Dardania në këmbë për pritjen e Ramës?

Opinione

Dardania në këmbë për pritjen e Ramës?

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 6 korrik 2023 Në ora: 10:47
Albin Kurti dhe Edi Rama

Ndodhi si ndodhi dhe takimi i dy qeverive ishte anuluar, po sot është një ditë e madhe për shqiptarët: kryeministri Rama po vjen për vizitë në Dardaninë e tij dhe tonën.

Kjo është madhështorja. Në familje ndodhin mosmarrëveshje dhe grindje, por menaxhimi i mirë e shpëton vëllazërinë. 

Për këtë vëllazëri u angazhua edhe Kryeministri Rama, i cili e vërejti se dardanët ishin kundër Ballkanit të Hapur dhe për hirë të tyre, këto ditë e shpalli të mbyllur. E përfundoi misionin, tha.

Me rastin e kidnapimit të policëve në territorin e Kosovës nga forcat serbe, kryeministri Rama pa humbur kohë, e kërcënoi mikun e tij Vuçiqin me ftohje të marrëdhënieve, në rast se nuk lirohen policët. Gjest burrëror, edhe pse ende nuk dihet se si do të përfundoi ky kërcënim.

Edhe ky ishte pra një akt që duhej përshëndetur. Rama gjatë vizitës po ashtu do të flasë për hartimin e draft – statutit të cilin e ka hartuar për Kosovën. Pastaj do të raportoi po ashtu për propozimin e tij mbi organizimin e një konference mbi Kosovën, që po ashtu ishte ide e Serbisë et.

Për të gjitha duhet pasur mirëkuptim sepse kryeministri Rama, nuk mund t´i dijë të gjitha gjërat se si kanë rrjedhur me shekuj, mes Dardanisë dhe Serbisë. Ai po mundohet vetëm për një zgjidhje paqësore, duke e harruar të kaluarën.

Një e kaluar e tashme nuk është e largët, kur prapë u zhvillua gjenocid ndaj Dardanisë, po gjërat nuk mund t´i kthejmë mbrapa, në mënyrë që t´i parandalojmë. Prandaj ka edhe shumë njerëz që kohët e fundit janë të prekur nga (Alzheimer) një sëmundje e harresës.

Po ashtu ekziston mundësia që kryeministri Rama, të cilin e akuzojnë edhe për tentativën për ndarjen e Kosovës, kësaj radhe ashtu siç e anuloi Ballkanin e Hapur, t´i kërkoi falje Dardanisë për iniciativat e tij të cilat e kanë dëmtuar Dardaninë.

Çka është me rëndësi, ai sot po vjen në Dardani dhe ashtu siç njihen dardanët për mikpritje të përzemërt, duhet të dalin sot i madh e i vogël në pritjen e kryeministrit Rama.

Në pritje ftohen të vijnë: Lugina me gjithë Maqedonininë Perëndimore, Arbëreshët e Zarës, Arbëreshët e Kalabrisë, Sicilisë dhe Toskanës, Çamëria me gjithë krahinat e saj, Hoti e Gruda, Malësia e Madhe me Tuzin etj. Por nuk duhet harruar as diasporën nga Zvicra, Gjermania, Austria, Beneluksi, Holanda, Belgjika etj. Ose le të vijnë të gjithë shqiptarët e të gjitha kontinenteve, se është e pamundur të ceken të gjitha shtetet, sepse nuk ka vend ku nuk ka shqiptar.

Pra me këtë rast duhet të dëshmojmë para botës se ne jemi të bashkuar. Nganjëherë rrëmbehemi dhe dehemi nga rakia, por ne jemi një dhe po shpresojmë që këtë ta ketë kuptuar edhe kryeministri Rama. Tash duhet vetëm që të apelojmë edhe në Albin Kurtin, që t´ia shtrij dorën kryeministrit Rama dhe ta organizojnë mbledhjen e dy qeverive për bashkim. /Mars – Rover (Satirë)  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat