Ogerta Manastirliu mes kritikave dhe mirënjohjes!

Opinione

Ogerta Manastirliu mes kritikave dhe mirënjohjes!

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 09:44
Autori Xhevat Mustafa

Në plot nga shkrimet e mi të viteve të fundit përkrah kritikave ndaj Edi Ramës si kryeministër dhe ekip qeveritar, mund të gjenden edhe ato që lidhen me emrin dhe institucionin Ogerta Manastirliu! Nuk jemi takuar fizikisht, por në tre raste që i kam kërkuar angazhim dhe interesim për njerëz të mi të familjes dhe rrethit miqsor, ka treguar gatishmëri  dhe shpejtësi për të ndërhyrë tek shefat e pavionëve përkatës, pa parë, kujtuar e vlerësuar se jemi kundërshtarë politikë! Ka pasur vullnet, dëshirë e ka gjetur kohë për interesim, edhe  pse dihet mirë se ka një stivë të madhe me shqetësime të përditshme dhe afatgjata zyrtare, dikasteriale, institucionale, partiake, familjare!

Në njerin nga këto raste, një miku im në gjendje tejet kritike, nuk kishte pasur përkujdesje për 3 ditë nga mjekët, sepse e shoqja, duke punuar vetë në mjeksi e duke i pandehur kolegët si vetja, nuk u kishte futur në xhepa mjekëve dhe infermjereve shuka me mijëra lekë! Mund të them se ndërhyrja e ministres Manastirliu ia shpëtoi jetën, duke i shtyrë mjekët të ndryshonin qëndrim e trajtim ndaj pacientit në prag shuarjeje...!!!??? Rasti më i freskët ishte më dt.2 korrik 2023, në një ditë pushimi, në të djelë, afër drekës, kur mund të ishte për relaks dhe argëtim me familjen! Ka të bëjë me një shokun tim të fëmijërisë nga Kavaja, gazetar e shkrimtar, prej rreth 3 muajsh në gjendje shendetsore, që kërkon kujdes të gjatë spitalor.

Natyrisht, jo thjeshtë për korrektesë apo kortezi, as për pragmatizëm, ia kam shprehur shpejt edhe mirënjohjen dhe respektin ministres...! Idealja do të ishte që të mos e shqetësoja as unë dhe askush tjetër me ndërhyrje personale, duke shfrytësuar faktin që e kam prej vitesh njerin nga numrat e celularëve të saj! Pra, që në spitalet publike dhe në pavionet e tyre, personeli drejtues dhe mjeksor, të mbikqyrur e detyruar jo vetëm nga ministria dhe ministrja e tyre, por edhe nga institucione të tjera qeveritare e shtetërore, sidomos nga ata të kontrollit e të drejtësisë, të bënin punën e tyre në mënyrë operative, vullnetshëm, me përgjegjshmëri maksimale e pa i parë pacientët tek duart!

Por, jemi në Shqipëri, në një vend ku mallkimi më masiv e më i përhapur është: të pafsha në një spital apo zyrë shteti! Apo, si urim: mos të çoftë halli në një spital apo zyrë shteti!!!??? Si qytetar uroj me sinqeritet maksimal që ministrja Ogerta Manastirliu të arrijë të bëjë kthesë apo përmbysje të fortë në ministri e në të gjithë spitalet dhe strukturat e tjera në vartësi të saj..!  Kjo kërkon, së pari, që ajo të angazhohet individualisht e institucionalisht, për ndryshim rrënjësor apo tërësor mentaliteti dhe të gjendjes në spitalet publike, për fat të keq akoma përmbytur nga korrupsioni, sidomos me tenderat,  neglizhenca, papërgjegjshmëria, amullia... dhe tejet larg nivelit të spitaleve publike në vendet perendimore..., si edhe të disa spitaleve private në Shqipëri! Apo të bëjë një mrekulli apo revolucion, thuajse një të pamundur, për kushtet në realitetin e sotëm aĺlashqiptar, thuajse unikal për nga keqqeverisja e nga të këqiat!

Pra, prej asaj si ministre e si dikaster shtrohet misioni e detyra  për të ndikuar maksimalisht, që drejtuesit në spitale, mjekët, infernjerët dhe personeli teknik, i kontrolleve me aparatura dhe i analizave, të mjaftohen me pagat e tyre mujore...! Edhe më troç: të mos mendojnë për të mbushur xhepa, kasaforta, karta bankare..., për të shtuar pasuri të patundshme me përfitime të shumta nga pacientët hallexhinj! Këta, në shumicën e rasteve, mbyten në borxhe ose varfërohen për të paguar kujdesin mjeksor, ligjërisht falas, por që jo pak familjeve u kushton tmerrësisht shumë apo jo rrallë, me jetën e familjarit të tyre!

Pa ndryshuar qëndrim politik, pa  menduar t'ia "harroj" apo "fal" rezervat, kundërshtitë, përfoljet apo të vërtetat, skandalet, kritikat publike..., ministres Ogerta Manastirliu si individ,  institucionalisht, si figurë partiake dhe qeveritare, nuk do të ishte as njerëzore e as korrekte për nga këndvështrimi edukativ dhe kulturor, nëse nuk do t'ia llogarisja edhe këto mirësi apo veprime pozitive! Për më tepër, për këto jam i bindur se nuk i shpreh vetëm me mua individualisht, por edhe me të tjerë, që e shqetësojnë drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të afërmëve, miqve dhe mikeshave...! Kjo është e logjikshme dhe e përjetuar: çdo  njeri nuk mund të shikohet vetëm me dy ngjyra: bardhë e zi! Ose zi dhe rozë sterrë e fare pak nga e bardha! Se edhe ngjyrat e ylberit janë shtatë e secila prej tyre me nuanca të panumurta...! Ky mund të jetë një nga rastet e panumërueshme e të pafundme të konstatimit dhe shprehjes së saktë se në shpirtrat dhe zemrat e shumë njerëzve bashkëjetojnë ndjesi ëngjëlli dhe djalli. Ose, të djallit dhe të ëngjëllit...! Kuptohet, me rotacion mbizotërimi...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat