramës, u ballafaquan me anën tjetër të medaljes së tij.

Ai iu bashkua kërkesës së Thaçit për ndarjen e Kosovës, megjithëse në mënyrë tinëzare. U vëllazërua me Vuçiqin. Serbinë e llogariste si qendrën e botës. I injoronte dhe përçmonte shqiptarët me një fjalor gjithnjë e më banal.

 Me shkuarjen e Thaçit në Hagë, filloi të largohej gjithnjë e më shumë nga Kosova, duke i injoruar qeveritë e saj.

Çështja shkoi deri aty saqë Rama u bashkua me qëndrimin e Vuçiqit, për idenë e një e Ballkanit të Hapur.

Së pari reagoi Kosova, por kudo që ishin shqiptarët e vlerësuan këtë, si një ide ruso – serbe. U numëruan argumentet, qëllimet, u bënë analiza, u kthyem edhe deri në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore për t´i paraqitur dëshmitë se edhe në atë kohë ishte një ide e tillë, e cila Shqipërinë e kishte hedhur në dy gjunjët.  Serbia e kishte vërshuar tregun shqiptar me çmimin më të lirë të mallrave, ku prodhimi vendor kishte falimentuar.

Për çudi, të gjitha përpjekjet ishin të kota. Më në fund Kosova fuqishëm kishte deklaruar se Kosova kurrën e kurrës, nuk do i bashkohet një iniciative të tillë. Për ne vlen vetëm Procesi i Berlinit dhe EU, kishte deklaruar.

Punët shkuan deri aty që kësaj iniciative iu bashkuan Maqedonia dhe Mali i Zi me Abazoviqin, sepse Gjukanoviqi ishte kundër.

Përkundër përpjekës së shqiptarëve, udhëtimi nëpër kohë i Ramës vazhdoi tutje. Pas e kishte Rilindjen e tij, PS dhe PD të Kosovës.

Gjatë këtij udhëtimi, e anuloi takimin e paraparë të përbashkët të dy qeverive në Gjakovë. Ky anulim ishte: gjaku im që nuk falet, do të thoshte poeti Ali Podrimja.

 Në vazhdim e paraqiti draft - statutin për Veriun e Kosovës dhe para se ta ndërprente udhëtimin nëpër kohë, në EU e propozoi edhe një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën, që ishte ide e kamotshme e Serbisë.

Pra kryeministri shqiptar sa më gjatë që udhëtonte nëpër kohë, aq më i tjetërsuar dhe i huaj bëhej për shqiptarët.

Në një moment që askush nuk e priste dhe për çudinë e shqiptarëve deklaroi:  Ballkani i Hapur është i mbyllur. E kishte kryer misionin e tij, tha.

 Me një deklaratë të tillë, nuk e pranoi fajin mbi vete, por e la çështjen e hapur gjoja se e kishte kryer misionin e tij, por çfarë misioni, mbetet enigmë për shqiptarët.

Nga ana tjetër e universit u lajmërua vëllaçko i tij Vuçiqi, duke mos besuar se Rama, me mendje të shëndoshë, kishte deklaruar diçka të tillë.

Vuçiqi nuk mund ta marr me mend, dështimin e projektit të tij, i cili fshihej pas projektit të Botës Serbe.

Por për fat të mirë Ramës më në fund i doli gjumi, porse a do të përfundoi këtu udhëtimi i tij nëpër kohë, ende nuk dihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat