Vizita e Bill Clintonit në Tiranë, një mbështetje për Shqipërinë dhe një ndëshkim për Kosovën!

Opinione

Vizita e Bill Clintonit në Tiranë, një mbështetje për Shqipërinë dhe një ndëshkim për Kosovën!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 4 korrik 2023 Në ora: 16:01
Rexhep Elezaj

Kur presidenti ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova për dhjetë vite rresht nuk ka pushuar së kërkuari, që Kosova të ndërtojë marrëdhënie miqësore dhe të përhershme me SHBA-të, ai domosdo ka pasur parasysh shumë faktorë dhe shkaqe për atë që bënte, pra, se pse shqiptarët duhet të ndërtojnë marrëdhënie të përhershme dhe miqësore me Amerikën, meqë ishte plotësisht i vetëdijshëm se ekzistenca e kombit shqiptar, sidomos ajo e Kosovës, do varet shumë nga mbështetja amerikane. Ai e dinte faktin se populli dhe kombi shqiptar në Ballkan është i vogël dhe i pa zhvilluar ekonomikisht dhe ushtarakisht, në masën sa me forcat vetanake do mund t’u bënte ballë sulmeve dhe hegjemonisë së shteteve fqinje, siç edhe ndodhi me 1998/99, kur miqtë amerikan do na dalin në ndihmë, duke e bombarduar një shtet kriminal siç ishte Serbia, regjimi i të cilës po vriste dhe masakronte mizorisht popullin shqiptar të pambrojtur në Kosovë.

Prandaj, pikëpamja e krahut majtist shqiptar, se Kosova mund të çlirohej edhe pa ndihmën e amerikanëve, përveç se ishte një hipokrizi dhe thënie e pa sakët, në fakt ajo ishte ide antikombëtare, ngase ishte majtizmi socialist, komunist-stalinist i Rusisë cariste, ai i cili i solli dëmet më të pariparueshme kauzës dhe qenies kombëtare-etnike dhe nacionale të kombit shqiptar, kur shteti amë i gjithë shqiptarëve do rreshtohet mbrapshtë pas ideologjisë bolshevike dhe Internacionales proletare ruso-komuniste, e cila për 46 vite do e mbajë peng Shqipërinë nën regjimin komunist-stalinist, i cili shtetin tonë amë do e shndërroi në një diktaturë të paparë në historinë e popujve të lirë të botës demokratike.

Ndërsa, Kosova e cila kishte ngelur nën regjimin ish jugosllav me fajin e Enver Hoxhës dhe partisë së tij komuniste, ajo për 54 vite do përjetoi krimet, vrasjet dhe likuidimet më monstruoze nga regjimi serbo-sllavo-komunist, vetëm për shkakun se ishin shqiptarë, dhe, po sikur Shqipëria t’i ishte bashkuar pas LDB-re (1945) aleatëve perëndimorë kundër Rusisë, po sikur të kishte lidhur aleancë me Amerikën dhe Anglinë, përveç se do ishte bërë një vend i pasur dhe demokratik, e them me siguri, se kurrë Kosova me vise nuk do mbetej nën regjimin e çetnikëve komunist-fashist të Serbisë, veçse qysh në vitin 1945 trojet shqiptare do ishin të bashkuara në një shtet të vetëm etnik në Ballkan.

A nuk është fakt i gjallë, se falë aleancës dhe miqësisë të cilën e ndërtoi me mund dhe sakrifica presidenti Ibrahim Rugova me SHBA-të për dhjetë vite në rrethana okupimi, Kosova dhe shqiptarët u çliruan përgjithmonë nga barbaria, robëria, poshtërimi, vuajtjet, burgosjet, vrasjet si dhe torturat mizore të cilat për gati 60 vite ua bëri regjimi komunist-fashist serbo-sllavo-ortodoks. A nuk u çlirua Kosova në qershor të vitit 1999 falë bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, të cilën fushatë e udhëhoqi miku i shqiptarëve, gjenerali amerikan Wesly Clark, a nuk u dëbua edhe ushtari i fundit serb nga Kosova nga ushtarët amerikan për të mos guxuar të kthehen kurrë më në Kosovë, etj etj., pra regjimin barbar serb e detyruan të kapitullojë me turp në Kumanovë, për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë ai regjim fashist.

A nuk ishte presidenti amerikan Georg W. Bush, ai i cili në Tiranë në vitin 2007 tha; “Mjaftë është mjaftë, Kosova është e pavarur”, a nuk janë miqtë tanë amerikan ata të cilët e çliruan dhe më pas e shpallën shtet të pavarur Kosovën, apo ishte Moska dhe Rusia ajo e cila na bëri shtet të pavarur dhe sovran..!?

Të gjitha këto që u thanë më lartë nuk janë as ëndrra, as fantazira, as broçkulla, as gënjeshtra e as trillime, por që të gjitha janë fakte të gjalla, të cilat janë gravuar thellë në analet e historisë së miqësisë shqiptaro-amerikane, dhe, të cilat askush në botë nuk mund t’i nxjerr nga librat e historisë shqiptare të Kosovës si dhe kombit shqiptar 10 milionësh në Ballkan.

Madje, ambasadori amerikan në Kosovë, z. J. Hovenier, në një intervistë televizive në Prishtinë para ca ditësh, ndër të tjera tha, po e parafrazoj; “Ne amerikanët nuk po mundemi ta kuptojmë Albin Kurtin, kur të gjithë faktorët ndërkombëtarë po i thonë se duhet t’i zbatojë tri kërkesat e BE-së për de-eskalim të situatës në veri, po ashtu i thanë edhe anglezët, kurse ai nuk po e dëgjon askënd nga miqtë e Kosovës..”..!?

Të mbash qëndrime me kokëfortësi dhe të marrësh vendime për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, i cili vazhdon të ketë premisa të sigurisë ndërkombëtare në Ballkan dhe Evropë, përveç se nuk është aspak mençuri politike, në fakt ato veprime janë për Kosovën goditje e murit me kokë, janë djallëzi politike, siç e tha dje në Tiranë çlirimtari i Kosovës, ish presidenti amerikan, Bill Clinton, kur e gjithë bota e dinë se Kosova është storia më e dashur e suksesit amerikan në botë, për ndërtimin e të cilës kanë dhënë mund dhe sakrifica të mëdha.

Pra, ardhja dje në Tiranë e Bill Clintonit, është pa dyshim një akt historik për Shqipërinë dhe ecjen së saj drejtë anëtarësimit në BE, është shprehje e miqësisë së sinqertë amerikane ndaj kombit shqiptar, është përkrahje morale dhe politike për demokracinë në Shqipëri dhe Ballkanin perëndimor, është respekt dhe mirënjohje amerikane ndaj shqiptarëve si populli më pro-amerikan në botë, por edhe garant për sigurinë e tyre nacionale. Ndërsa, mos ardhja e ish presidentit amerikan në folenë dhe kopshtin e bukur të ndërtuar nga vetë dora e tij, në Kosovën e dashur, përveç se ishte zhgënjim i madh për popullin shqiptar, që ai mos ta vizitojë popullin të cilin e shpëtoi nga zhdukja dhe gjenocidi masiv, t’i vizitojë shqiptarët e tij që i mban gjithnjë në zëmër, thënë pa ekuivok, ishte akt antikombëtar i atyre që u bën shkak për mos ardhjen e tij në Kosovë, dhe, për turpin tonë kolektiv, dje B. Clinton i përngjante asaj nënës të cilës ia ndalojnë me marrë n’grykë dhe me e përqafuar fëmiun e saj të posa lindur..!?

Zot, jep mend aty ku nuk ka..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat